Leoni XIV shtegton drejt Ankarasë, duke nisur udhëtimin e tij të parë apostolik

Papa, në Turqi dhe Liban për të nxitur paqen. Leoni XIV u nis nga Aeroporti i Romës, Fiumicino për në Turqi, ndalesa e parë e udhëtimit apostolike. Më pas do të vizitojë Libanin: nga e diela, 30 nëntor deri të martën, 2 dhjetor.

R.SH. / Vatikan

Shtegtimi i parë apostolik i Papës Leoni XIV filloi, duke e çuar fillimisht në Turqi (Türkiye) me një ndalesë në Iznik, me rastin e 1700-vjetorit të Koncilit I të Nikesë. Vendi i dytë që do të vizitojë, do të jetë Libani, duke filluar të dielën, 30 nëntor.

Fluturimi i ITA Airways, me të cilin shtegtonin Papa, shoqëruesit e tij dhe gazetarë të shumtë, u nis në orën 7:58 të mëngjesit nga Aeroporti romak i Fiumicino-s. Pritet të mbërrijë në Ankara, Turqi, në orën 12:30, prej nga do të niset në mbrëmje për në Stamboll.

Në fluturimin papanor është edhe figurtja e Marisë, Nënës së Këshillit të Mirë, që ndodhet në Gjenacan - pikërisht Zoja e Shkodrës – e ruajtur në Kishën e saj në Gjenacan nga rregulltarët e Urdhërit të Shën Augustinit. Kujtojmë se më 10 maj 2025, disa ditë pas zgjedhjes, Papa Leoni bëri një vizitë të papritur në Shenjtëroen e Zojës së Këshillit të Mirë, jo shumë larg Romës. Pasi u lut para figures së Virgjërës Mari, duke përshëndetur vëllezërit e tij rregulltarë augustinian, theksoi se kishte dëshirë të ishte atje gjatë ditëve të para të shërbesës së re "që Kisha – shtoi - ma besoi, për të çuar përpara misionin si Pasardhës i Pjetrit".

Papa Leoni XIV u largua sot nga Vatikani rreth orës 7:00 të mëngjesit me makinë drejt aeroportit të Romës. Leoni XIV është Papa i pestë që viziton Turqinë dhe motoja e udhëtimit të tij apostolik në Turqi është "Një Zot, një fe, një pagëzim". Papa Prevost plotësoi dëshirat e Françeskut, i cili kishte ndërmend të kthehej në Turqi në maj 2025, pas vizitës së tij të vitit 2014, për 1700-vjetorin e Koncilit të Nikesë.

Pika kulmore e këtij shtegtimi do të jetë në Iznik, Nikea e lashtë, në gërmimet arkeologjike të Bazilikës së lashtë të Shën Neofitit, ku Papa Leoni XIV, së bashku me Patriarkun Bartolomeu i Kostandinopojës, do të luten së bashku me rreth njëzet patriarkë dhe përfaqësues të Kishave të krishtera, para figures së Krishtit dhe imazhit të Koncilit të Nikesë.

Telegram për Italinë

Gjatë fluturimit, Papa Leoni XIV i dërgoi Presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella, një telegram, në të cilin theksoi se po udhëton për të "takuar ata popuj, veçanërisht vëllezërit dhe motrat në fe, duke inkurajuar shtigjet e paqes dhe vëllazërisë". Leoni XIV i dërgoi përshëndetjet e tij Italisë, të cilën e shoqëroi "me urime të përzemërta për përparimin shpirtëror, civil dhe shoqëror".

Nga ana e tij, Kreu i shtetit italian, Mattarella shprehu mirënjohjen, duke dërguar një mesazh në të cilin theksoi se takimet e ardhshme të Papës "ngjallin ndjenja shprese dhe besimi tek të gjithë ata që kanë të përbashkët angazhimin për respektimin e dinjitetit njerëzor dhe të drejtën themelore të lirisë fetare. Perspektivat për bashkëjetesë paqësore ndërmjet popujve gjejnë themel të fortë mbi këto premisa të ekumenizmit dhe dialogut ndërmjet besimeve".

Presidenti Italisë Mattarella shprehu bindjen e tij se prania e Papës Leoni "do të ngushëllojë gratë dhe burrat vullnetmirë, të cilët e refuzojnë dhunën dhe shtypjen e punojnë çdo ditë për t’i bërë të heshtin armët dhe për të siguruar që të mbizotërojnë arsyet për dialog dhe ndjekja e së mirës së përbashkët”. "Është koha që dëshira për paqe dhe stabilitet, e natyrshme për të gjithë popujt, të shndërrohet", shkroi Presidenti i Republikës italiane, "në inisiativa konkrete. Prania Juaj në Turqi e Liban padyshim do të forcojë arsyet për unitet dhe për vëllazëri njerëzore".

 

27 nëntor 2025, 10:56