Papa: të ndryshojmë të ardhmen e luftës me edukimin për një paqe të çarmatosur
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV takoi sot paradite në Vatikan mijëra studentë që marrin pjesë në Jubileun e Botës Edukative. E Leoni XIV nuk e fsheh gëzimin e tij mes studentëve që këto ditë po marrin pjesë në Jubileun e botës edukative, të mbledhur sot, më 30 tetor, në Sallën Pali VI, në Vatikan. Ati i Shenjtë hyn nga atrium, pasi ka përshëndetur ngrohtësisht të rinj të tjerë të mbledhur në oborrin petrianit para sallës Pali VI, dhe ndalon për t'u shtrënguar duart, për t'i bekuar, për të folur me disa prej tyre. Emocioni i adoleshentëve – 8.500 gjithsej, njofton Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, është i papërmbajtshëm dhe kur Papa Leoni XIV arrin në vendin e tij shpërthen një duartrokitje e madhe .
Takimi me të rinjtë e kthen Papën pas në kohë, në vitet kur ishte mësues. E kam pritur këtë moment me emocion të madh: prania juaj, në fakt, më kujton vitet kur jepja mësim matematikë për të rinj të gjallë si ju.
Fjalimi i Papës nis nga kujtimet e tij si student dhe më pas kujton Shën Pier Giorgio Frassati, dhe dy frazat e tij: "Të jetosh pa besim nuk është të jetosh, por të mbijetosh" dhe "Drejt lartësisë". Dhe Leoni XIV u thotë të rinjve: "Kini guximin të jetoni plotësinë e jetës. Mos u kënaqni me pamjet ose modat: një jetë e sheshuar mbi atë që kalon nuk na kënaq kurrë. Përkundrazi, secili të thotë në zemrën e tij: "Ëndërroj më shumë, o Zot, dua më shumë: më frymëzo Ti!". Kjo dëshirë është forca juaj dhe shpreh mirë angazhimin e të rinjve që projektojnë një shoqëri më të mirë, ndaj të cilës nuk pranojnë të mbeten spektatorë". Dhe lidhur me këtë "Sa bukur do të ishte nëse një ditë brezi juaj do të njihej si "brezi plus", i kujtuar për marshimin shtesë që do të dini t'i jepni Kishës dhe botës". Prandaj duhet të jeni protagonistë, "jeni thirrur të jeni truth-speakers e peace-makers (folës të së vërtetës dhe paqebërës), njerëz të fjalës dhe ndërtues të paqes".
Më pas Papa flet për shën John Henry Newman: "Ai thoshte se dija shumëfishohet kur bashkëndahet dhe se është në bisedën e mendjeve që ndizet flaka e së vërtetës. Kështu paqja e vërtetë lind kur shumë jetë, si yje, bashkohen dhe formojnë një dizajn". Ai flet për yjet si udhërrëfyes që janë "prindërit, mësuesit, meshtarët, miqtë, busulla për të mos humbur në ngjarjet e lumtura dhe të trishta të jetës". Por jo yje të izoluar, më tepër yjësi dhe edukimi është si "një teleskop që ju mundëson të shihni përtej, të zbuloni atë që vetëm nuk do ta shihnit. Mos u ndalni, pra, të shikoni smartfonin dhe fragmentet e tij shumë të shpejta të imazheve: shikoni drejt Qiellit, lart".
Por duhet heshtje e lutje edhe atëherë kur "gjendemi para shqetësimeve, dhunës, bullizmit, mbizotërimit, madje edhe para të rinjve që izolohen dhe nuk duan më të lidhen me të tjerët. Mendoj se pas këtyre vuajtjeve qëndron edhe zbrazëtia e krijuar nga një shoqëri e paaftë për të edukuar përmasën shpirtërore, jo vetëm teknike, sociale dhe morale të personit njerëzor".
Papa Leoni XIV kujton më vazhdim jetën e Shën Augustinit dhe flet për edukimin dixhital: "Mos lejoni që algoritmi të shkruajë historinë tuaj! Jini ju autorët: përdorni me mençuri teknologjinë, por mos lejoni që teknologjia t'ju përdorë ju". Dhe për Inteligjencën Artificiale Ati i Shenjtë Prevost thotë: "nuk mjafton të jesh 'inteligjent' në realitetin virtual, por duhet të jesh njerëzor me të tjerët, duke kultivuar një inteligjencë emocionale, shpirtërore, sociale, ekologjike". Shembulli është ai i "Shën Karlo Akutis. Një djalë që nuk u bë skllav i rrjetit të internetit, por e përdori rrjetin me aftësi e për të mirë. Shën Karlo bashkoi fenë e tij të bukur me pasionin për informatikën, duke krijuar një faqe interneti mbi mrekullitë eukaristike, dhe duke e bërë kështu Internetin një mjet për të ungjillëzuar".
Papa Leoni XIV flet për paqen. "E shihni mirë se sa e ardhmja jonë kërcënohet nga lufta dhe urrejtja që ndajnë popujt. A mund të ndryshohet kjo e ardhme? Sigurisht! Po si? Me një edukim për paqen të çarmatosur dhe çarmatosëse. Nuk mjafton, në fakt, të bësh të heshtin armët: duhet të çarmatosën zemrat, duke hequr dorë nga çdo dhunë dhe vulgaritet. Në këtë mënyrë, një edukim çarmatosës dhe i çarmatosur krijon barazi dhe rritje për të gjithë, duke njohur dinjitetin e barabartë të çdo djali dhe vajze, pa i ndarë kurrë të rinjtë mes pak të privilegjuarve që kanë akses në shkolla shumë të shtrenjta dhe shumë të tjerëve që nuk kanë akses në edukim". Dhe Papa përfundon duke i porositur të rinjtë: "vështrimi juaj të mos jetë drejtuar nga yjet që bien, të cilave u besohen dëshirat e brishta. Shikoni edhe më lart, drejt Jezu Krishtit, «dielli i drejtësisë» që do t'ju udhëheqë gjithmonë në shtigjet e jetës".
