2025.06.06 Seconda Parte S.E. il Signor Sergio Mattarella, Presidente della Repubblica Italiana

Papa Leoni XIV, vizitë zyrtare në Quirinale më 14 tetor

Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë njoftoi takimin me presidentin italian Sergio Mattarella të martën e ardhshme, në orën 11.00. Papa do të vizitojë Pallatin e Quirinale-s, seli e presidencës së Republikës Italiane, në përgjigje të vizitës së kryetarit të shtetit qershorin e kaluar

R.SH. – Vatikan

Pas audiencës së parë me presidentin e Republikës Italiane, Sergio Mattarella, në Vatikan, më 6 qershor, Papa Leoni XIV dhe kreu i shtetit do të takohen sërish. Siç njoftoi Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, Papa do të bëjë një vizitë zyrtare në Pallatin Quirinale të martën, më 14 tetor, në orën 11.00.

Ky do të jetë takimi i tretë ndërmjet Atit të Shenjtë dhe presidentit Mattarella, i cili mori pjesë në meshën për fillimin e papnisë, më 18 maj dhe më pas e përshëndeti Papën në Bazilikën e Vatikanit në përfundim të kremtimit. Dhjetë ditë më parë, me rastin e zgjedhjes së Papës, më 8 maj, Mattarella pati dërguar "urimet e tij të përzemërta", duke siguruar impenjimin e Republikës Italiane "për të promovuar një vizion të botës dhe të bashkëjetesës ndërmjet popujve, bazuar në paqe, në garancinë e të drejtave të paprekshme, si edhe në dinjitetin e lirinë për të gjithë njerëzit".

Hera e fundit që një Papë vizitoi Quirinale-n ishte 10 qershori i vitit 2017, kur Françesku u takua me presidentin Sergio Mattarella, i sapozgjedhur për një mandat të dytë. Me atë rast, Papa argjentinas foli me rreth 200 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme nga zonat e prekura nga tërmeti të Lazio-s, Umbria-s, Abruzzo-s, Marche dhe Emilia-Romagna. Vizita e parë papnore në Quirinale, dikur rezidencë e Papëve, daton më 28 dhjetor 1939, kur Papa Piu XII u ktheu takimin zyrtar në Vatikan sovranëve të Italisë.

12 tetor 2025, 10:20