Leoni XIV: të nxisim etikën në botën dixhitale duke sfiduar perënditë e rreme të konsumizmit
R.SH. / Vatikan
"Kufinjtë" dhe "Preferencat". Territore reale dhe virtuale, në të cilat mund të jemi apostuj të Ungjillit dhe mjete për ta bërë këtë me sukses. Fjalimi i Leonit XIV drejtuar Eprorëve të mëdhenj të Jezuitëve - mbi njëqind të pritur në Sallën e Sinodit, në Vatikan, të udhëhequr nga Eprori i Përgjithshëm Atë Arturo Sosa - është i gjerë dhe i detajuar, drejtuar një urdhri rregulltar që, kujtoi Papa, është prej kohësh "i pranishëm kudo që nevojat e njerëzimit takohen me dashurinë shpëtimtare të Zotit".
Sëmundje për t'u mjekuar
Hapja është shqyrtim i "epokës së ndryshimit" që prek çdo sektor - kulturë, ekonomi, teknologji, politikë - në veçanti, Leoni XIV thekson menjëherë, inteligjencën artificiale dhe risi të tjera që "po ripërcaktojnë kuptimin tonë të punës dhe të marrëdhënieve. Madje po bëjnë edhe pyetje rreth identitetit njerëzor", e jo vetëm kaq.
Degradimi ekologjik kërcënon shtëpinë tonë të përbashkët. Sistemet politike shpesh nuk arrijnë t'i përgjigjen britmës së të varfërve. Populizmi dhe polarizimi ideologjik thellojnë përçarjet brenda dhe ndërmjet kombeve. Shumë prej tyre preken nga konsumizmi, individualizmi dhe indiferenca.
Specialistë të ripajtimit
Duke kujtuar nderimin e Papëve të kohëve të fundit për Shoqërinë e Jezusit, Leoni XIV nxori në pah një sërë kufijsh, "qofshin ato - kujtoi - gjeografikë, kulturorë, intelektualë apo shpirtërorë", të cilët i përcaktoi si "vende rreziku, ku hartat e njohura nuk janë më të mjaftueshme". Në vijim, Papa Leoni XIV i ftoi jezuitët të ndjekin shembullin e Shën Injacit të Lojolës, duke dalluar dhe duke rinuar përgjatë këtyre kufijve. Duke u nisur - argumentoi Papa - nga "kufiri i madh" që "sot është rruga e sinodalitetit në Kishë", në mënyrë që strukturat dhe shërbesat e saj "të jenë më të shkathta, më transparente dhe më të përgjegjshme ndaj Ungjillit". Një tjetër "kufi themelor", për Papën Prevost, është ai i "pajtimit dhe i drejtësisë, veçanërisht në një botë të copëtuar nga konflikti, pabarazia dhe abuzimi".
Sot shumë vuajnë nga përjashtimi dhe shumë plagë mbeten të hapura ndërmjet brezave dhe popujve (...) Ne duhet t'i kundërvihemi "globalizimit të pafuqisë" me kulturën e pajtimi – duke u takuar në të vërtetë, në falje dhe shërim; duhet të bëhemi ekspertë në pajtim".
Leoni XIV më pas kthehet te tema e inteligjencës artificiale, një "kufi i rëndësishëm", thotë ai, i cili, ndërsa "ka potencial të madh për të mirën e njerëzimit", nga ana tjetër, "përmban edhe rreziqe izolimi, humbje pune dhe formash të reja manipulimi". Prandaj, të krishterët duhet të jenë vigjilentë.
Kisha duhet të kontribuojë për orientimin e këtyre zhvillimeve në mënyrë etike, duke mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe të mirën e përbashkët. Duhet të dallojmë se si t'i përdorim platformat dixhitale për të ungjillëzuar, për të ndërtuar komunitete dhe për të sfiduar perënditë e rreme të konsumizmit, pushtetit dhe vetëvlerësimit.
Ekonomia që vret
Në këtë pikë, Papa Leoni XIV përqendrohet në "Preferimet Universale Apostolike" të Shoqërisë së Jezusit, të përforcuara në vitin 2019 nga Papa Françesku si "shtigje të privilegjuara të misionit". Preferenca e parë, që ka të bëjë me tregimin e rrugës drejt Zotit nëpërmjet Ushtrimeve Shpirtërore dhe dallimit, u kërkon Jezuitëve të jenë aty - nga shtëpitë e tërheqjes shpirtërore - deri te universitetet; nga mediat sociale - deri te famullitë - kudo që mblidhen "kërkuesit e kuptimit", të cilëve "gëzimi i Ungjillit duhet t'u komunikohet me përvujtëri dhe bindje".
Preferenca e dytë - kujtoi Papa Leoni XIV - u bën thirrje besimtarëve fetarë të "ecin me të varfrit, të braktisurit e botës, me ata, dinjiteti i të cilëve është shkelur", siç ndodh tashmë në shumë struktura të drejtuara nga Urdhri - Shërbimi i Refugjatëve Jezuitë, por edhe universitetet, qendrat sociale dhe botimet - të konsideruara "kanale të fuqishme për nxitjen e ndryshimeve sistemike".
Të shumtë janë sot viktima të një sistemi ekonomik drejtuar nga fitimi dhe jo nga dinjiteti njerëzor. Në Nxitjen time të fundit Dilexi te, theksova nevojën për t'u përballur me "diktaturën e një ekonomie që vret", ku pasuria e pak njerëzve rritet në pambarimisht, ndërsa shumica lihet pas dore.
Mbrojtja e Krijimit, sfidë “e përvuajtur"
Papa theksoi preferencën e tretë "urgjente", e cila bën thirrje për "shoqërimin e të rinjve drejt një ardhmërie plot shpresë". Kisha, pohon Leoni XIV, "duhet ta gjejë dhe ta flasë gjuhën e saj - me veprime dhe prani, si dhe me fjalë (...) Dita e ardhshme Botërore e Rinisë, në Kore, do të jetë një çast kyç për këtë mision". Së fundmi, preferenca e katërt - "të kujdesemi për shtëpinë tonë të përbashkët" - e cila, ripohoi Papa, "i përgjigjet një britme sa njerëzore, aq edhe hyjnore", pasi "kthesa ekologjike" është "thellësisht shpirtëror".
Ajo ka të bëjë me ripërtëritjen e marrëdhënies sonë me Zotin, me të tjerët dhe me krijimin. Në këtë angazhim, bashkëpunimi i përulur është themelor, duke pranuar se asnjë institucion i vetëm nuk mund ta përballojë këtë sfidë. Komunitetet tuaja le të jenë shembuj të qëndrueshmërisë ekologjike, thjeshtësisë dhe mirënjohjes për dhuratat e Zotit.
Urimi i fundit i Leonit XIV për Shoqërinë e Jezusit është të mbetet e rrënjosur në Ungjill:
"Asnjë kufi nuk do të jetë përtej mundësive tuaja, nëse ecni me Krishtin", dëshira juaj "është të ndihmoni botën ta perceptojë këtë risi - të mbillni shpresë, aty ku mbretëron dëshpërimi; të sillni dritë, ku mbretëron errësira".
