Leoni XIV, inteligjenca artificiale. Kujdes nga manipulimi i mundshëm për interes
R.SH – Vatikan
Rikujton pasojat e mundshme negative të përdorimit të Inteligjencës Artificiale Leoni XIV duke folur, në Sallën Klementine në Pallatin Apostolik në Vatikan, me pjesëmarrësit në Seminarin e "Etikës në menaxhimin e kompanive të sektorit shëndetësor". Ngjarja, drejtori i së cilës është rregulltari augostinian Alberto Bochatey, ipeshkëv ndihmës i La Plata, në Argjentinë, të cilin Papa e përshëndet në fillim të fjalimit të tij, mbajtur në spanjisht, promovohet nga Akademia Papnore për Jetën dhe zhvillohet nga data 17 e deri më 21 nëntor, në Romë, në Institutin Papnor Patristik Augustinianum, për të nxitur dialogun mbi etikën në shëndetësi, mbi inteligjencën artificiale dhe mbi inovacionet teknologjike dhe dixhitale.
Rreziku i paragjykimeve
Ashtu si në mesazhin e dërguar në kongresin ndërkombëtar "Inteligjenca Artificiale dhe Mjekësia: sfida e dinjitetit njerëzor", organizuar nga e njëjta Akademi Papnore për Jetën, Papa Leoni XIV thekson rreziqet e progresit teknologjik dhe mundësinë që "perceptimi" i realitetit social dhe i të sëmurit të mund të shtrembërohet, "duke krijuar një situatë padrejtësie në menaxhimin e burimeve të nevojshme për administrimin e duhur të shëndetit".
Nëse si individë dhe si shoqëri jemi të thirrur të mbrojmë në mënyrë aktive dinjitetin e padiskutueshëm të çdo njeriu, në të gjitha fazat dhe aspektet e ekzistencës së saj, fatkeqësisht, kjo nuk korrespondon gjithmonë me realitetin. Instrumente aq efikase si inteligjenca artificiale mund të manipulohen, trajnohen, orientohen në mënyrë që, për arsye oportuniteti ose interesi, qofshin ekonomike, politike apo të një natyre tjetër, të gjenerohet një paragjykim i tillë, ndonjëherë i padukshëm, në informacion, në menaxhim dhe në mënyrën se si prezantohemi ose i afrohemi tjetrit.
Ndryshimi i këndvështrimit
Ekziston rreziku që "njerëzit" të klasifikohen "në bazë të trajtimeve të nevojshme dhe kostos së tyre, natyrës së sëmundjeve të tyre", tërheq vëmendjen Papa, duke frikësuar se individët mund të shndërrohen "në objekte, në të dhëna, në statistika".
Mënyra për ta shmangur këtë mendoj se konsiston në ndryshimin e këndvështrimit tonë, në perceptimin e vlerës së të mirës me një vizion të gjerë, në shikimin, nëse më lejoni, siç shikon Zoti, për të mos u përqendruar te fitimi i menjëhershëm, por te ajo që do të jetë më e mira për të gjithë, duke ditur të jemi të durueshëm, bujarë dhe solidarë, duke krijuar lidhje dhe duke ndërtuar ura, për të punuar në rrjet, për të optimizuar burimet, në mënyrë që të gjithë të mund të ndihen protagonistë dhe përfitues të punës së përbashkët.
Njohja e dinjitetit të njeriut
Leoni XIV thekson se është Zoti ai që na mëson të mos e ndajmë këtë vështrim "nga marrëdhënia njerëzore, nga përkëdhelja, nga njohja e personit konkret, në brishtësinë dhe dinjitetin e tij". Bëhet fjalë për "një vizion të thellë", "që arrin në zemrën e tjetrit dhe zgjeron tonën", përfundon Papa Prevost, i cili e konsideron këtë mënyrë globale të shikimit të gjërave "antidotën më të mirë" në mënyrë që "strukturat menaxheriale të mos humbasin nga sytë" të mirën që duhet ruajtur.
