Publikohet kalendari i kremtimeve të Papës nga nëntori në janar
R.SH. – Vatikan
Nga shpallja e kardinalit Newman "Doktor i Kishës" më 1 nëntor deri te pagëzimi i disa fëmijëve në Kapelën Sikstine më 11 janar: Zyra për Kremtimet Liturgjike Papnore publikoi sot kalendarin e kremtimeve të kryesuara nga Papa Leoni XIV në muajt nëntor, dhjetor dhe janar.
Veprimtaria e parë është mesha e orës 10.30 në Sheshin e Shën Pjetrit, më 1 nëntor, në Solemnitetin e Gjithë Shenjtorëve: Papa, siç njoftoi më 31 korrik, do t’i japë titullin "Doktor i Kishës" shenjtit John Henry Newman, shpallur i Lum nga Papa Benedikti XVI më 19 shtator 2010 dhe shenjt nga Papa Françesku, më 13 tetor 2019. Papa Leoni XIV e caktoi datën në kuadrin e Jubileut të Botës Edukative dhe e njoftoi gjatë Engjëllit të Tënzot të së dielës, 28 shtator.
Meshë për Papën Françesku, për kardinajtë dhe ipeshkvijtë e ndjerë
Të hënën, më 3 nëntor, Papa do të kryesojë, në orën 11.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit, meshën për shpirtin e paraardhësit të tij të ndjerë, Françeskut dhe për shpirtin e kardinajve e ipeshkvijve, që ndërruan jetë gjatë vitit. Më 9 të të njëjtit muaj, në Solemnitetin e Kushtimit të Bazilikës së Lateranit, Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën në orën 9.30 në Shën Gjonin e Lateranit. Po në nëntor, të dielën, më 16, është Jubileu i të Varfërve e Papa do të kremtojë meshën në orën 10.00, në Shën Pjetër. Kremtimi i fundit i planifikuar për atë muaj është më 23 nëntor, me liturgjinë në Sheshin e Shën Pjetrit, në orën 10.30, në Solemnitetin e Zotit tonë Jezu Krisht, Mbretit të Universit. Po atë ditë, kremtohet Jubileu i Koreve dhe i Koraleve.
Homazh për Zojën e Papërlyer
Në kalendarin e publikuar sot njoftohet edhe se Leoni XIV, duke vazhduar traditën e paraardhësve, do të shkojë në Piazza di Spagna (Sheshi i Spanjës), në festën e Zojës së Papërlyer, në orën 16.00, për një akt nderimi ndaj Virgjërës Shenjte. Më 12 dhjetor, në orën 16.00, ai do të kryesojë meshën kushtuar Zojës së Guadalupes, në Bazilikën e Vatikanit. Po në Shën Pjetër, dy ditë më vonë, më 14 dhjetor, Papa do të kryesojë kremtimin për Jubileun e të Burgosurve, në orën 10.00.
Ritet e Krishtlindjes
Konfirmohen edhe kremtimet e Krishtlindjes. Në to përfshihen mesha e mesnatës në Shën Pjetër, më 24 dhjetor, në orën 22.00, për Solemnitetin e Lindjes së Krishtit, si edhe mesha e 25 dhjetorit, sërish në Shën Pjetër, e ndjekur nga Bekimi "Urbi et Orbi" në orën 12.00, nga lozha qendrore e Bazilikës. Më 31 dhjetor, në Solemnitetin e Marisë, Nënës së Zotit, Papa do të kryesojë Mbrëmësoren e parë dhe Te Deum-in në shenjë falënderimi për vitin e kaluar, në orën 17.00. Më 1 janar 2026, mesha për Ditën e 59-të Botërore të Paqes do të kremtohet në Bazilikën e Shën Pjetrit, në orën 10.00.
Mbyllja e Jubileut
Këtë vit, në Solemnitetin e Epifanisë, më 6 janar, do të mbyllet Porta Shenjte, ngjarje, që shënon përfundimin e Jubileut të zakonshëm të vitit 2025. Riti në Shën Pjetër do të mbahet në orën 9.30 e do të ndiqet nga mesha. Kremtimi i fundit, që u njoftua sot, është ai i 11 janarit, Festë e Pagëzimit të Zotit. Me atë rast, në orën 9.30, Papa Leoni XIV do të kremtojë meshën në Kapelën Sikstine, ku do të pagëzojë edhe disa fëmijë.
