Papa: të luftojmë kundër urisë, askush të mos mbetet pa ushqim

Të "mobilizojmë të gjitha energjitë e disponueshme, në frymën e solidaritetit, në mënyrë që askujt në botë të mos i mungojë ushqimi i nevojshëm, si në sasi ashtu edhe në cilësi. Në këtë mënyrë, do t'i jepet fund një situate që mohon dinjitetin njerëzor, komprometon zhvillimin e dëshirueshëm, detyron padrejtësisht turma njerëzish të braktisin shtëpitë e tyre dhe pengon mirëkuptimin midis popujve". "Arritja e objektivit Zero Uri do të jetë e mundur vetëm nëse ka një vullnet real për ta bërë këtë

R.SH. / Vatikan

“Paqja mbretëroftë kudo”. Me këtë urim nisi fjalimin e parë Papa Leoni XIV në FAO. “Nëse mposhtet uria, paqja do të jetë toka pjellore nga e cila do të lindë e mira e përbashkët e të gjitha kombeve”, thekson Papa. "Tetëdhjetë vjet pas themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), ndërgjegjja jonë duhet të na pyesë edhe një herë përballë dramës – gjithmonë aktuale – të urisë dhe kequshqyerjes. Dhënia fund e këtyre të këqijave nuk u takon vetëm sipërmarrësve, zyrtarëve apo politikëbërësve. Është një problem për zgjidhjen e të cilit duhet të kontribuojmë të gjithë: agjencitë ndërkombëtare, qeveritë, institucionet publike, OJQ-të, entitetet akademike dhe shoqëria civile, pa harruar çdo person në veçanti, i cili duhet të shohë në vuajtjen e të tjerëve diçka të tijën. Kush vuan nga uria nuk është një i huaj. Është vëllai im dhe duhet ta ndihmoj pa vonesë". Kështu tha Papa Leoni XIV gjatë fjalimit të tij mbajtur sot paradite në FAO, në Romë.

"Objektivi që na bashkon tani është aq fisnik sa edhe i pashmangshëm: të mobilizojmë të gjitha energjitë e disponueshme, për solidaritet, në mënyrë që në botë askush të mos mbetet pa ushqimin e nevojshëm, si në sasi ashtu edhe në cilësi. Në këtë mënyrë, do t'i jepet fund një situate që mohon dinjitetin njerëzor, komprometon zhvillimin e dëshirueshëm, detyron padrejtësisht turma njerëzish të braktisin shtëpitë e tyre dhe pengon mirëkuptimin midis popujve", shtoi Papa. "Heshtja e atyre që vdesin nga uria i bën thirrje ndërgjegjes së të gjithëve, edhe pse shpesh injorohet, heshtet ose shtrembërohet", prandaj "nuk mund të vazhdojmë kështu, sepse uria nuk është fati i njeriut, por shkatërrimi i tij", tha Papa Leoni XIV në fjalimin e tij në spanjisht në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) në Romë. 

16 tetor 2025, 11:24