Papa Leoni XIV me komunitetin e Kolegjit Papnor Portugez të Romës (@Vatican Media) Papa Leoni XIV me komunitetin e Kolegjit Papnor Portugez të Romës (@Vatican Media)

Papa: seminaristëve, Kolegji të jetë "shtëpi" mikpritëse si Kisha

Leoni XIV pret në audiencë komunitetin e Kolegjit Papnor Portugez të Romës dhe kërkon bashkëpunimin e "klerikëve dhe laikëve", falë të cilit lindi rezidenca fetare portugeze, një përvojë nga e cila "Kisha, e thirrur sot të forcojë stilin e saj sinodal", duhet të nxjerrë mësim. Papa nxit të dëgjojmë njëri-tjetrin, për të dalluar "me më shumë qartësi dhe besim shenjat e kohës"

R.SH. – Vatikan

Kolegji Papnor Portugez në Romë u themelua saktësisht 125 vjet më parë, më 20 tetor 1900, nga Leoni XIII, falë edhe angazhimit të "klerikëve dhe laikëve", "të bashkuar në të njëjtën rrugë" dhe të orientuar drejt "të njëjtave objektiva, në mënyrë që të favorizohej më mirë shpallja e Ungjillit". Një përvojë kishtare kjo nga e cila "Kisha, e thirrur sot të forcojë stilin e saj sinodal", duhet të nxjerrë mësim, ndër ato që duhen ruajtur "si trashëgimi shpirtërore" dhe në të cilat duhet gjetur "një shtysë për të rritur bashkësinë", thekson Papa Leoni XIV duke pritur sot paradite në audiencë, në Sallën e Konsistorit në Vatikan, komunitetin e Kolegjit Papnor Portugez të Romës.

Kur, për promovimin njerëzor dhe për lavdinë e Zotit, dëgjojmë njëri-tjetrin dhe respektojmë atë që Shpirti Shenjt ngjall në çdo besimtar, ne dallojmë me më shumë qartësi dhe besim shenjat e kohës, duke punuar të bashkuar në ndërtimin e Mbretërisë së Krishtit.

Të përjetojmë universalitetin e Kishës

Dhe duke marrë parasysh mikpritjen e ofruar nga Kolegji Papnor Portugez për ata që vijnë në Romë për të studiuar në Universitetet papnore romake, Leoni XIV pranon se "thellimi i studimit të teologjisë ose të shkencave humane e sociale" çon në "stërvitjen gjithnjë e më shumë në artin e të dëgjuarit, kaq i rëndësishëm për unitetin" në Kishë. Më pas, duke kujtuar dy Jubiletë që lidhen me historinë e kolegjit Papnor Portugez - atë të vitit 1900, viti i themelimit, dhe atë aktual, në të cilin festohen 125 vjet – Papa Prevost thellon "dimensionin e universalitetit të Kishës dhe atë të mëshirës hyjnore". E para kuptohet më mirë duke vëzhguar, gjatë viteve të shenjta, "mbërritjen e shumë shtegtarëve", dhe mund të përjetohet gjithashtu edhe "duke bashkëndarë bukurinë" e "kulturave" e "duke dëshmuar pasurinë" e Kishave të origjinës "dhe të përvojës baritore" që secili sjell me vete. "Të jetosh gjithë këtë është një dhuratë e Zotit dhe mënyra më e mirë për ta falënderuar është të hysh, pa frikë, në vitalitetin e këtij shkëmbimi, duke kontribuar në polikrominë e unitetit dhe në polifoninë e bashkësisë", shpjegon Papa Leoni, duke shtuar, gjithashtu, se "vitet jubilare janë një rast i volitshëm për të fituar një ndërgjegje më intensive të dhuratës së mëshirës që buron nga Zemra e Krishtit".

Mëshira hyjnore

Sa i përket mëshirës hyjnore, Papa Leoni XIV ndalet te Zemra e Shenjtë e Jezusit, ndër të tjera e paraqitur në stemën e kolegjit portugez të Romës, të cilit "iu kushtuan studentët e parë", dhe nxit të mbështetemi gjithmonë "në Zemrën e Krishtit", të afrohemi "gjithnjë e më shumë me Të" dhe të mësojmë "prej Saj mëshirën". "Një Kolegj i kushtuar Zemrës së Krishtit është shkollë e mëshirës hyjnore, në të cilën studentët, duke imituar dishepullin e dashur, Gjonin apostull, dëgjojnë rrahjet e dashurisë së Krishtit Zot dhe kështu bëhen teologë të vërtetë", thotë Leoni, i cili i nxit të gjithë meshtarët të përkojnë me Zemrën e  Jezu Krishtit.

Një meshtar, cilido qoftë misioni që i është besuar, gjen gjithmonë në të një mundësi për t’i përngjarë Barit të Mirë: atij nuk i duhet vetëm një zemër mishi, një zemër njerëzore dhe e mençur, sepse meshtari ndjen nevojën të ketë një zemër si ajo e Jezusit, gjithmonë e bashkuar me Atin, e apasionuar pas Kishës dhe plot dhembshuri. Duke qëndruar në praninë e Zotit, pas ditësh të vështira pune, mund të gjeni në Të freskim dhe të "qepni" unitetin e jetës. Kërkojini, pra, gjithmonë një zemër të aftë të dojë Kishën si Ai, Jezusi.

Kolegjet papnore të jenë shtëpi mikpritëse

Papa, më pas, i fton meshtarët të paraqesin në lutjet e tyre para Zotit "ipeshkvijtë", "bashkësitë dioqezane" e gjithashtu edhe "besimtarët që do t'i shërbeni nesër në vendet tuaja", dhe të qëndrojnë pranë "Zotit Jezus në dëgjimin e Fjalës së Tij, në kremtimin e Sakramenteve, veçanërisht të Eukaristisë, në Adhurimin e të Shenjtueshmit Sakrament, në dallimin shpirtëror dhe në mirësinë vëllazërore". Përveç kësaj, Ati i Shenjtë i nxiti anëtarët e Kolegjit Papnor Portugez që qëndrojnë në Romë, ta bëjnë kolegjin ku janë të strehuar "një 'shtëpi', pra një ambient shtëpiak ku, duke u kthyer nga angazhimet tuaja akademike, të mund të ndiheni si në familje". Në këtë drejtim, Papa Leoni XIV kujton fjalimin e Palit VI në Kolegjin e Shën Pjetrit Apostull në Gianicolo, Romë, në të cilin Papa Montini sqaron se një kolegj "nuk është një hotel, ku hyjnë të huaj dhe nga ku dalin të huaj; nuk është një pension i thjeshtë, ku gjendet strehim për qëllime të tjera" por "diçka më intime dhe më personale", ku dëshirohet "të prodhohet një kolegialitet, pra një bashkësi, një miqësi, një shkrirje shpirtrash". Nga këtu nxitja e Leonit:

Ndërtoni një shtëpi kolegjiale, e cila të jetë edhe mikpritëse, siç duhet të jetë Kisha. Këtë e gjejmë të shkruar në historinë e Kolegjit, i cili ka marrë titullin "Shtëpia e Jetës", për shkak të mikpritjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky titull është njëkohësisht një trashëgimi dhe një përgjegjësi në ndërtimin tuaj të përditshëm të vëllazërisë. Për ta arritur atë, punoni së bashku me mbështetjen e Rektorit dhe të Etërve shpirtërorë, si dhe me praninë e çmuar të Motrave Françeskane të Zojës së Fitoreve.

Të lutemi për Kishën dhe për paqen

Pikërisht motrave rregulltare u drejtohet, më pas, Papa Leoni XIV, për t'i falënderuar për "kushtimin e tyre ndaj meshtarëve", për lutjen e siguruar dhe për "amësinë e tyre shpirtëror", e cila "edhe pse diskrete, nuk është e panjohur për Zotin". Së fundi, Leoni kërkon nga të gjithë të lusin, veçanërisht në këtë muaj tetor, Rruzares, dhe të kërkojnë "ndërmjetësimin e Zojës së Fatimes": "edhe për mua, për Kishën dhe për paqen".

20 tetor 2025, 13:17