Leoni XIV: rihapja e Bazilikës së Shën Benediktit në Norcia, shenjë e rilindje
R.SH. / Vatikan
Shenjë e prekshme e "rilindjes fetare" të thellë, që përqafon mbarë besimin e popullit të krishterë, duke nisur në rajonin e Umbrianit. Kështu e përshkroi Papa Leoni XIV rihapjen e Bazilikës së Shën Benediktit në Norcia, Itali, dëmtuar rëndë nga tërmeti i tetorit 2016, gati katër vjet pasi filluan punimet e rindërtimit. Në një mesazh të lexuar dje, më 31 tetor, nga Sekretari i Shtetit, Kardinal Pietro Parolin, gjatë Meshës që festoi edhe përurimin e Bazilikës, Papa Prevost u bashkua shpirtërisht në këtë ngjarje, duke ndarë "gëzimin e përbashkët" për kthimin në bashkësi të një ndërtese të shenjtë "kaq të dashur" për popullsinë vendase.
"Zemra që rreh e përshpirtëria benediktine"
Papa i falënderoi të gjithë ata, nga institucionet - deri te punëtorët e ndërtimit, që mbështetën rindërtimin dhe konsolidimin e Bazilikës së shën Benediktit, duke e quajtur veprën "thellësisht të ndjerë dhe të pritur nga shumë njerëz, jo vetëm në Umbria, por edhe në Itali dhe vende të tjera". Ky gëzim u përhap në të katër anët, pra, pasi ndërtesa - përveç vlerës së saj historike dhe artistike - përfaqëson "një zemër që rreh fort: atë të përshpirtërisë benediktine", edhe të një udhëtimi të ndërmarrë në vitet e fundit nga e gjithë bashkësia dioqezane.
"Shtëpia e Zotit ndërmjet shtëpive të njerëzve"
Një "mërgim" që zgjati nëntë vjet: kështu e përshkroi periudhën e rindërtimit Kryeipeshkvi Renato Boccardo i dioqezës Spoleto-Norcia, President i Konferencës Episkopale të Umbrias (CEU) gjatë predikimit të tij në kremtim. "Dyert e Bazilikës", theksoi prelati, "hapen sot e mirëpritën të gjithë ata që vijnë këtu për të marrë dritë dhe forcë për shtegtimin e jetës së krishterë". Shkëlqimi i ndërtesës, megjithatë, nuk mjafton për ta bërë atë "shtëpinë e Zotit ndërmjet shtëpive të njerëzve": ajo nuk mund ta injorojë gjallërinë e bashkësisë së saj, bukurinë "e një populli që ndërton vetveten" rreth Bazilikës, duke u përpjekur "për një shoqëri më mikpritëse e më të mëshirshme për të gjithë".
Shën Benedikti, dritë në një "kohë rrënimi"
Kryeipeshkvi Boccardo u përqendrua, më pas, tek figura e Shën Benediktit, Abat, mbrojtësit qiellor të Evropës, Shenjt i aftë - siç shkroi Shën Gregori i Madh – për të "shndritur përmes virtytit, në një kohë rrënimi", në jetën e një kontinenti asokohe të tronditur nga "pushtimet barbare, luftërat dinastike dhe shembjet e institucioneve".
Edhe sot, vërejti imzot Boccardo, Evropa ka "shenjat e plagëve ideologjike dhe morale që ia minuan shpirtin: avullimi progresiv i vetëdijes fetare, relativizmi që dobësoi kohezionin shoqëror, lufta që troket me dhunë në dyert e saj, gara e armatimeve, që devijon burimet nga zhvillimi i bazuar - në solidaritet, ringjallja e antisemitizmit, tundimi për të ngritur mure që ndajnë, në vend që të ndërtojnë ura që bashkojnë". Këto brishtësi - shtoi ai - shtrihen edhe në kontekstin politik, nga "qeveritë e paqëndrueshme, polarizimi ideologjik, rritja e populizmit dhe e nacionalizmit, si dhe humbja e besimit në institucionet demokratike".
"Kthimi tek Benedikti"
Në këtë skenë, "kthimi te shën Benedikti" nuk është nostalgjik, por profetik. Shenjti i Norcias dinte si të mblidhte vëllezër dhe motra të ndryshme "në bamirësi", duke krijuar një vëllazëri të themeluar jo mbi "marrëveshje formale ose ekuilibra të pasigurtë", por mbi "kthesën e brendshme, transformimin e zemrave". "Paqja e vërtetë", kujtoi prelati,"nuk nënshkruhet. Paqja jetohet".
Duke e thelluar përmasën e "solidaritetit benediktin", Kryeipeshkvi imzot Boccardo theksoi se rihapja e Bazilikës të sjell në mendje nevojën për të njohur "një të mirë të përbashkët" dhe për të punuar së bashku në ndërtimin e një "shtëpie për të gjithë": shtëpi që nuk bazohet në llogaritje, por në kuptim; nuk varet vetëm nga teknologjia, por edhe nga mençuria; as vetëm nga e përkohshmja, por kryesisht nga e përjetshmja.
Shpirti i Evropës
"Solidariteti ndërmjet popujve", paralajmëroi Kryeipeshkvi Boccardo, "nuk mund të reduktohet në strategji diplomatike apo në instrument ekonomik". Është kërkimi i sinqertë për "të vërtetën dhe mirësinë", ai që "e pengon politikën, financën dhe kulturën të përkulen para arbitraritetit ose interesave partiake". Prandaj, "ajo nga e cila duhet të fillojmë, është forca e brendshme që sot u mungon shumë institucioneve". Vetë Shën Benedikti, përfundoi prelati, "na kujton se pa një shpirt, Evropa rrezikon të reduktohet në një grumbullim funksional interesash ekonomike dhe teknike, pa kohezion të thellë".
Kremtim eukaristik
Mesha u bashkëkremtua nga gjashtëmbëdhjetë ipeshkvij dhe abatë benediktinë nga manastiret italiane. I pranishëm, edhe Kardinali Gualtiero Bassetti, Kryeipeshkvi i Nderit i Perugia-Città della Pieve si dhe Abati Primat i Konfederatës Benediktine, Jeremias Schröder, së bashku me meshtarët e Kryedioqezës së Spoleto-Norcia-s. Qeverinë italiane e përfaqësonte Ministri i Bujqësisë, Sovranitetit Ushqimor dhe Pylltarisë, Francesco Lollobrigida, ndërsa Parlamenti Evropian përfaqësohej nga zëvendëspresidentja, Antonella Sberna.
