2025.07.06 caritas burundi

Papa, besimtarëve të Burundit: ruajeni shpresën për një botë më të mirë

Audiencë në Vatikan sot, me Vëllazërinë Imzot Courtney. Leoni XIV e vlerësoi misionin e saj për t’i ndihmuar të varfrit dhe të vegjlit, pa e harruar kontributin në ndërtimin e një monumenti në Minago, ku u vra nunci apostolik "duke dhuruar jetën e tij për paqen". Papa inkurajoi edhe projektin për të ndërtuar një qendër shëndetësore: "Veprat tuaja të përditshme të bamirësisë ndaj më nevojtarëve janë mesazh i fuqishëm për Kishën në vend"

R.SH. - Vatikan

Papa pret në Vatikan anëtarët e Vëllazërisë së Imzot Courtney, shtegtarë në Romë, së bashku me nuncin apostolik në Burundi, Imzot Dieudonné Datonou. Vëllazëria i kushtohet kujtimit të Kryeipeshkvit Michael Aidan Courtney që,  më 29 dhjetor 2003, në moshën 58 vjeç, u qëllua për vdekje, ndërsa udhëtonte me makinë pranë kryeqytetit të vendit.

Ta ruajmë shpresën për një botë më të mirë

Duke kujtuar fjalët në latinisht, saktësoi: "Spes non confundit, Shpresa nuk të zhgënjen!" (Rm 5:5). Zgjedhur nga paraardhësi i tij Françesku për të paraqitur Jubileun, Papa Leoni përsëriti se Jezu Krishti është Shpresa jonë. "Ai, dhe vetëm Ai, është Shpresa e Kishës dhe e mbarë botës! Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se sot bota ka nevojë për këtë shpresë; prandaj udhëtojmë si shtegtarë për ta takuar Atë dhe për ta vendosur Atë përsëri në qendër të jetës sonë dhe të jetës së botës". Pastaj ai ia besoi këtë delegacion dhe Burundin, nga i cili vjen, mbrojtjes së Zojës Rruzare, duke ua shtrirë këtë mbrojtje familjeve dhe bamirësve që punojnë për "përparimin e plotë të popullit burundian".

Më pas Papa u drejtoi mysafirëve ardhur nga Burundi, porosinë:

“Ruajeni shpresën për një botë më të mirë; ruajeni, të sigurt se, të bashkuar me Krishtin, përpjekjet tuaja do të japin fryte dhe do të shpërblehen”.

Jeni "familje e afërt e Papës në Burundi"

I lumtur që mirëpret grupin e shtegtarëve, Papa është i bindur se, sapo të kthehen në detyrat e tyre të përditshme, shpresa e tyre do të ringjallet e  do të jenë "më të përgatitur në punën për zhvillimin e gjithanshëm të çdo njeriu, në dritën e Ungjillit".

Pastaj shprehu falënderime të veçanta për punën e tyre me të ligshtit:

Dua të falënderoj secilin prej jush për gatishmërinë dhe angazhimin ndaj njerëzve më të varfër e më të ligshtë. Në këtë mënyrë nderoni edhe kujtimin e Kryeipeshkvit Michael Aidan Courtney, i cili iu kushtua atyre duke dhënë jetën për paqen, në kombin tuaj të dashur. Duke e kujtuar, në Burundi jeni "familje e afërt me Papën ", që dëshiron të jetë në mision përkrah të varfërve dhe të vegjëlve, në emër të Krishtit. Kontributi juaj në ndërtimin e një monumenti në Minago - vendi i vrasjes së Tij - si dhe përfshirja juaj në projektin për të ndërtuar një qendër shëndetësore, veprat tuaja të përditshme të bamirësisë ndaj më të varfrit dhe shumë nisma të tjera, janë mesazh i fuqishëm për Kishën në vendin tuaj.

22 tetor 2025, 10:50