2025.10.14 Visita Ufficiale al Presidente della epubblica Italiana, On. Sergio Mattarella, al Palazzo del Quirinale

Papa në Quirinale: të arrihet bashkëjetesa paqësore në gjirin e familjes njerëzore

Në qendër të fjalimit të Leonit XIV gjatë vizitës së tij te presidenti italian Mattarella ishin paqja dhe bashkëpunimi shumëpalësh, mbështetja për familjet në një Evropë ku niveli i lindjeve është "dukshëm në rënie", kujdesi për krijimin, mikpritja e emigrantëve dhe mirënjohja për ndihmën në organizimin e Jubileut. Gjithashtu, Papa vlerësoi impenjimin e qeverisë italiane në situatat e vështira, shkaktuar nga lufta dhe varfëria, sidomos, impenjimin për fëmijët e Gazës

R.SH. – Vatikan

Hera e tretë e takimit të Papës Leoni XIV me presidentin italian, Sergio Mattarella, u karakterizua nga shkëmbimi i mendimeve jo vetëm për Italinë, por për problemet më të mprehta, që shqetësojnë sot botën. Ati i Shenjtë vizitoi, paraditen e 14 tetorit, Quirinale-n, selinë e presidencës italiane (dikur rezidencë papnore), ku u prit nga presidenti i Republikës së Italisë, kryeministrja Giorgia Meloni dhe nga autoritete e anëtarë të tjerë të qeverisë italiane.

Mesazhi i Papës për paqen

"Jetojmë në kohë në të cilat, së bashku me shumë shenja shprese, ka edhe shumë vuajtje të rënda, që e lëndojnë njerëzimin në mbarë botën dhe kërkojnë përgjigje urgjente dhe largpamëse – vuri në dukje Papa, në fjalimin e tij, duke folur menjëherë pas presidentit Mattarella. - Angazhimi i parë që dua të theksoj në këtë drejtim është ai për paqen. Luftëra të shumta e shkatërrojnë planetin", denoncoi Ati i Shenjtë, duke bërë një “thirrje të zjarrtë që të vazhdohet puna për të rivendosur paqen në çdo anë të botës dhe për të kultivuar e për të promovuar gjithnjë e më shumë parimet e drejtësisë, barazisë dhe bashkëpunimit ndërmjet popujve, të cilat janë themeli i saj i domosdoshëm".

  (@Vatican Media)

Rënia e lindjeve: “ndihmoni familjet"

Më pas, Papa trajtoi çështjen e rënies së nivelit të lindjeve, duke u bërë thirrje politikanëve të bëjnë përpjekje për të ndihmuar familjet. "Gjatë dekadave të fundit, kemi qenë dëshmitarë të një rënieje të ndjeshme të nivelit të lindjeve në Evropë – denoncoi Ati i Shenjtë, duke kërkuar mbështetje për familjet që të mbrohen vlerat e të drejtat e tyre. - 'Baba', 'nënë', 'bir', 'bijë', 'gjysh', 'gjyshe', janë, në traditën italiane, fjalë që shprehin dhe frymëzojnë natyrshëm ndjenja dashurie, respekti dhe përkushtimi, nganjëherë heroik, për të mirën e bashkësisë familjare dhe për rrjedhojë, edhe për atë të shoqërisë në tërësi. Në veçanti, dua të theksoj – vërejti Papa Leoni XIV - rëndësinë që t’u sigurohet të gjitha familjeve mbështetja e domosdoshme nga një punë dinjitoze, me kushte të drejta dhe me vëmendje ndaj nevojave të amësisë dhe atësisë. Të bëjmë ç’është e mundur për t'u dhënë besim familjeve, veçanërisht familjeve të reja, në mënyrë që ato të mund të shikojnë drejt së ardhmes me qetësi dhe të rriten në harmoni".

"Mbrojtja e jetës dhe e vdekjes"

Në fjalimin e tij në Quirinale, Papa theksoi më pas "rëndësinë themelore, në çdo nivel, të respektimit dhe të mbrojtjes së jetës, në të gjitha fazat e saj, nga zënia deri në pleqëri, deri në çastin e vdekjes”. Ati i Shenjtë kërkoi një ndërgjegjësim më të madh për këtë, sidomos përsa i përket mundësisë për të marrë mjekimin e duhur shëndetësor dhe ilaçet, sipas nevojave të secilit.

  (@Vatican Media)

Migrantët, “shtëpia e përbashkët”, Jubileu

Në fjalimin e tij 360 gradësh, Papa nuk harroi emigrantët, që trokasin në portat e Italisë, për të cilët kërkoi një “integrim konstruktiv”, që të kontribuojnë vërtet në pasurimin e shoqërisë italiane nga takimi me kulturat e ndryshme, që përfaqësojnë. Pastaj, duke iu referuar faktit se Italia është atdheu i Shën Françeskut të Asizit, e nxiti popullin italian ta përforcojë kulturën, që e konsideron tokën, shtëpinë tonë të përbashkët, si motër e si nënë, që na pret krahëhapur, për t’u respektuar e për t’u mbrojtur. Ati i Shenjtë falënderoi më pas për impenjimin e Italisë pas vdekjes së Papës Françesku dhe për kontributin në organizimin e mbarëvajtjen e Jubileut të Shpresës, ende në vijim. Vuri në dukje se Kisha bashkëpunon me shtetin italian për të mirën e përbashkët, duke parë drejt se ardhmes, pa harruar traditën.

Të mos na magjepsin modelet masive

Fjalët e fundit të Leonit XIV iu kushtuan kritikës kundër prirjes aktuale për të nënvlerësuar atë që na kanë lënë trashëgim paraardhësit, "modele dhe vlera, maturuar gjatë shekujve, që përcaktojnë identitetin tonë kulturor, duke pretenduar nganjëherë ta cënojnë rëndësinë e tyre historike dhe njerëzore". Ai citoi fjalët e kardinalit të atëhershëm Joseph Ratzinger në meshën "pro eligendo Romano Pontifice" të prillit 2005.

“Të mos na magjepsin modelet masive e fluide, të cilat promovojnë vetëm lirinë në dukje, për t'i bërë pastaj njerëzit të varen nga forma kontrolli si modat kalimtare, strategjitë tregtare, ose forma të tjera”.

  (@Vatican Media)

Mattarella: "Jo shoqërisë së dominuar nga oligarkët"

Gjatë vizitës, presidenti italian Mattarella ishte i pari që foli, duke theksuar vlerat, nga të cilat nuk duhet të heqë dorë një shtet demokratik. "Nuk duam të dorëzohemi para perspektivës së një shoqërie të dominuar nga oligarkët, ose më saktë, nga të privilegjuarit, shoqëri e bazuar mbi pasurinë, pandershmërinë dhe indiferencën ndaj të tjerëve, e cila po përvijohet duke zëvendësuar vlerat e barazisë, solidaritetit dhe lirisë", deklaroi kreu i shtetit të Italisë.

"I takon politikës të çarmatosë mendjet e njerëzve"

"Të çarmatosen shpirtrat e të çarmatosen fjalët" për të favorizuar paqen, kërkoi Mattarella. Për këtë, "një përgjegjësi e veçantë u takon vendimmarrësve politikë dhe atyre, që ndikojnë në opinionin publik, për të shmangur ashpërsimin e konflikteve e për të kultivuar dialogun dhe mirëkuptimin e ndërsjellë", theksoi presidenti italian.

14 tetor 2025, 12:59