Leoni XIV ipeshkvijve të Italisë: me stilin sinodal, profetë të paqes
R.SH.– Vatikan
Udhëzime, ide, sugjerime, vizion i një Kishe të gjallë që jeton në mesin e njerëzve për të zhvilluar "një kulturë takimi", me stilin e pastër sinodal, pavarësisht se kjo është "një kohë e shënuar nga ndarjet" në të cilën megjithatë duhet të jemi "artizanë të miqësisë dhe vëllazërisë".
Në fjalimin e Papa Leonit, që shënon përfundimin e punimeve të Asamblesë së 81-të të Përgjithshme të Konferencës Episkopale të Kishës katolike të Italisë (CEI-t), ka një perspektivë, ka një udhë kryesore që Kisha italiane, primati i së cilës është vetë Papa, është e thirrur të ndjekë.
Papa mbërrin në Bazilikën e Santa Maria degli Angeli, në Asizi, rreth orës 9.30, pasi bëri homazhe te varri i Shën Françeskut në kriptën e Bazilikës së poshtme, mbi të cilin është gdhendur një varg i poetit të madh Dante Alighieri: "Nuk është veçse një rreze e dritës së tij", dritës së Krishtit Zot. Një homazh ky i Leonit XIV që vjen në pragun e kremtimeve të 800-vjetorit të vdekjes së shën Françeskut me ekspozimin e eshtrave të tij.
Të nisemi nga akti i besimit
"Jam i lumtur – thotë Papa Leoni XIV në fillim të fjalimit të tij para ipeshkvijve të Italisë – për këtë ndalesë time të parë, sado e shkurtër, në Asizi, vend thellësisht domethënës për mesazhin e fesë, vëllazërisë dhe paqes që transmeton, për të cilin bota ka nevojë urgjente". Një paqe që lind nga një zemër e shenjtë nga dashuria e Jezusit dhe që duhet vënë gjithmonë në qendër për t'u kthyer te kerygma (mesazhi i krishterë), "të nisemi nga akti i fesë që na bën të njohim në Krishtin Shpëtimtarin dhe që shpaloset në të gjitha fushat e jetës së përditshme".
Profetë të paqes
Papa Leoni XIV kujton se kjo është koha e ndarjeve si "në kontekstet kombëtare dhe ndërkombëtare" ku shfaqet gjithnjë e më shumë një gjuhë e shënuar nga "armiqësia dhe dhuna", ku lihet pas ai që është më i brishtë, ku liria rrezikohet nga "gjithëpushtetshmëria teknologjike" dhe ku dominon vetmia. Fjala e Zotit dhe Shpirti Shenjt na nxisin ende sot të jemi artizanë të miqësisë, të vëllazërisë, të marrëdhënieve autentike në komunitetet tona, ku, pa hezitime dhe frikë, duhet të dëgjojmë dhe të harmonizojmë tensionet, duke zhvilluar një kulturë takimi dhe duke u bërë, kështu, profeci paqeje për botën.
Bashkimi i dioqezave
Papa kujton takimin që pati me ipeshkvijtë italianë me koordinatat e sugjeruara në audiencën e qershorit të kaluar me thekse të veçanta mbi shpalljen e Ungjillin, paqen, promovimin e dinjitetit njerëzor, kulturën e dialogut, vizionin antropologjik të krishterë. Tani është e nevojshme të hartohen linjat e veprimtarisë baritore nga ipeshkvijtë "në një frymë vërtet sinodale në Kishat dhe midis Kishave të vendit tonë". Duke i dhënë gjithnjë e më shumë formë një "Kishe kolegjiale", pra duke mos u kthyer pas në temën e bashkimit të dioqezave, duke bashkuar forcat dhe duke i bërë "identitetet tona fetare dhe kishtare më të hapura".
Dëshira e Papës është që ipeshkvijtë e Kishës katolike në Itali të sugjerojnë propozime për të ardhmen e dioqezave të vogla që kanë pak burime njerëzore për të vlerësuar se si të vazhdojnë dhe të ndërtojnë "komunitete të krishtera të hapura, mikpritëse dhe mirëpritëse, në të cilat marrëdhëniet shndërrohen në bashkëpërgjegjësi të ndërsjellë në favor të shpalljes së Ungjillit".
Konsultimi i popullit
Në stilin sinodal lexohet udhëzimi i Papës për të mirëpritur kërkesat e popullit të Zotit. Ati i Shenjtë Prevost fton të forcohet koordinimi midis Dikasterit të Vatikanit për Ipeshkvijtë dhe Nunciaturën Apostolike për të promovuar "një pjesëmarrje më të madhe të personave në konsultimin për emërimin e Ipeshkvijve të rinj, përveç dëgjimit të Ipeshkvijve Ordinarë në detyrë në Kishat lokale dhe të atyre që po përgatiten të përfundojnë shërbimin e tyre".
Të mësosh të largohesh
Leoni XIV nxit të luftohet inercia që ngadalëson ndryshimet, të "mësosh të largohesh", siç rekomandonte Papa Françesku, dhe prandaj – pohon Leoni XIV – "është mirë që të respektohet norma e moshës 75 vjeçare për përfundimin e shërbimit të Ipeshkvijve Ordinarë në dioqeza dhe, vetëm në rastin e Kardinajve, mund të vlerësohet një vazhdim i shërbimit, eventualisht për dy vjet të tjera".
Një humanizëm integral
Papa i kërkon Kishës në Itali të kujtojë udhën e përshkuar nga Koncili i Dytë i Vatikanit, karakterizuar nga Konferencat Kishtare Kombëtare. Kisha në Itali mund dhe duhet të vazhdojë të promovojë një humanizëm të gjithanshëm, që ndihmon dhe mbështet rrugëtimet ekzistenciale të individëve dhe shoqërisë; një ndjenjë humaniteti që lartëson vlerën e jetës dhe kujdesin ndaj çdo krijese, që ndërhyn profetikisht në debatin publik për të përhapur një kulturë të ligjshmërisë dhe solidaritetit.
Të jetosh në mediat dixhitale
Për sfidat e paraqitura nga mediat e reja, Papa Prevost sugjeron të mos kufizohemi në përdorimin e këtyre mjeteve, por "të edukojmë për të jetuar në botën dixhitale në mënyrë njerëzore, pa lejuar që e vërteta të humbasë pas shumëfishimit të lidhjeve, në mënyrë që rrjeti dixhital të mund të jetë vërtet një hapësirë lirie, përgjegjësie dhe vëllazërie".
Në krahun e të varfërve
"Të ecësh së bashku, të ecësh me të gjithë, do të thotë – thekson Papa – edhe të jesh një Kishë që jeton në mesin e njerëzve, një Kishë që mirëpret pyetjet, u lehtëson vuajtjet, bashkëndan shpresat".
Vazhdoni të qëndroni pranë familjeve, të rinjve, të moshuarve, atyre që jetojnë në vetmi. Vazhdoni të shpenzoheni në kujdesin ndaj të varfërve: komunitetet e krishtera të rrënjosura në mënyrë kapilare në territor, shumë operatorë baritorë dhe vullnetarë, Caritas-et dioqezane dhe famullitare vërtet bëjnë një punë të madhe në këtë drejtim dhe unë ju jam mirënjohës.
Mirëpritja dhe dëgjimi i viktimave të abuzimeve
Për temën e abuzimeve Papa rekomandon vëmendje ndaj më të vegjëlve dhe më të cenueshmëve, në mënyrë që të zhvillohet gjithnjë e më shumë një kulturë parandalimi.
Mirëpritja dhe dëgjimi i viktimave janë tipari autentik i një Kishe që, në konvertimin komunitar, di të njohë plagët dhe të angazhohet për t'i lehtësuar ato.
Zgjedhja e vëllazërisë
Duke përfunduar fjalimin e tij drejtuar Konferencës Ipeshkvore të Kishës katolike të Italisë, Papa Leoni XIV merr shkas nga stili sinodal i Shën Françeskut të Asizit dhe shokëve të tij, për të kujtuar se zgjedhja e vëllazërisë, që është zemra e karizmës françeskane, u frymëzua nga një fe e patrembur dhe e qëndrueshme. Nga këtu urimi për të ndjekur shembullin e pajtorit qiellor të Italisë, shën Françeskut, me zgjedhje e shtigje të frymëzuara nga "një fe autentike, për të qenë, si Kishë, shenjë dhe dëshmi e Mbretërisë së Zotit në botë".
