Leoni XIV: agronomëve dhe pylltarëve, "kultivimi tokës me respekt, kontribuon në paqen mes njerëzve"
R.SH. / Vatikan
"Toka nuk është një pronë, por një dhuratë. Ajo na paraprin dhe do të na merret. Është nënë që ushqen, jo lëndë për t'u shfrytëzuar. Kush e kultivon tokën me respekt dhe mençuri merr pjesë në veprën krijuese të Zotit dhe kontribuon në paqen mes njerëzve". Kështu pohoi Papa Leoni XIV duke pritur në audiencë private një delegacion të Këshillit Italian të Agronomëve dhe Pylltarëve, të udhëhequr nga presidenti Mauro Uniformi, në pragun e hapjes së Kongresit të XIX Kombëtar Italian me temë "Rrënjët në të ardhmen".
Në fjalën e tij – thuhet në një komunikatë të organizatës – Ati i Shenjtë Prevost bëri një thirrje të fortë për shpresë, duke i ftuar profesionistët e bujqësisë dhe pylltarisë ta konsiderojnë misionin e tyre si “një formë konkrete bamirësie ndaj nënës sonë Tokë dhe ndaj brezave që do të vijnë”. Papa Leoni XIV shprehu mirënjohjen për punën e heshtur dhe kompetente të atyre që mbrojnë tokat, ujërat, pyjet, duke kujtuar se kriza ekologjike “është gjithashtu krizë shpirtërore” dhe se kujdesi për Krijimin lind nga “një zemër e pajtuar me Zotin dhe me natyrën”.
Më pas Papa inkurajoi agronomët dhe pylltarët të bëhen “zejtarë të një aleance të re midis shkencës dhe ndërgjegjes”, duke vënë njohuritë teknike në shërbim të së mirës së përbashkët dhe jo të fitimit të menjëhershëm.
Delegacioni i Conaf i paraqiti Papës udhëzimet e Kongresit të XIX Kombëtar, i cili hapet pasdite në FAO, Romë, për të vazhduar më pas në Campidoglio, bashkinë e Romës, në datat 6 dhe 7 nëntor. Leoni XIV bekoi punimet e Kongresit, duke shpresuar që “kujdesi për tokën të bëhet edhe kujdes për shpirtin, dhe që çdo akt mbrojtjeje mjedisore të jetë një akt besimi në Zotin e jetës”.
Së fundi, Ati i Shenjtë ia besoi profesionistët e sektorit mbrojtjes së Shën Françeskut të Asizit, “i cili dinte të këndonte bukurinë e krijimit duke njohur në çdo krijesë një shenjë të dashurisë së Zotit”. Takimi në Vatikan përfundoi me angazhimin, nga ana e përfaqësuesve të kategorisë, për t’i mishëruar fjalët e Papës në veprime konkrete mbrojtjeje, edukimi dhe qëndrueshmërie, sepse – siç kujtoi Uniformi – “të ruash Tokën do të thotë të ruash njeriun”.
