Leoni XIV: mëshira dhe e vërteta, udhë për të takuar Zotin

Në përshëndetjen e tij drejtuar Motrave Augustiniane Rekolekte të Federatës së Meksikës, Papa rilexon në çelës bashkëkohor shkrimet e Shën Tomasit të Vilanovës, duke theksuar se dashuria nuk fitohet “me përpjekje”, por merret “si dhuratë”. Pa zjarrin e saj, vëren ai, mundimet “humbasin kuptimin” dhe shndërrohen në një “barrë për shpirtin”

R.SH. – Vatikan

Shërbimi aktiv dhe soditja, ashtu si karizmat e Martës dhe Marisë në marrëdhënien e tyre me Jezusin. Këto janë dy udhët për të “takuar Zotin”, që tregoi Papa Leoni XIV në përshëndetjen e tij drejtuar, sot paradite, 15 tetor, Motrave Augustinianeve Rekolektiane të Federatës së Meksikës, të ilat i priti në audiencë në Sallën e Vogël pranë Sallës Pali VI, në Vatikan.

Një udhëtim i pandërprerë

Papa rimerr veprën e plotë të Shën Tomës nga Vilanova — në veçanti komentin e tij mbi Soliloquio ( soliloku është fjalimi i drejtuar vetes. Krejt i brendshëm, madje introvert, pa bashkëbisedues) e Shën Augustinit — për të shpjeguar origjinën e lumturisë që lind nga takimi me Zotin: "Ti, Zot, nuk je një gjë dhe diçka tjetër shpërblimi yt, por ti vetë je shpërblimi i pamatshëm". Një marrëdhënie që zhvillohet përmes një udhëtimi të vazhdueshëm. Dhe ndër shtigjet që duhen ndjekur udhës shpirtërore, dy janë thelbësore: mëshira dhe e vërteta. Përmes këtyre dy rrugëve, ne ecim drejt Zotit, duke shërbyer si Marta në veprat e mëshirës ose duke pushuar si Maria te këmbët e Jezusit për të soditur të vërtetën.

Rruga e dashurisë

Qëllimi i përbashkët i çdo udhe të jetës, thekson Papa Prevost duke u frymëzuar sërish nga fjalët e ipeshkvit të shenjtë të Valencias, është dashuria. “A ka diçka më të lehtë, më të këndshme se të duash?”, shkruante Shën Pali Apostull. “Pra, udha e dashurisë është e lehtë, si ndaj Zotit, ashtu edhe ndaj të afërmit. Sa e lehtë është kjo rrugë! Sa e bukur dhe e këndshme është kjo rrugë!” Në fakt, vëren Papa Leoni XIV, “të gjithë ata që kanë arritur qëllimin, e kanë bërë këtë përmes kësaj rruge”.

Të fillosh nga zemra

Dashuria nuk është një arritje që vjen përmes përpjekjeve të veçanta, thekson sërish Papa, por merret falas, si dhuratë. Dhe citon sërish Shën Tomën nga Vilanova: “Sado gjëra të të japë Zoti, nëse nuk të jep dashurinë e Tij, të ka mohuar Veten”. Për të parë Zotin, pra, është e nevojshme të kthehemi në thellësi, në zemër. Ai, në fakt, “nuk shikon çfarë apo sa bën ti, por sa rritesh në dëshirën dhe dashurinë për Të”.

Durim dhe guxim për të arritur qëllimin

Në fakt, shpjegon Leoni XIV, "edhe pse është e vërtetë se çdo njeri do të gjykohet sipas veprave të veta, vlera e veprave qëndron në dashurinë e zemrës". Dhe pa zjarrin e dashurisë çdo përpjekje e humbet kuptimin e saj, dhe bëhet "barrë për shpirtin". Përshëndetja e Papës drejtuar motrave Augustinianeve Rekolekte të Federatës së Meksikës përfundon duke thirrur pikërisht ndërmjetësimin e Shën Tomës nga Vilanova pranë Zotit — “që e deshi aq shumë misionin në Amerikë” — në mënyrë që udhëtimi drejt Hyjit të bëhet “me durim dhe shpirt të guximshëm, për të arritur qëllimin”.

15 tetor 2025, 11:25