2025.10.27 Celebrazione Eucaristica con gli Studenti delle Università Pontificie

'Harta të reja shprese' për edukimin, në Letrën Apostolike të Leonit XIV

Teksti i nënshkruar mbrëmë në Bazilikën e Shën Pjetrit u publikua në 60-vjetorin e Deklaratës konciliare “Gravissimum Educationis”. Leoni XIV flet për arsimin dhe edukimin si për një "detyrë dashurie", "një nga shprehjet më të larta të bamirësisë së krishterë". Papa bën thirrje për vendosjen e njeriut në qendër, kundër "formimit funksional" të tij. Edukimi katolik duhet të jetë "koral" dhe "njerëzor", i aftë të sjellë paqe dhe "përgjegjësi ekologjike"

R.SH. – Vatikan

"Na duhet një edukim, që përfshin mendjen, zemrën dhe duart; zakone të reja, stile komunitare, praktika virtuoze".

Dje pasdite, në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Leoni XIV, në meshën me studentët dhe pedagogët e Universiteteve Papnore, nënshkroi Letrën Apostolike "Të përvijohen harta të reja të shpresës". Letra u publikua sot, 28 tetor, në 60-vjetorin e Deklaratës konciliare “Gravissimum Educationis”. Dokumenti i Koncilit II të Vatikanit e sheh arsimimin e edukimin si "të drejtë të patjetërsueshme" të çdo njeriu, në gjendje të sigurojë "bashkëjetesën vëllazërore me popujt e tjerë, me qëllim garantimin e unitetit dhe të paqes së vërtetë mbi tokë". Në Letër, Ati i Shenjtë thekson se ky dokument është aktual edhe sot, pavarësisht nga "ndryshimet e shpejta" në botë.

Edukimi nuk është veprimtari anësore për Kishën

Duke u nisur nga “Gravissimum educationis”, që “i kujtoi Kishës se edukimi nuk është një veprimtari anësore, por formon vetë strukturën e ungjillëzimit", Papa riafirmon vlerën e edukimit si "detyrë dashurie". Vërtet, pikërisht edukimi i ka dhënë fill një "shumice veprash dhe karizmash". Në parathënie, duke përmendur Nxitjen Apostolike “Dilexi te”, Papa thekson se para "miliona fëmijësh", që nuk mund të shkojnë as në shkollën fillore e para "emergjencës edukative", shkaktuar nga "luftërat", "migrimi" dhe "pabarazitë", edukimi përfaqëson një "formë shprese" për të cilën bota ka nevojë. Edukimi "është një nga shprehjet më të larta të bamirësisë së krishterë", thekson ai në letër.

"Historia dinamike" e edukimit katolik

Më pas, Ati i Shenjtë përshkon "historinë dinamike" të edukimit katolik, i cili është "historia e Shpirtit Shenjt në veprim", duke filluar që nga shekujt e parë të Krishterimit, kur merrte formën e "shëmbëlltyrave dhe apoftegmave (fjali të rëndësishme, thënie të shkurtra, që përcjellin një të vërtetë të thellë)". E, nga Shën Augustini, i cili quante "mësues të vërtetë" atë, që "zgjon dëshirën për të vërtetën, edukon lirinë për të interpretuar shenjat e kohës dhe për të dëgjuar zërin e brendshëm". Pastaj, erdhi monakizmi, me "punën e tij të heshtur në shërbim të kulturës", deri në universitetet e para të ditëve tona. Leoni XIV kujton, ndër të tjera, përvojën edukative të Shën Jozef Kalasancit në shërbim të më të varfërve, atë të Shën Gjon Pagëzuesit de La Salle dhe të Shën Gjon Boskos. Por edhe të shumë "grave të guximshme", si Josephine Bakhita, Maria Montessori, Katharine Drexel dhe Francesca Cabrini, të cilat "hapën dyert për vajzat, migrantët dhe të fundmit".

Karakteristikat e edukimit të krishterë

Më tej, Papa thekson disa karakteristika të edukimit të krishterë. Ai është "vepër korale", që përfshin gjithë bashkësinë edukative. Por është edhe një "konstelacion", domethënë një "rrjet i gjallë dhe plural", që përfshin "shkolla famullitare dhe kolegje, universitete dhe institute të larta, qendra formimi", si edhe institucione të tjera. Ashtu siç bënte paraardhësi i tij, Françesku, Papa u tërheq vëmendjen institucioneve edukative katolike që të mos mbeten në kënetën e “është bërë gjithmonë kështu”, duke e bërë ujin e dijes “të rrjedhë, të ushqejë, të ujitë" gjithçka.

"Universitetet dhe shkollat ​​katolike janë vende ku pyetjet nuk heshtohen dhe dyshimi nuk ndalohet, por shoqërohet – shkruan Leoni XIV. – Atje, zemra dialogon me zemrën dhe metoda është ajo e dëgjimit, që e sheh tjetrin si pasuri, jo si kërcënim", shton ai. Letra "Të përvijojmë harta të reja të shpresës" thekson se dija duhet të jetë "aq intelektualisht e përgjegjshme dhe rigoroze, sa thellësisht njerëzore". E, ashtu siç nënvizon “Gravissimum Educationis”, Ati i Shenjtë përsërit se familja është "shkolla e parë e humanizmit".

Formimi i krishterë është i tërësishëm

“Formimi i krishterë e përfshin tërësisht njeriun”, nënvizon Papa Leoni XIV, që kritikon rastet kur edukimi kuptohet si një lloj “stërvitjeje funksionale, ose si mjet ekonomik”, i cili e redukton personin në një “profil aftësish” a në “algoritëm të parashikueshëm”. Njeriu, vë në dukje Ati i Shenjtë, është “fytyrë, histori, thirrje”. Edukimi nuk matet vetëm përmes efikasitetit, vëren më tej Papa, ai matet edhe me “dinjitetin, drejtësinë, me aftësinë për t’i shërbyer së mirës së përbashkët”.

Të vendosësh njeriun në qendër do të thotë "të edukosh me vizionin afatgjatë të Abrahamit", shton ai, në mënyrë që të "zbulohet kuptimi i jetës, dinjiteti i patjetërsueshëm dhe përgjegjësia ndaj të tjerëve". Në Letrën apostolike të publikuar sot, Papa amerikan dhe misionar në Peru përmend edhe dioqezën e tij "të dashur" të Çiklajos. "Edukimi nuk mund të improvizohet", shkruan ai, duke kujtuar fjalët, që pati thënë në Universitetin Katolik të San Toribio de Mogrovejo: "Njeriu nuk lind profesionist; çdo udhë universitare ndërtohet hap pas hapi, libër pas libri, vit pas viti, sakrificë pas sakrifice". "Shkolla katolike – shton ai - është ambient në të cilin ndërthuren feja, kultura dhe jeta".

Stil edukativ, që nxit respektin për Krijimin e Zotit dhe për paqen

Më pas, Ati i Shenjtë nuk harron të promovojë një stil edukativ, që nxit respektin për Krijimin e Zotit, për shtëpinë tonë të përbashkët. "Harrimi i humanizmit tonë të përbashkët ka sjellë përçarje e dhunë; dhe kur toka vuan, të varfrit vuajnë edhe më shumë. Edukimi katolik nuk mund të heshtë", pohon Papa. "Përgjegjësia ekologjike nuk kufizohet vetëm me statistikat teknike".

E nga edukimi vjen edhe paqja, e cila “nuk është mungesë konflikti: është një forcë e butë, që refuzon dhunën. Edukimi për paqen ‘e çarmatosur dhe çarmatosëse’ na mëson të hedhim poshtë armët e fjalëve agresive dhe të vështrimit gjykues, të mësojmë gjuhën e mëshirës dhe të drejtësisë së pajtuar”, shkruan Papa.

Sfidat dixhitale dhe tri "përparësitë"

Së fundi, Leoni XIV kujton edhe një herë "epokën e besimit" të përuruar nga Deklarata konciliare “Gravissimum Educationis”. Besim, që sot përballet me sfidat dixhitale. "Teknologjitë duhet t'i shërbejnë njeriut, jo ta zëvendësojnë atë", nënvizon Ati i Shenjtë. Për të banuar në hapësirat e reja duhet "krijimtari baritore". E në këtë drejtim, udhëtimi vazhdon, i shoqëruar nga Pakti Global mbi Edukimin i Papës Françesku. "U kërkoj të gjitha realiteteve edukative të përurojnë një stinë, që u flet zemrave të brezave të rinj, duke pajtuar njohuritë me kuptimin, kompetencën me përgjegjësinë, fenë me jetën": kjo, thirrja e Papës Leoni XIV. Aksion, që duhet të udhëhiqet nga tri "përparësi": jeta e brendshme - "të rinjtë kërkojnë thellësi" - dixhitalja njerëzore - "njeriu para algoritmit" - dhe paqja e çarmatosur e çarmatosëse - "të edukojmë përdorimin e një gjuhe jo të dhunshme, pajtimin, urat e jo muret".

28 tetor 2025, 12:38