Papa me të rinjtë e "Bel Espoir": “jo paragjykimeve e mllefeve, falja është thelbësore për paqen”
R.SH. – Vatikan
"Të punosh për paqen kërkon njëfarë pjekurie dhe altruizmi për t’i kuptuar nevojat e të tjerëve dhe më pas, për të bashkëpunuar në gjetjen e një zgjidhjeje, që u lejon të gjithëve të përparojnë". Papa e theksoi këtë sot pasdite në Marina di Ostia, qytet bregdetar pranë Romës, ku vizitoi anijen-shkollë për paqen "Med 25 - Bel Espoir".
Falja është thelbësore për arritjen e paqes
"Jezusi na mëson se falja është thelbësore për arritjen e paqes: në fakt, vetëm kur i braktisim paragjykimet, mllefet, ose pakënaqësitë dhe falemi për gabimet tona, mund të marrim fillimisht dhuratën e paqes dhe, pastaj, ta ndajmë atë me të tjerët", vërejti Leoni IV në përshëndetjen e tij në anglisht, gjatë takimit me të rinjtë, që vinin nga vende të ndryshme të Mesdheut, edhe nga Shqipëria.
Një objektiv i përbashkët, për t’u ndarë me të tjerët
"Ndërsa ktheheni në shtëpi, ju lutem", i nxiti Ati i Shenjtë, "kujtoni leksionet e mësuara dhe përdorini ato për të nxitur dialogun, vizionin për një objektiv të përbashkët, që mund ta ndani me njëri-tjetrin, si edhe gëzimin, që rrjedh nga takimi me njerëz të ndryshëm". Anija - shkollë për paqen, siç e kujtoi vetë Papa në fjalën e tij, "pas tetë muajsh lundrimi në Mesdhe, duke vizituar 30 porte dhe duke transportuar 200 të rinj", po i afrohet fundit të udhëtimit. Vërtet, nga 1 marsi e deri në fund të tetorit, reth 200 të rinj, të ndarë në 8 grupe nga 25 vetë, me anijen “Bel Espoir” – që në frëngjisht do të thotë “Shpresa e bukur” – po lundrojnë rreth e përqark Mesdheut, duke u alternuar e duke marrë pjesë në sesione formimi për paqen, në konferenca e në festivale rinie, në kuadrin e nismës MED25.
Nisma “MED 25 – Bel Espoir”
"Çdo muaj", shpjegoi Leoni XIV nismën, që Papa Françesku ia pati besuar dioqezës franceze të Marsejës, "bashkoi një grup unik të rinjsh, që përfaqësojnë fe, kultura dhe kombësi të ndryshme, duke u dhënë mundësinë për t'u lidhur me njëri-tjetrin, për të diskutuar tema të ndryshme dhe për të realizuar disa detyra në grup. Kjo lloj përvoje jep një vizion të mrekullueshëm të gëzimeve dhe sfidave në krijimin e marrëdhënieve me njerëz nga prejardhje të ndryshme, që, më pas, punojnë së bashku për një qëllim të përbashkët. Mund të ketë pasur çaste të vështira, por pikërisht ato momente na bëjnë më të pjekur e më të matur në kuptimin e vetvetes dhe të tjetrit”.
Bel Espoir edhe në Shqipëri
Papa dëgjoi dëshmi nga disa të rinj, që vinin nga vende e nga përvoja të ndryshme, të cilët vunë në dukje vështirësitë e realitetit të tyre, por edhe shpresën për paqen. I pranishëm në anijen Bel Espoir, edhe kryeipeshkvi metropolit i saj, kardinali Jean-Marc Noël Aveline, i cili e përshëndeti Atin e Shenjtë, në emër të të rinjve. Kujtojmë se nga 4 deri më 6 gusht, anija “Bel Espoir” me 25 të rinj nga Italia, Palestina, Libia, Siria, Mali i Zi, Greqia, Egjipti dhe vende të tjera mesdhetare, edhe nga Shqipëria, në kuadrin e nismës MED25, u ndal në Durrës, për një sërë veprimtarish, që përfshinë edhe Tiranën.
Ostia e Shën Augustini
Në fillim të takimit me të rinjtë, në kafeterinë e anijes, ku Papa hëngri edhe disa ëmbëlsira, Leoni XIV foli në italisht, duke vënë në dukje lidhjen e tij me Ostien. "Erdha personalisht – tha ai - sepse Ostia është vërtet një port i rëndësishëm për historinë e botës, të Kishës, të Shën Augustinit dhe të Shën Monikës. Si augustinian, kam ardhur shpesh në këtë zonë, sepse Ostia ka qenë gjithmonë një port shumë i rëndësishëm. Jashtëzakonisht i rëndësishëm sot, sepse ju jeni këtu". Papa iu referua faktit se Shën Agustini e Shën Monika janë lutur në njërën nga bazilikat e Osties së lashtë e pikërisht këtu, ai përvijoi udhën e tij të jetës së krishterë, pas pagëzimit e para se të kthehej në Afrikë. Këtë përvojë e tregon ai vetë në “Rrëfimet” e tij. Shën Augustini është edhe Pajtor qiellor i qytetit që nga viti 2004.
