Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Leoni XIV: me Zotin, shpresa se "askush nuk do të humbasë"

Në ditën kushtuar Përkujtimit të besimtarëve të vdekur, Papa, gjatë kremtimit të Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, kujtoi se zëri i Jezusit "vjen nga e ardhmja" dhe "na çliron nga ndjenja e ligshtisë, që na rrezikon të heqim dorë nga jeta". E na fton ta çmojmë kujtesën si premtim të amshimit: kujtesa u rikthen "dinjitet të pafund", "atyre që historia duket se i ka shlyer nga faqja e dheut".

R.SH. / Vatikan

"Askush nuk do të humbasë": mesazh shprese, i lindur nga kumti i ringjalljes, nga besimi se Zoti nuk harron asnjë nga bijtë e tij të dashur. Të thirrur një nga një "me emër" nga zëri i Jezusit, zë që "vjen nga e ardhmja", na çliron nga ndjenja e ligshtisë "me të cilën rrezikojmë të heqim dorë nga jeta". Sot, e diel, 2 nëntor, në ditën kushtuar Kujtimit të të gjithë besimtarëve të vdekur, fjalët e Leonit XIV përhapen me siguri e thirrje për të pezulluar zhurmën e përditshme e për t’i kujtuar ata që nuk janë më fizikisht të pranishëm mbi këtë tokë. Nga dritarja e Pallatit Apostolik të Vatikanit, në katekizmin gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Leoni XIV iu drejtua besimtarëve të panumërt, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, duke uruar që "vizita në varreza, ku heshtja ndërpret poterën e padurueshme, mund të jetë për të gjithë ne ftesë për kujtim e pritje". Koha e pasigurt e thellon trishtimin në këtë ditë, kur secili prej nesh ka një të dashur të shuar, të cilin do të donte ta përqafonte përsëri, dikë për ta shtrënguar fort, si premtim amshimi!

Zëri i Jezusit vjen nga e ardhmja

Dhimbja e ndarjes, megjithatë, për një katolik është vetëm e përkohshme, pasi ka vetëdijën se do të rikthehet rishtas në jetë. "Unë pres ngjalljen e të vdekurve dhe jetën e pasosur ", kujton Papa fjalët e Besojmës. Dhe shton:

“Ta përkujtojmë, pra, të ardhmen. Nuk jemi të mbyllur në të kaluarën, në lot nostalgjie. As nuk jemi vulosur në të tashmen, si në varr. Le të na arrijë zëri i njohur i Jezusit, e t’i arrijë të gjithë, sepse është i vetmi që vjen nga e ardhmja”.

Një zë vjen nga koha ende për t’u realizuar: është ai i Jezusit i cili, nga siguria e ringjalljes "na thërret me emër, na përgatit një vend, na çliron nga ndjenja e pafuqisë, me të cilën rrezikojmë të heqim dorë nga jeta".

Askush të mos humbasë përgjithmonë

Një perspektivë, mposhtja e vdekjes, e cila në këto ditë të fillimit të nëntorit "ndriçon fatin e secilit prej nesh", vazhdoi Papa Leoni XIV, duke kujtuar atë që tha Jezusi në Ungjillin e Gjonit: "Ky është vullneti i atij i cili më dërgoi të mos humbas asnjë nga të gjithë ato që më dha, por që ta ringjall në ditën e fundit".

Thelbi i shqetësimeve të Jezu Krishtit Zot është i qartë: që askush të mos humbasë përgjithmonë, që çdo person të ketë vendin e tij ose të saj dhe të shndrisë në veçantinë e tij!

Çdo njeri është një botë e tërë

Ky është misteri i kremtuar dje, 1 nëntor, në Solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve, "bashkim dallimesh" që "zgjeron jetën e Zotit tek të gjitha bijat dhe bijtë të cilët kanë dëshiruar të jenë pjesë e saj", por edhe dëshira "e gdhendur në zemrën e çdo qenieje njerëzore", e cila thërret "njohje, vëmendje e gëzim".

Me përkujtimin e të gjithë besimtarëve të vdekur, misteri është "edhe më pranë".

Në të vërtetë, ne përjetojmë shqetësimin e Krishtit Zot për të mos humbur askënd nga brenda, sa herë që vdekja duket se na bën të humbasim përgjithmonë një zë, një fytyrë, një botë të tërë. Sepse çdo njeri është një botë e tërë.

Kujtesa rikthen dinjitetin

Kjo e sotmja, theksoi Papa Leoni, "është ditë që e sfidon kujtesën njerëzore, kaq të çmuar dhe kaq të brishtë". Pa kujtesën e jetës, vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit, vazhdoi ai, "thesari i pamasë i çdo jete bie në harresë". Megjithatë, në kujtesën e gjallë të Jezusit, edhe ata që askush nuk i kujton, madje edhe ata "që historia duket se i ka fshirë", shfaqen në "dinjitetin e tyre të pafund".

Edhe një herë, guri i flakur tutje bëhet gur themeli. "Kjo është shpallja e Pashkëve", arsyeja pse "të krishterët gjithmonë i kanë kujtuar të shuarit në çdo Eukaristi (Meshë), e deri më sot vijojnë të kërkojnë që të dashurit e tyre të përmenden në Lutjen Eukaristike". Nga kjo shpallje lind shpresa se askush nuk do të humbasë!

02 nëntor 2025, 16:06