Papa: Zoti nuk vonon kurrë, kohët e Tij janë të përsosura. Të mësojmë të kemi besim
R.SH. – Vatikan
"Zoti nuk vonon kurrë, jemi ne ata që duhet të mësojmë të kemi besim, edhe nëse kjo kërkon durim dhe qëndresë. Koha e Zotit është gjithmonë e përsosur". Ky është mesazhi i shpresës përballë vështirësive të jetës që Papa ofron në homelinë e shqiptuar pasdite, më 6 tetor, në Domus Australia, në Romë, gjatë lutjeve të para mbrëmësore të festës së Virgjërës së Lume Mari të Rruzares, e cila festohet më 7 tetor dhe është pajtorja qiellore e shtëpisë rregulltare Domus Australia në Romë. Papa mbërriti në Kishën e Zojës Rruzares dhe Shën Pjetrit Chanel, pak para orës 17.45, dhe hyri në Kishë i shoqëruar nga kënga Tu es Petrus, e kënduar nga kori londinez "The Gradualia Consort". Në kremtimin e lutjeve të para mbrëmësore të kryesuara nga Papa morën pjesë shtegtarë, studentë dhe familje, kryesisht anglishtfolës dhe shumë anëtarë të komunitetit australian të Romës, si dhe kardinajtë Eijk, Burke, O’Brien, së bashku me disa përfaqësues diplomatikë pranë Selisë së Shenjtë.
Papa Leoni XIV posa mbërrini në Kishë u ndal për disa minuta në lutje para altarit, ndërsa kori vazhdoi të këndonte këngë në latinisht. Pastaj Leoni XIV e bekoi me ujë të shenjtë një kopje të fugures së Zojës Rruzare të Pompeit, dhuruar nga fundi i viteve 1800 Etërve maristë – pronarët e qendrës deri në blerjen nga dioqezat australiane në vitet 2000 – nga i Lumi Bartolo Longo, i cili do të kanonizohet më 19 tetor të ardhshëm.
"Shpresa ime është që kjo fugure e Zojës Rrutare" të frymëzojë "një devocion gjithnjë e më të madh" ndaj Virgjërës Mari "te banorët e Domus Australia, shtegtarët vizitorë dhe anëtarët e komunitetit lokal", theksoi Ati i Shenjtë Prevost gjatë homelisë së tij. Piktura, vaj në kanavacë, qe restauruar pak ditë para zgjedhjes së Leonit XIV, më 8 maj 2025.
Shpresa e Marisë
Dhe pikërisht Virgjërës Mari dhe fesë së saj i kushtoi Papa reflektimin e tij gjatë predikimit. Duke kujtuar temën e shpresës mbi të cilën përqendrohet ky Vit i Shenjtë Jubilar, Leoni XIV theksoi se "Maria e mishëroi këtë virtyt të shpresës përmes besimit të saj në faktin se Zoti do t'i mbante premtimet e Tij". Virgjëra Mari "nuk e dinte saktësisht se si dhe kur Zoti do ta shpëtonte popullin e Tij, por jetonte duke iu dorëzuar vullnetit të Zotit, duke besuar se Ai do të shpëtonte popullin e Tij sipas planit të Tij", shpjegoi Ati i Shenjtë e në vazhdim të homelisë inkurajoi të pranishmit të shohin te Nënë e Zotit një model, sepse me "këtë shpresë" ajo pati "forcën dhe guximin për t'ia kushtuar vullnetarisht jetën e saj Ungjillit dhe për t'iu dorëzuar plotësisht vullnetit të Hyjit". Në fakt, nënvizoi Papa Leoni, "koha e Zotit është gjithmonë e përsosur" dhe Ai "vjen gjithmonë për të na shpëtuar e çliruar", edhe pse shumë herë, në dobësinë tonë njerëzore, është e vështirë të besosh. "Jemi thirrur të bashkëpunojmë me Të duke jetuar një jetë hiri si bijtë dhe bijat e Tij, duke dhënë kontributin tonë në planin e shpëtimit", nxiti Leoni XIV. "Kjo është e vërtetë edhe nëse nuk e dimë se çfarë na pret në të ardhmen" por, "si Maria, mund të jemi gjithmonë të sigurt dhe mirënjohës për veprën e Tij të shpëtimit".
Të thuash një "po" si ai i Marisë
"Plani i Zotit" u përmbush "në misionin e Jezu Krishtit", shtoi Papa në homeli. Ai "nuk erdhi thjesht për të na shpenguar nga skllavëria e mëkatit, por për t’i çliruar zemrat tona në mënyrë që të mund t'i thoshim 'po' Atij, siç bëri Nënë jonë e Lume". "Shpesh është thënë", vazhdoi Papa, "se Mishërimi i Krishtit ndodhi më parë në zemrën e Marisë, sesa në kraharorin e saj. Kjo nënvizon besnikërinë e saj të përditshme ndaj Zotit".
Të sjellësh fryte që zgjasin në kohë
Nga këtu, inkurajimi për besimtarët që të kujtojnë se përmes Pagëzimit "jemi lindur nën ligjin e hirit si bijë të Zotit" dhe se "qëllimi i vullnetit të Tij është të na çojë në jetën e përjetshme". Në këtë drejtim, Papa Leoni citoi Shën Augustinin, i cili shkroi se "Zoti na krijoi pa ne, por nuk do të na shpëtojë pa ne". Së fundi, duke ftuar besimtarët të këndojnë himnin e ‘Madhërimit’ në fund të lutjeve Mbrëmësore duke reflektuar se si Maria "gëzohej në Zotin, Shpëtimtarin e saj, sepse shihte hiret që i ishin dhënë dhe se si Zoti kishte qenë gjithmonë besnik ndaj Abrahamit dhe pasardhësve të tij", Papa shprehu urimin që ata që e nderojnë Zojën Rruzare, të mund të ndihen "të forcuar nga Shpirti Shenjt" në shërbimin e tyre "ndaj Zotit e Kishës së Tij", dhe rrjedhimisht të sjellin "shumë fryte, fryte që do të zgjasin në kohë".
Pas rreth një ore, Papa doli nga Kisha dhe, nga shkallët e hyrjes, përshëndeti besimtarët e mbledhur jashtë. Më pas hipi në makinë për t'u nisur drejt Castel Gandolfo, ku do të kalojë ditën e nesërme, siç ka bërë në javët e fundit. Pak më vonë, megjithatë, zbriti për të ndërruar makinën pasi e para dukej se nuk ndizej. Leoni shfrytëzoi rastin për t'u kthyer, i buzëqeshur, përsëri drejt turmës së besimtarëve për t’i përshëndetur edhe një herë.
