Leoni XIV pret Kalorësit e Kolombos: falënderim për mbështetjen e veprës bamirëse të Papëve
R.SH. – Vatikan
Leoni XIV shprehu "mirënjohjen e tij të thellë" për Kalorësit e Kolombos, të cilët, me bujari, bënë të mundur restaurimin e baldakinit të Gian Lorenzo Bernini-t mbi altarin kryesor të Bazilikës së Vatikanit, si edhe atë të monumentit, që mbron Katedrën e Shën Pjetrit, në absidë, vepër e të njëjtit artist. Ati i Shenjtë priti në audiencë sot, më 6 tetor, në Sallën e Koncistorit, Këshillin e tyre Drejtues së bashku me familjet.
Në fjalimin e tij në anglisht, Papa theksoi rëndësinë e dy veprave, të admiruara nga miliona shtegtarë, veçanërisht gjatë këtij Viti Shenjt, kur besimtarët vijnë në Romë "për të vizituar varret e Apostujve, për të kaluar Portat e Shenjta dhe për t'u përforcuar në fe".
“Këto kryevepra e ndihmojnë këdo, që i shikon, të meditojë për dy nga parimet themelore të fesë sonë: praninë e vërtetë të Jezusit në Eukaristi dhe Papën si Pasardhës i Shën Pjetrit, që e bashkon dhe e udhëheq Kishën”.
Mbështetja për veprën bamirëse të Papëve
Papa e quajti restaurimin, tashmë të përfunduar, "shenjë të dukshme" të "përkushtimit të vazhdueshëm" të Kalorësve të Kolombos në favor të Vikarit të Krishtit. Ai kujtoi se gjatë gjithë historisë së tij, Urdhri e ka mbështetur "veprën bamirëse të Papëve të Romës me mënyra të ndryshme, edhe përmes Fondit Vicarius Christi, i cili i jep mundësinë Papës të shprehë solidaritetin me të varfrit dhe më të brishtët në të gjithë botën".
“Përmes një sërë nismash të ndërmarra nga Këshillat lokale, ju dhe sivëllezërit tuaj Kalorës përpiqeni të çoni dhembshurinë dhe dashurinë e Zotit në bashkësitë tuaja lokale, edhe përmes përpjekjeve për të mbrojtur shenjtërinë e jetës në të gjitha fazat, për të ndihmuar viktimat e luftës dhe të fatkeqësive natyrore dhe për të mbështetur thirrjet në meshtari”.
Misioni i filluar nga Michael McGivney
Për këto "veprime konkrete", por edhe për "lutjet" e "sakrificat e tyre të përditshme për të mirën e popullit të Zotit", Leoni XIV shprehu "mirënjohjen e tij të thellë" për Kalorësit e Kolombos. Së fundi, Papa i siguroi anëtarët e Urdhrit për lutjet e tij që shtegtimi jubilar t’ua ushqejë fenë dhe uroi që përvoja e tyre në Qytetin e Amshuar t’i përforcojë në vazhdimin e misionit të filluar nga themeluesi i tyre, i Lumi Michael McGivney.
