Leoni XIV: kur mbron të varfrit, dëshmia e Kishës bëhet më e besueshme

Papa u drejtoi, në Vatikan, një përshëndetje të përzemërt përfaqësuesve të Caritas Internationalis, në shtegtimin e tyre jubilar dhe i nxiti të punojnë mbi "shtyllat" që mbështesin Kishën në botë e që janë paqja, drejtësia dhe e vërteta. I porositi edhe të frymëzohen nga dashuria që "na i hap sytë për të parë plagët e të tjerëve", duke shtuar: "Më jep guxim pohimi se jeni gati të ecni me Pasardhësin e Pjetrit në shërbimin e çdo personi me dinjitet".

R.SH. / Vatikan

Paqja, drejtësia dhe e vërteta. Këto janë shtyllat konkrete, jo idealet abstrakte, që mbështesin punën e Kishës në botë dhe e informojnë punën e përditshme të Caritasit. Papa e kujtoi këtë sot paradite, 21 nëntor, në Sallën e Koncistorit në Pallatit Apostolik, në Vatikan, ku priti anëtarët e Këshillit Përfaqësues të Caritas Internationalis, në Vatikan për Jubileun, shoqëruar nga kreu i tyre, Kardinali Tarcisio Isao Kikuchi, Kryeipeshkëv i Tokios. Për ta, fjalët e Papës janë inkurajim në vazhdimin e  shërbimit për të mbrojtur dinjitetin e çdo njeriu, duke ecur "me Pasardhësin e Pjetrit".

Dashuria na i hap sytë për të parë plagët e të tjerëve

Duke kujtuar Nxitjen Apostolike Dilexi te, Leoni XIV kujtoi se dashuria e dhuruar nga Krishti "nuk është kurrë thesar privat, por gjithnjë mision i besuar në duart tona". Në këtë perspektivë, tregon rrugën që duhet të ndjekim si "artizanë të paqes".

Dashuria na shtyn të ecim përpara; dashuria na bën shërbëtorë; dashuria na hap sytë për të parë plagët e të tjerëve. Caritas Internationalis është prej kohësh shenjë e ndritshme e dashurisë amtare të Kishës, gjë që më inkurajon të di se ju jeni gati të ecni me Pasardhësin e Pjetrit në shërbim të çdo personi me dinjitet.

Shërbimi ndaj të varfërve e bën të besueshme dëshminë e Kishës

Uniteti është gjithnjë në zemër të Papës, i cili theksoi se: "Misioni i Kishës kryhet vetëm atëherë kur ecim së bashku si shokë udhe, duke e lejuar Shpirtin Shenjt t’i modelojë veprat tona të mëshirës" e duke ia besuar angazhimin bamirës Marisë, Nënës së të Varfërve, Papa Leoni i falënderoi të gjithë ata që punojnë në Caritas Internationalis e kërkoi për ta dhuratat e guximit, të këmbënguljes, të gëzimit. E, në përfundim, i porositi:

Kudo që e shoqëroni një familje të dëbuar, mbroni të drejtat e të varfërve ose ofroni një zemër që e dëgjon të harruarin, dëshmia e Kishës bëhet gjithnjë e më e besueshme. Në këtë frymë, ju inkurajoj të vazhdoni t’i shoqëroni Kishat vendase, duke forcuar formimin e prijësve laikë dhe duke ruajtur unitetin brenda organizatës suaj të larmishme.

21 nëntor 2025, 13:00