Papa në Sheshin e Shën Pjetrit për një përshëndetje me shtegtarët nga dioqeza të ndryshme italiane Papa në Sheshin e Shën Pjetrit për një përshëndetje me shtegtarët nga dioqeza të ndryshme italiane

Papa: Kisha të jetë afër atyre që humbin punën

Duke përshëndetur besimtarët në shtegtimin jubilar nga dioqezat italiane të Toskanës, Camerino-San Severino, Fabriano-Matelica, Lanciano-Ortona dhe San Severo, Papa i nxiti ata të "eksperimentojnë" rrugë të reja të inicimit të krishterë dhe të mishërojnë mesazhin e Ungjillit në përmasën shoqërore të njerëzve: "Jini një Kishë në territor - tha Ati i Shenjtë - domethënë pranë shtëpive, pranë fabrikave, pranë njeriut". Puna, shtoi Leoni, është një dimension "i pazëvendësueshëm" i jetës sociale

R.SH. - Vatikan

"Do të doja t'ju nxisja të merrni, si Kishë lokale, stilin e afërsisë, duke dëgjuar vështirësitë dhe mundimet e njerëzve. E them këtë sidomos duke menduar për lajmet shqetësuese që lidhen me sektorë të ndryshëm të botës së punës". Duke përshëndetur besimtarët me rastin e shtegtimit jubilar në Romë nga dioqezat italiane të Toskanës, Camerino-San Severino Marche, Fabriano-Matelica, Lanciano-Ortona, në Abruzzo, dhe San Severo, në Puglia, sot më 11 tetor në sheshin Shën Pjetër, në Vatikan.

Papa Leoni XIV i nxiti komunitetet e këtyre Kishave dioqezane të shndërrojnë "urgjencat baritore" të ungjillëzimit në ato "sociale", të lidhura me dimensionin e punës dhe punësimit, duke "mishëruar" në përmasën baritore në realitetin konkret të çështjes së punësimit. Këto "urgjenca" baritore dhe sociale, shpjegoi Papa në fjalën e tij të përshëndetjes, "e thërrasin secilën prej Komuniteteve tona të krishtera për një ringjallje të ungjillëzimit dhe një shqyrtim të formave të pranisë kishtare në territor".

Nga njëra anë, në fjalimin e tij, Papa theksoi nevojën për të gjetur rrugë të reja të ungjillëzimit, duke ftuar të gjithë, në mënyrë sinodale, të bëhen "eksperimente. Të gjithë jemi të thirrur të pyesim veten dhe të imagjinojmë rrugë të reja baritore për një shpallje të ripërtërirë të Ungjillit, veçanërisht për të trajtuar disa tema si katekizmi i inicimit të krishterë. Është e nevojshme të bëhet një ushtrim i vërtetë sinodal, domethënë të ecet së bashku për të pyetur veten, për të filluar disa eksperimente". Papa përmendi, më pas, disa shembuj të "eksperimentimit" të virtytshëm, si "rasti i Gjykatës kishtare" - objekt i reformave të fundit për ta bërë atë një organ pastoralisht më të afërt, më të aksesueshëm dhe që garanton më shumë transparencë dhe siguri të masave - dhe "formimi fillestar i meshtarëve në Seminare".

Por një komunitet kishtar pastoralisht i vëmendshëm ndaj njerëzve nuk mund, nga ana tjetër, të injorojë realitetin social në të cilin jetojnë personat, shpesh në tension për shkak të krizave shqetësuese të punësimit. Ky interes i Kishës për botën e punës "nuk duhet të duket i papërshtatshëm", shpjegoi përsëri Papa duke cituar Fjalimin e Shën Palit VI drejtuar punëtorëve më 18 mars 1984. Përkundrazi.

Komuniteti i krishterë përballë pasojave negative të krizës së punësimit dhe asaj sociale, përballë pasigurive perspektivave të së ardhmes, shtoi Ati i Shenjtë Prevost, "është i thirrur të ushtrojë, me pasion bujar, një rol të shumëfishtë duke studiuar problemet, duke hartuar zgjidhje, duke marrë përgjegjësitë e veta: me pak fjalë, ajo duhet të jetë Kishë në territor, domethënë Kishë pranë shtëpive, Kishë pranë fabrikave, Kishë 'pranë njeriut'. Edhe në një tokë punëtore si Toskana, ku janë të pranishme disa ekspertiza të botës së vogël të artizanatit dhe të industrisë së vogël dhe të mesme", vazhdoi Papa, "kriza ekonomike gërryen sferën e punësimit. Është e dhimbshme të konstatosh se si kriza ekonomike që përfshin shumë kompani detyron pushimin nga puna të shumë punëtorëve dhe shumë të tjerë i lë në Cassa integrazione". Nga këtu ftesa e Leonit XIV për të sjellë vlerat e Lajmit të Mirë edhe brenda dimensionit social dhe punëtor të njerëzve.

11 tetor 2025, 14:51