Papa: nga 7 tetori dy vite të dhimbshme. Të ulet urrejtja, të kthehemi te dialogu
R.SH. – Vatikan
“Kanë qenë dy vite shumë të dhimbshme. Dy vjet më parë, në këtë akt terrorist, vdiqën 1.200 persona. Duhet të mendojmë se sa urrejtje ekziston në botë dhe të fillojmë t'i bëjmë vetes pyetjen se çfarë mund të bëjmë. Në dy vjet, rreth 67.000 palestinezë janë vrarë. Duhet të ulet urrejtja, duhet të kthehemi te aftësia për të dialoguar, për të kërkuar zgjidhje paqësore”. Kështu tha Papa Leoni XIV pasditen e sotme, më 7 tetor, gazetarëve që e prisnin para hyrjes së rezidencës papnore, në Castel Gandolfo, duke iu referuar përvjetorit të sulmit terrorist të Hamasit që çoi, saktësisht dy vjet më parë, në vdekjen e mbi një mijë izraelitëve, në rrëmbimin e të paktën 250 personave dhe, më pas, në reagimin masiv të Forcave Mbrojtëse Izraelite në Gaza.
Jo terrorizmit dhe antisemitizmit
Papa dënoi si terrorizmin ashtu edhe episodet e fundit të antisemitizmit, duke ritheksuar mesazhin e paqes të Ungjillit. “Është e sigurt – tha Papa pak minuta para se të kthehej në Vatikan, ku në orën 17.30 e priste një takim me besimtarët kroatë në Vatikan – se nuk mund të pranojmë grupe që shkaktojnë terrorizëm, duhet gjithmonë të refuzojmë këtë stil urrejtjeje në botë. Në të njëjtën kohë, ekzistenca e antisemitizmit, qoftë në rritje apo jo, është shqetësuese. Duhet gjithmonë të shpallim paqen, respektin për dinjitetin e të gjithë njerëzve. Ky është mesazhi i Kishës”.
Intervista e kardinalit Parolin
Leoni XIV më pas iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me reagimin e Ambasadës Izraelite pranë Selisë së Shenjtë ndaj intervistës së kardinalit Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, me mediat e Vatikanit, e cila, sipas një deklarate, do të minonte përpjekjet për paqe. "Kardinali e shprehu shumë mirë mendimin e Selisë së Shenjtë në këtë drejtim", theksoi Papa.
Fuqia e lutjes së pandërprerë
Më pas Ati i Shenjtë ftoi të gjithë besimtarët të vazhdojnë të luten për fundin e këtij konflikti të përgjakshëm dhe siguroi angazhimin e Kishës për të promovuar dialogun dhe pajtimin. "Kisha – vazhdoi Papa Leoni XIV – u ka kërkuar të gjithëve të luten për paqe, veçanërisht gjatë këtij muaji tetor. Ne do të përpiqemi gjithashtu, në formën që është në dispozicion të Kishës, të promovojmë gjithmonë dialogun".
Udhëtimi në Turqi, një moment uniteti
Në ditën e shpalljes zyrtare të udhëtimit të tij të parë apostolik që do ta çojë në Turqi dhe Liban nga 27 nëntori deri më 2 dhjetor, Papa Leoni XIV, i pyetur nga gazetarët për motivet e këtij udhëtimi në një zonë gjeopolitike kaq delikate dhe nën tension, shpjegoi: “Udhëtimi në Turqi motivohet nga përvjetori i 1700-vjetorit të Koncilit të Nikesë. Mendoj se është një moment vërtet i rëndësishëm. Është një udhëtim që Papa Françesku donte ta bënte. Për të gjithë të krishterët do të jetë një moment uniteti autentik në fe. Nuk duhet humbur ky moment historik. Por nuk është për të shikuar pas, është për të shikuar përpara”.
Mesazh paqeje për Libanin
Me udhëtimin e tij në Liban, Papa synon mbi të gjitha të sjellë ngushëllim për një popull vuajtjet e të cilit janë ashpërsuar, duke filluar nga shpërthimi i portit të Bejrutit më 4 gusht 2020. “Në Liban – tha Ati i Shenjtë Prevost – do të kem mundësinë të shpall sërish mesazhin e paqes në Lindjen e Mesme në një vend që ka vuajtur shumë. Edhe atje Papa Françesku donte të shkonte. Donte t'i jepte këtë përqafim popullit të Libanit pas shpërthimit, pas gjithë asaj që kanë vuajtur. Do të përpiqemi të sjellim këtë mesazh paqeje dhe shprese”.
