Papa pret në audiencë presidentin e Republikës së Fixhit
R.SH. / Vatikan
Sot paradite, e enjte 30 tetor, Papa Leoni XIV priti në audiencë, në Vatikan, presidentin e Republikës së Fixhit, Ratu Naiqama Tawakecolati Lalabalavu, i cili më pas takoi kardinalin Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, shoqëruar nga monsinjor Daniel Pacho, nënsekretar për Sektorin Shumëpalësh të Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.
Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit
"Gjatë bisedimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit - informon një njoftim nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë - u shpreh vlerësim për marrëdhëniet e mira dypalëshe midis Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Fixhit, si dhe për kontributin e Kishës Katolike në shërbim të shoqërisë". "Në vazhdim të bisedës - thuhet më tej në komunikatë -, u bë një shkëmbim pikëpamjesh mbi situatën shoqëroro-politike të vendit, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në çështje me interes të përbashkët, ndër të cilat mbrojtja e mjedisit dhe lufta kundër krimeve transnacionale".
