Papa kroatëve: në botën e shkatërruar nga dhuna e luftërat, jini tharmi i paqes dhe i së mirës

Leoni XIV përshëndet në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan besimtarët e ardhur nga Kroacia me rastin e Jubileut dhe lavdëron dëshminë e tyre të krishterë, fryt i "traditës së trashëguar" nga paraardhësit që ruhet ende. "Feja rritet dhe forcohet kur bashkëndahet", thotë Papa, i cili fton "të transmetojnë me gëzim" të rinjve vlerat ungjillore që kanë "formuar" historinë dhe kulturën e vendit.

R.SH. – Vatikan

“Qoftë lavdëruar Jezusi dhe Maria, Hvaljen Isus i Marija”. Leoni XIV mirëpret në gjuhën e tyre 10 mijë kroatët, të mbledhur këtë pasdite, më 7 tetor, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, të ardhur këto ditë në Romë me rastin e shtegtimit kombëtar për Vitin e Shenjtë. Një fjalim i shkurtër ai që Papa, sapo kthyer nga Castel Gandolfo, u drejton besimtarëve, për të cilët më pas kremton Meshën imzot Dražen Kutleša, kryeipeshkëv i Zagrebit, me pjesëmarrjen e disa ipeshkvijve dhe priftërinjve. Para se të mbërrijë para Bazilikës së Vatikanit, Leoni përshkon me papamobil sheshin e shën Pjetrit, duke përshëndetur shtegtarët e ardhur nga Kroacia e vendet tjera.

Një fe e gjallë e trashëguar ndër shekuj

I brohoritur nga një duartrokitje e gjatë sapo mbërriti në podium, Papa thekson se "prania" e shtegtarëve të shumtë "është një shenjë e qartë e vitalitetit të fesë" së popullit të Kroacisë, i cili "ndër shekuj ka ditur të qëndrojë i palëkundur në bashkësi me Kishën dhe besnik ndaj Pasardhësit të Pjetrit Apostull". Një dëshmi sot e dhënë nga familjet, bashkësitë famullitare dhe shoqatat.

Tradita e trashëguar nga etërit tuaj është një thesar i çmuar, të cilin ju e ruani me kujdes dhe që jeni thirrur ta ripërtërini vazhdimisht, duke mbetur gjithmonë të hapur për të njohur atë që frymëzon Shpirti Shenjt. Ju falënderoj nga zemra për këtë besnikëri të jetuar në konkretësinë e jetës së përditshme.

Bashkëndarja e fesë me brezat e rinj

Një popull i lidhur me "rrënjët e krishtera", ai i Kroacisë, i cili vazhdon të dëshmojë dashurinë për "Krishtin dhe Kishën e tij", edhe pse shumë "gjenden në vise të ndryshme të botës, të larguar nga atdheu nga puna, studimi, nga nevoja të tjera", vëren Papa dhe i fton shtegtarët ta ushqejnë fenë e tyre.

Ju inkurajoj të mbani gjithmonë shikimin të fiksuar te Jezusi, Bariu i Mirë, i cili ju udhëheq dhe ju shoqëron, të udhëhiqeni prej Tij me besim dhe bindje. Mos harroni se feja rritet dhe forcohet kur bashkëndahet: prandaj, ju ftoj t’i transmetoni me gëzim fëmijëve tuaj dhe brezave të rinj vlerat e krishtera që kanë formuar historinë dhe kulturën tuaj të gjatë. Në këtë mënyrë do të vazhdoni të jeni tharmi i paqes, i së mirës dhe i shpresës në një botë të shkatërruar nga dhuna dhe luftëra, të cilat edhe ju i njihni nga historia juaj.

Së fundi Leoni XIV kërkon për të gjithë bekimin e Zotit dhe i lutet Marisë, Advocata fidelissima Croatiae, që "t'i ruajë" kroatët dhe "t'i shoqërojë në rrugën e përditshme". Para se të largohet, Papa përshëndeti personalisht episkopatin, meshtarët, murgeshat dhe laikët e Kishës kroate, pastaj, arrin te dy gra në karrige me rrota për t'i bekuar, i shoqëruar sërish nga duartrokitje të zhurmshme, Papa largohet nga Sheshi i Shën Pjetrit me xhipin e tij të bardhë.

07 tetor 2025, 19:35