Nga Xhamia Blu në Portin e Bejrutit, programi i Papës në Turqi dhe Liban
R.SH. – Vatikan
Nëntë fjalime, pesë përshëndetje, dy homeli. Takime institucionale, kremtime ekumenike, lutje në varret e shenjtorëve, ose në pikat arkeologjike të Nikesë, vizita në Xhaminë Blu, pastaj, në qendrat për të varfrit dhe të sëmurët, ose në vendin simbolik të një tragjedie të madhe: në portin e Bejrutit. Papa Leoni XIV po përgatitet të ndërmarrë një udhëtim plot me veprimtari në Turqi dhe Liban, nga 27 nëntori deri më 2 dhjetor. Ky udhëtim - i pari i papnisë së tij - do të përfshijë, ndër etapat kryesore, një shtegtim në Iznik, emri modern i Nikesë së lashtë, me rastin e 1700-vjetorit të Koncilit të parë në histori. Sot paradite, 27 tetor, saktësisht një muaj para nisjes së Papës, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë publikoi programin zyrtar.
Takime të rëndësishme
Ankaraja, Stambolli, Izniku, pastaj Bejruti, Annaja, Harissa, Bkerké, janë vendet që do të presin Papën Leoni XIV, i cili - siç e shpjegoi vetë - do të fluturojë drejt dy vendeve të Lindjes së Mesme për të përmbushur një dëshirë të paraardhësit të tij, Françeskut dhe për të çuar një mesazh paqeje në këtë pjesë të botës, të plagosur nga luftëra dhe tragjedi të llojeve të ndryshme. Nga programi i publikuar sot, dalin në pah disa ngjarje, duke filluar nga takimi ekumenik i lutjes pranë gërmimeve arkeologjike të Bazilikës së lashtë të Shën Neofitit në Iznik, kulmi i kremtimeve për 1700-vjetorin e Koncilit të Nikesë. Po në Turqi, nënshkrimi i një Deklarate të përbashkët me Patrikun e Kostandinopojës, Bartolomeu I, në Pallatin Patriarkal në Stamboll, si edhe një vizitë në Xhaminë e Sulltan Ahmetit, e njohur më mirë si Xhamia Blu, një nga xhamitë më të rëndësishme të Stambollit, harqet dhe mozaikët e së cilës kanë parë tashmë dy Papë: Benediktin XVI dhe Françeskun. Pastaj, në Liban, etapa në portin e Bejrutit, vendi i shpërthimit shkatërrimtar të gushtit 2020; lutja në Manastirin Annaya, tek varri i Shën Charbel Maklūf, murgut që shëronte, i cili konsiderohet Pajtor i vendit; takimi me personelin dhe me pacientët e spitalit libanez të Jal ed Dib, spitali i parë për njerëzit me aftësi të kufizuara mendore, lindur si vepër mëshire.
Ndërmjet Ankarasë, Stambollit dhe Iznikut
Më konkretisht, shtegtimi i Leonit XIV do të fillojë të enjten, më 27 nëntor, në orën 7.40, duke u nisur nga aeroporti i Romës-Fiumicino për në kryeqytetin turk, Ankara. Mbërritja është planifikuar në orën 12.30 në aeroportin ndërkombëtar të Ankarasë/Esenboğa, ku do të zhvillohet pritja zyrtare. Pas një ore, Papa do të shkojë në Mauzoleumin e Ataturkut, Anıtkabir-in madhështor, që i kushtohet themeluesit të shtetit modern laik. Ceremonia e mirëseardhjes do të mbahet në Pallatin Presidencial në orën 14.10 e më pas, vizita tek presidenti Rexhep Tajip Erdogan. Pas më se një ore, Ati i Shenjtë do të takohet me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik në orën 15.30 e do të mbajë fjalimin e tij të parë. Në fund të pasdites, rreth orës 17.20, do të largohet nga kryeqyteti turk për të shkuar në Stamboll, ku pritet të mbërrijë pas rreth një ore e gjysmë.
Në metropolin e ndarë nga Bosfori ndërmjet Evropës dhe Azisë, Leoni XIV do ta kalojë pjesën më të madhe të ditës së dytë të udhëtimit, përpara se të shkojë në Iznik. Në orën 9.30, ai do të kryesojë një takim lutjeje me ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, murgeshat e rregulltarët dhe me punonjësit baritorë, në katedralen e Shpirtit Shenjt. Më pas, Papa do të shkojë në Shtëpinë-strehë të Motrave të Vogla të të Varfërve, dëshmi e gjallë e bamirësisë dhe shërbimit ndaj të moshuarve në nevojë prej më se 120 vjetësh. Në orën 14.15, Ati i Shenjtë do të shkojë me helikopter në Iznik, 30 km në juglindje të Stambollit, ku do të zhvillohet kremtimi ekumenik në rrënojat e lashta të Bazilikës së Shën Neofitit. Parashikohet një fjalim i Papës. Leoni XIV do të kthehet në Stamboll në orën 18.30 e do të takohet privatisht me ipeshkvijtë në Legatën Apostolike.
E shtuna, 29 nëntor, do të jetë po aq intensive, me vizitën në Xhaminë Blu dhe me takimin privat me krerët e Kishave dhe të bashkësive të krishtera në Kishën Ortodokse Siriane të Mor Efremit dhe me Doksologjinë (një formulë e shkurtër rituale) në kishën patriarkale të Shën Gjergjit, gjatë së cilës Papa do të përshëndesë të pranishmit. Po atë ditë, në orën 15.50, Leoni XIV do të takohet me Bartolomeun në Pallatin Patriarkal. Të dy - që u takuan edhe majin e kaluar - do të nënshkruajnë një Deklaratë të përbashkët. Menjëherë pas këtij takimi, Papa do të vazhdojë drejt "Volkswagen Arena" për meshën e orës 17.00.
Programi në Bejrut
E diela, 30 nëntor, do të jetë dita e zhvendosjes në Liban. Ende në Turqi, Ati i Shenjtë do të ketë takimet e tij të fundit paradite me një vizitë lutjeje në katedralen apostolike armene dhe me Liturgjinë Hyjnore në kishën patriarkale të Shën Gjergjit, që do të ndiqet nga një bekim ekumenik e nga një fjalim i Leonit XIV. Pas drekës me Bartolomeun në Fanar, seli e Patrikanës Ekumenike, Papa do të largohet nga vendi dhe do të udhëtojë për në Bejrut. Mbërritja në aeroportin ndërkombëtar të kryeqytetit libanez parashikohet në orën 15.45, e ndjekur nga ceremonia e mirëseardhjes. Papa do të zhvillojë menjëherë takimet e tij të para institucionale: një vizitë mirësjelljeje te presidenti i Republikës, Joseph Aoun, i cili po e udhëheq Libanin që nga janari i kaluar; takime me presidentin e Asamblesë Kombëtare, Nabih Berri dhe me kryeministrin Nawaf Salami, të cilin Papa e priti në audiencë në Vatikan të shtunën. Në orën 18.00, Leoni XIV do të takohet me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik dhe do t'u drejtohet atyre me një fjalim. Ky takim do të mbyllë ditën e parë të udhëtimit të tij në Tokën e Kedrave.
Dita tjetër, më 1 dhjetor, do të fillojë me zhvendosjen në Annaya, periferi e Bejrutit ku ndodhet manastiri i Shën Marunit, vizituar nga miliona shtegtarë çdo vit, përfshirë myslimanët. Në orën 9.45, Papa Leoni do të zbresë në shpellën ku është varrosur Shën Charbel, murgu i krishterë i shpallur shenjt nga Pali VI dhe i njohur për mbi 29.000 shërime të mrekullueshme. Pas lutjes, Papa do të shkojë në Harissa, në shenjtëroren e njohur të Zojës së Libanit, mbi të cilën lartohet shtatorja e bardhë e Shën Marisë, që mbron vendin dhe gjithë Lindjen e Mesme. Atje, Leoni XIV do të takohet me klerin vendas, do të mbajë një fjalim dhe më pas, do të takohet privatisht me patriarkët katolikë në nunciaturën apostolike aty pranë, kryesuar nga imzot Paolo Borgia. Pasdite, në orën 16.00, është planifikuar një takim ekumenik dhe ndërfetar në Sheshin e Dëshmorëve, i ndjekur nga një takim me të rinjtë në orën 17.45 në sheshin përpara Patriarkatit Maronit të Antiokisë në Bkerké. Papa do të mbajë fjalime në të dyja rastet.
Lutja në portin e goditur nga shpërthimi
Dita e fundit e udhëtimit, përsëri në Bejrut, më 2 dhjetor, do të jetë po aq intensive. Do të fillojë në orën 8.30 me një vizitë në spitalin "De La Croix" në Jal el Dib dhe me zhvendosjen në port, për një "lutje të heshtur", në vendin e shpërthimit, që vrau mbi 200 vetë e plagosi 7.000 të tjerë, pesë vjet më parë. Në orën 10.30, Papa do të kryesojë meshën në Teatrin e Bejrutit e do të mbajë homelinë. Fjalimi i tij i fundit do të jetë ai i ceremonisë së lamtumirës në aeroport, në orën 12.45, me nisje në orën 13.15 dhe mbërritje në Romë-Fiumicino në orën 16.10.
Motot dhe logot e udhëtimit
Përveç programit, Salla e Shtypit e Vatikanit publikoi edhe logot e motot për udhëtimin apostolik të Papës Leoni XIV. Logoja turke paraqet një rreth, që përfshin Urën e Dardaneleve, duke simbolizuar takimin ndërmjet Azisë dhe Evropës, si edhe Krishtin si urë ndërmjet Zotit dhe njerëzimit. Valët e detit thyhen poshtë urës, duke evokuar ujin e pagëzimit dhe Liqenin e Iznikut; në të djathtë qëndron Kryqi i Jubileut 2025, ndërsa në pjesën e sipërme majtas, tre rrathë të ndërthurur përfaqësojnë Trininë Shenjte. E gjitha shpreh vizualisht moton e udhëtimit, "Një Zot, një fe, një pagëzim" (Ef 4,5). Logoja libaneze përshkruan Papën me dorën e djathtë të ngritur në bekim, të shoqëruar nga një pëllumb, që simbolizon paqen dhe një pemë kedri, që përfaqëson Libanin dhe historinë e tij të pasur të fesë e të harmonisë ndërfetare. Në të djathtë, "Kryqi-Spirancë" i Jubileut 2025 simbolizon shpresën e bazuar fort në besimin në Krishtin. Ngjyrat blu e thellë dhe rozë e zbehtë, e gjelbërt dhe e kaltërt shprehin qetësinë, së bashku me dëshirën e Libanit për paqe, të pasqyruar nga e bardha. Motoja "Lum veprimtarët e paqes", nga Ungjilli sipas Mateut, mishëron mesazhin qendror të vizitës: të ngushëllojë popullin libanez, duke inkurajuar dialogun, pajtimin dhe harmoninë ndërmjet të gjitha bashkësive.
