Papa: të ecësh së bashku është stili i jetës dhe i misionit të Kishës
R.SH. / Vatikan
Që ditët e studimit të nxisin "kuptimin e ripërtërirë se të ecësh së bashku është stili i jetës dhe i misionit të Kishës". Kjo është urimi që Papa Leoni XIV u drejton promovuesve, folësve dhe pjesëmarrësve të konferencës teologjike "Çfarë ipeshkvi në një Kishë sinodale?", që po mbahet në Oshënarinë e Camaldolit nga 6 deri më 9 tetor. Katër ditë të dedikuara studimit në veçanti të figurës dhe shërbesës së ipeshkvit në një Kishë sinodale, duke u përpjekur për të sqaruar se si nuk mund të zhvillohet një stil dhe një formë sinodale e Kishës pa rishqyrtuar shërbesën episkopale në një perspektivë sinodale.
Mesazhi i Papës
Në mesazh – nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit,kardinali Pietro Parolin, dhe drejtuar Eprorit të përgjithshëm të Kongregatës Kamaldoleze të Urdhrit të Shën Benediktit, dom Matteo Ferrari – Leoni XIV thotë se është "shpirtërisht" i pranishëm në kuvendin "domethënës". Një iniciativë me "thellësi teologjike dhe kishtare" të cilën Papa e vlerëson. Urimi i tij është që këto ditë të nxisin një ndërgjegjësim të ri për "të ecur së bashku", duke kujtuar se "sinodaliteti autentik kërkon nga natyra e tij dëgjimin dhe pjesëmarrjen e të gjithë të pagëzuarve, sipas thirrjes së secilit, por nuk mund të shpërfillë autoritetin që Krishti i ka dhënë Kolegjit të ipeshkvijve me në krye Pasardhësin e Pjetrit".
