2025.10.09 Santa Messa per il Giubileo della Vita Consacrata

Papa për rregulltarët: zhvishuni nga gjithçka për të dëshmuar primatin e Zotit

Në homelinë e tij, gjatë meshës së kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, me rastin e Jubileut të Jetës Rregulltare, Leoni XIV u përqendrua në tri foljet e propozuara nga Ungjilli sipas Lukës: "të lypësh", "të kërkosh" dhe "të trokasësh". Ati i Shenjtë u bëri thirrje rregulltarëve të frymëzohen nga jeta e themeluesve, gra e burra të dashuruar me Krishtin, prandaj, të gatshëm të bëhen "gjithçka për të gjithë"

R.SH. – Vatikan

“Me zhveshjen tuaj nga gjithçka, të jeni dëshmitarë të gjallë të primatit të Zotit në jetë, duke i ndihmuar sa më shumë që të mundeni vëllezërit dhe motrat, që takoni, për të kultivuar miqësinë me Të”.

Kjo është detyra e vështirë që Kisha ua beson murgeshave e rregulltarëve në të gjithë botën, nënvizoi sot Papa Leoni XIV, i cili kryesoi për ta meshën në Sheshin e Shën Pjetrit, në Jubileun që u kushtohet. Zoti, u kujtoi Ati i Shenjtë, i shpërblen "me shumë bukuri e pasuri" ata, që e leojnë të bëhet busull për veprimet e tyre.

  (@Vatican Media)

Jubileu kushtuar jetës rregulltare

Këto ditë, deri më 12 tetor, janë mbledhur në Romë njerëz me prejardhje, gjuhë dhe raca të ndryshme, por të gjithë të impenjuar në shërbimin ndaj Popullit të Zotit e të bashkuar nga një qëllim i vetëm: të ndjekin Krishtin. Kanë ardhur në Qytetin e Amshuar, të organizuar nga Dikasteri për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, si edhe nga Dikasteri për Ungjillëzimin, me një program, që arriti kulmin pikërisht në meshën e kremtuar sot (9 tetor) me Papën Leoni XIV.

Lypni, kërkoni, trokisni

Duke komentuar fragmentin nga Ungjilli sipas Lukës, propozuar nga liturgjia, Papa theksoi tri foljet e lutjes: "lypni", "kërkoni" dhe "trokisni".

“Këto janë qëndrime të njohura për ju, jeni mësuar... të lypni pa pretenduar, të bindur për veprimin e Zotit. "Të lypësh", në fakt, do të thotë të pranosh, në varfëri, se gjithçka është dhuratë... dhe të falënderosh për gjithçka; “të kërkosh” do të thotë ta hapësh mendjen e zemrën, me bindje, për të zbuluar çdo ditë shtegun, që duhet ndjekur në rrugën e shenjtërisë, sipas planeve të Zotit; “të trokasësh” do të thotë të kërkosh dhe t’u ofrosh vëllezërve dhe motrave dhuratat e marra me zemër të dëlirë, duke u përpjekur t’i duash të gjithë me respekt dhe bujari”.

  (@Vatican Media)

Bëhuni "gjithçka për të gjithë"

Duke përmendur shpesh kushtetutën apostolike “Lumen gentium”, por edhe shenjtin e tij të dashur Augustinin, Papa vërejti se “përvoja autentike e Zotit shkakton gjithmonë hove bujare bamirësie, siç ndodhi në jetën e themeluesve dhe të themelueseve, gra e burra të dashuruar me Zotin, prandaj, të gatshëm të bëhen "gjithçka për të gjithë", pa dallim, në mënyrat dhe në fushat nga më të ndryshme". Leoni XIV i këshilloi rregulltarët e murgeshat të mos kërkojnë veç çaste të shkurtra e marrëdhënie sipërfaqësore në jetë, të mos shkojnë pas modave kalimtare, që lënë boshllëk në zemër, sepse, sqaroi ai, "për të qenë vërtet i lumtur, njeriu ka nevojë për përvoja të vazhdueshme, të qëndrueshme dhe të forta dashurie". Vetëm kështu, murgeshat e rregulltarët mund ta "shpërndajnë oksigjenin e kësaj mënyre të dashuri në të gjithë botën". Dhuratat e marra nga Zoti duhen përhapur, vërejti Papa.

“Ruajeni thjeshtësinë e "më të vegjëlve" të Ungjillit. Të dini si ta rizbuloni në marrëdhëniet shpirtërore e të përzemërta me Krishtin, ose në kontaktin e drejtpërdrejtë me vëllezërit dhe motrat. Atëherë do të përjetoni "ngazëllimin e gëzimit për dikimin e Shpirtit Shenjt", të cilin e ndiejnë ata, që njihen me sekretet e Mbretërisë së Zotit. Mos u përpiqni të hyni në numrin e "të urtëve dhe të aftëve"... të cilëve u fshihen sekrete të tilla. Të jeni vërtet të varfër, të butë, të etur për shenjtëri, të mëshirshëm, të pastër në zemër, ata, falë të cilëve, bota do të njohë paqen e Hyjit”.

09 tetor 2025, 12:21