Papa pret presidentin e Republikës së Lituanisë
R.SH. / Vatikan
Leone XIV, sot paradite, më 6 tetor, takoi në Pallatin Apostolik në Vatikan – njofton një komunikatë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – Presidentin e Republikës së Lituanisë, Gitanas Nausėda. Më pas, kreu i shtetit pati një bisedë në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit me kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit, shoqëruar nga imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.
Në qendër të takimit ishin "marrëdhëniet e mira dhe frytdhënëse ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Lituanisë", por edhe aktualiteti ndërkombëtar, duke u përqendruar veçanërisht në skenarin ukrainas. U theksua "domosdoshmëria për të intensifikuar kërkimin e zgjidhjeve diplomatike, duke larguar rrezikun e zgjerimit të konfliktit me pasoja të paparashikueshme dhe të tmerrshme".
