Leoni XIV: migrantët, limfë e re për famullitë, që i mirëpresin
R.SH. – Vatikan
Veproni në "stilin" e Zotit, që është afërsi, dhembshuri dhe butësi, duke ndihmuar ata që vijnë në SHBA në kërkim të një mundësie të re dhe duke vazhduar të jenë "ndërtues urash ndërmjet kombeve, kulturave dhe popujve". Ky është thelbi i mesazhit të Papës Leoni XIV, që mban datën 4 tetor, dërguar me rastin e takimit të 115-të të rrjetit Catholic Charities USA, mbajtur në San Juan, Porto Riko, ku morën pjesë afërsisht 600 vetë. Rrjeti, i cili vitin e kaluar ndihmoi më se 15 milionë nevojtarë, u themelua në vitin 1910 dhe përfshin 168 agjenci të pavarura, që sigurojnë "ushqim, strehim, kujdes mjekësor, ndihmë ligjore”, shkruan Papa.
Stili i Zotit
Ati i Shenjtë kujton se takimi mbahet gjatë Jubileut të Shpresës, e pikërisht shpresën, Papa Françesku, në Bulën e shpalljes së Vitit Shenjt, e përcakton si "dëshirë dhe pritje e së mirës, edhe pa e ditur se çfarë do të sjellë e nesërmja". Leoni XIV u bën thirrje agjencive të Bamirësisë Katolike të bëhen "agjentë shprese" për miliona njerëz, që i drejtohen Kishës në Shtetet e Bashkuara, duke kërkuar ndihmë. Ndërmjet tyre, më të prekshmit, migrantët dhe refugjatët, që "nuk kanë ku të mbështeten dhe varen nga Zoti e nga mirësia e të tjerëve. Në shumë mënyra", thekson Papa, "shërbesa juaj e bën provaninë e Zotit konkrete për ta". Ky është stili i Hyjit, që përbëhet nga afërsia, dhembshuria dhe butësia, siç e pati përcaktuar Papa Françesku.
Misionarë të shpresës
Përtej nevojave konkrete, Papa ndalet në pasurinë, që sjellin migrantët si "dëshmitarë të shpresës", sepse ata jo vetëm që tregojnë besim në Zotin, por edhe "qëndresë, sepse janë të detyruar shpesh të kapërcejnë shumë pengesa gjatë udhëtimit". "Në veçanti", shton ai, "migrantët dhe refugjatët katolikë janë bërë misionarë shprese në shumë kombe", duke sjellë si trashëgimi "një fe të gjallë dhe përshpirtëti popullore, që shpesh i rigjallërojnë famullitë, të cilat i mirëpresin".
Ndërtues urash
Ndihma e ofruar bëhet kështu forca lëvizëse për të qenë "ndërtues urash ndërmjet kombeve, kulturave dhe popujve". "Ju inkurajoj," përfundoi Papa Leoni XIV, "të vazhdoni të ndihmoni bashkësitë, që i mirëpresin këta vëllezër dhe motra të sapoardhura, që të jenë dëshmitarë të gjallë të shpresës, duke ua njohur dinjitetin njerëzor dhe duke i ftuar të marrin pjesë plotësisht në jetën e bashkësisë". Duke ripohuar mirënjohjen për ata që punojnë në këtë fushë, Ati i Shenjtë u jep të gjithëve bekimin e tij.
