Papa, rregulltarëve: “Mos u lodhni së dëshmuari shpresën në botë"
R.SH. / Vatikan
Mendimi i Papës gjatë përshëndetjes në gjuhën italiane në audiencën e sotme të Përgjithshme në sheshin e shën Pjetrit është për Rregulltarët, Rregulltaret dhe të Kushtuarit e Instituteve Sekulare të mbledhur në Shën Pjetër për Jubileun e Jetës së Kushtuar.
“Të dashur vëllezër e motra, ju falënderoj për shërbimin tuaj të çmuar ndaj Ungjillit e Kishës dhe ju nxis të jeni shenja të qarta e bindëse të dashurisë së Zotit dhe vegla paqeje në çdo ambient”, u tha Papa rregulltarëve. “Mos u lodhni së dëshmuari shpresën në kaq shumë kufij të botës moderne, duke ditur të identifikoni me guximin misionar udhë të reja të ungjillëzimit dhe të promovimit njerëzor”, vazhdon Papa Leoni XIV.
Këto ditë në Vatikan po zhvillohet Jubileu i dedikuar atyre që ia kanë kushtuar jetën e tyre Zotit dhe pikërisht nesër paradite Papa do të kremtojë me ta një Meshë në Sheshin Shën Pjetrit. “Mendimi im shkon së fundi te të rinjtë, te të sëmurët dhe te bashkëshortët e rinj. Të gjithëve ju ftoj t'i drejtoni mendimet tuaja te Maria Virgjër, së cilës në këtë muaj tetor i drejtohemi si Mbretëresha e Rruzares së shenjtë; shikoni tek Ajo dhe jini gati t'i përgjigjeni planit të dashurisë që Zoti ka për secilin prej jush”, përfundon Papa Leoni.
