Tek Papa, për ta treguar luftën kundër urisë me "bukë për njerëzit e rrugës"
R.SH. / Vatikan
"Jam këtu për t'i kërkuar Papës ta bekojë punën tonë për të varfrit e São Paulo-s, sepse kemi shumë nevojë për këtë. Dhe nesër do të sjell shumë histori të urisë dhe vështirësive, që i shoh çdo ditë brenda mureve të FAO-s", në të njëjtën ditë që Leoni XIV vizitoi edhe selinë e Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të OKB-së (FAO-n)”. Kështu e përmblodhi Ricardo Frugoli arsyen e pranisë së tij në audiencën e sotme të përgjithshme të këtij mëngjesi. I foli Papës edhe për "Pão do Povo da Rua" (Bukë për Njerëzit e Rrugës), nismë që e krijoi pas pandemisë e që synon ta zvogëlojë urinë në rrugët e São Paulo-s.
Në megalopolin brazilian, São Paulo, me pesëdhjetë mijë të pastrehë, ajo kërkon "të ofrojë një mundësi për ta shndërruar jetën përmes punës, duke u mësuar profesionin e pjekjes dhe të përgatitjes së ëmbëlsirave njerëzve në situata të vështira sociale", shpjegon Frugoli, i cili u vlerësua me titullin "Hero i Ushqimit" nga FAO, në vitin 2024.
Të luftojmë kundër urisë
"Sot", vazhdon ai, "ne japim bursa studimi për formimin, strehim, ushqim, ndihmë psikologjike, psikiatrike e ligjore, duke synuar kështu riintegrimin në shoqëri dhe tregun e punës, që këta bukëpjekës dhe pastiçerë të rinj të jenë në gjendje për të përgatitur ushqim për njerëz të tjerë në nevojë. Prodhojmë mesatarisht edhe 2,200 bukë e 1,000 ëmbëlsira në ditë, të shpërndara për të pastrehët në qendër të São Paulo-s". Prodhimi vjetor arrin në më se 1 milion njësi. "E gjithë kjo shkon për të luftuar urinë në rrugë dhe për të promovuar mikpritjen si një mjet për veprim social", përfundon Frugoli.
Në pritje të Shenjtorëve të rinj
Kujtojmë edhe se nga Amerika Latine, konkretisht Venezuela, gati dy mijë besimtarë po mbërrijnë këto ditë në Romë për kanonizimin - planifikuar për të dielën e ardhshme - ndër të tjerë, të Lumit José Gregorio Hernández Cisneros dhe Nënës Carmen Rendiles Martínez - dy shenjtorët e parë, lindur në vend. Kardinali Baltazar Enrique Porras Cardozo, Kryeipeshkëv nderi i Karakasit, i cili shoqëroi sot për audiencën një delegacion ipeshkëvijsh, meshtarësh, motrash rregulltare dhe besimtarësh venezuelianë, theksoi "rëndësinë historike për Kishën dhe rëndësinë globale të shembullit të këtyre të dyve, që duhet mbajtur mend përgjithmonë, veçanërisht në fushat e kujdesit shëndetësor dhe arsimit".
Dhuratat e librave
Gjithnjë nga Amerika e nga Meksika, erdhi Atë Horacio Hernández De La Torre, kreu i kujdesit baritor të turizmit brenda Këshillit Ipeshkvnor të Amerikës Latine dhe koordinator. Ai i dhuroi Papës kopjen e parë të Udhëzuesit Baritor për Amerikën Latine dhe Karaibet. Ndërsa gazetari amerikan Christopher White i dhuroi Atit Shenjt Prevost një kopje të librit, titulluar “Papa Leoni XIV: brenda Konklavit dhe Agimi i një Papnie të Re”, duke kërkuar gjithashtu një kushtim që kopja të mbahej në shtëpi. Jezuiti Atë Thomas Merkel, kryetar i Fondacionit të Universitetit Gregorian, duke udhëhequr një delegacion donatorësh, i dhuroi Papës Medaljen e Shën Injacit.
Cirku në Shesh
Për herë të parë në papninë e Leonit XIV, gjatë audiencës së djeshme të përgjithshme u shfaq edhe një shfaqje cirku. Të ardhur nga pjesë të ndryshme të botës, artistët janë ndër pjesëmarrësit në edicionin e 26-të të Festivalit Ndërkombëtar të Cirkut të Italisë, që po zhvillohet në Latina. Një ditë pas Jubileut të Përshpirtërisë Mariane, Papa bekoi dy shtatore kushtuar Virgjërës Mari. Vijnë përkatësisht nga famullitë e Santa Maria delle Grazie në Maiori, në Bregun e Amalfit dhe nga Maria SS.ma Assunta në Canosa të Puglia-s.
