Leoni XIV: të angazhohemi për bashkimin e plotë të krishterëve
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV shpreson në "bashkimin e plotë" të të krishterëve dhe i lutet Zotit t'i gjegjet uratës së tij "për unitetin e të gjithëve". Fjalët e Papës jehojnë sot, 29 nëntor, në Kishën e Shën Gjergjit, seli e Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës, në lagjen Fanar të Stambollit, ku Ati i Shenjtë Prevost mori pjesë në doksologji, një lutje lavdërimi trinitar. Është pragu i përkujtimit liturgjik të Shën Andreut Apostull, Pajtor i Patriarkanës së Kostandinopojës, ditë në të cilën çdo vit, një delegacion nga Selia e Shenjtë është i pranishëm në Turqi, si pjesë e shkëmbimit tradicional të delegacioneve për festat përkatëse të shenjtorëve pajtorë: më 29 qershor në Romë për kremtimin e Shën Pjetrit e të Shën Palit – e më 30 nëntor në Stamboll, për kremtimin e Shën Andreut.
Lidhjet e miqësisë të Leonit XIV me Bartolomeun
Papa nuk e fshehu "emocionin e tij të madh, i vetëdijshëm për ndjekjen e gjurmëve" të katër papëve që e paraprinë kur, brenda vendit të kultit, përshëndeti Patriarkun Bartolomeu, "i sigurt" se ky rast "do të kontribuojë edhe në forcimin e lidhjeve "të miqësisë, të cilat kanë filluar të thellohen" majin e kaluar. Patriarku mori pjesë në Meshën dhe në përurimin e papnisë së Leonit XIV, më 18 maj e, të nesërmen, u prit në një audiencë private. Pastaj u tha gazetarëve se Papa kishte shprehur dëshirën e tij për të shtegtuar në Turqi me rastin e 1700-vjetorit të Koncilit të Nikesë, duke pasur parasysh edhe dëshirën e PapaFrançeskut për të udhëtuar atje - më 30 maj.
Një çast lutjeje
Ishte pasdite e hershme kur Leoni XIV, nën shi, arriti në Kishën e shekullit të 18-të kushtuar Shën Gjergjit, ku Patriarku Bartolomeu e mirëpriti në oborrin e jashtëm. Papa dhe Patriarku Ekumenik shkuan së bashku drejt hyrjes së vendit të adhurimit, ku puthën Ungjillin, mbajtur nga njëri prej bashkëkremtuesve, dhe secili ndezi një qiri. Pasi hyjnë brenda, u këndua një himn për Virgjërën Mari, Hyjlindësen, Nënën e Zotit. Filloi lutja dhe u kënduan himne, të ndjekura nga peticione. Nisi ofrimi i lutjeve për Leonin XIV dhe Bartolomeun, që hapat e tyre të drejtohen drejt veprave të mira; për klerin dhe popullin e Zotit; për qeveritë dhe të gjitha autoritetet civile; për stabilitetin e Kishave dhe unitetin e të gjithëve si dhe për paqen në botë. Pas leximit të një fragmenti nga Zakaria Profet, lutja vazhdoi.
Përshëndetja e Patriarkut Bartolomeu
Më pas Bartolomeu mori fjalën:
"Shenjtëria Juaj, vëlla i dashur në Krishtin - filloi ai - Patriarkana Ekumenike, Kisha e Madhe e Krishtit, ju mirëpret me gëzim dhe ngazëllim të thellë në këtë ditë, me të njëjtën frymë dashurie vëllazërore me të cilën u pritën paraardhësit tuaj të shquar, Papët e kujtesës së nderuar Pali VI, Gjon Pali II, Benedikti XVI dhe Françesku". Patriarku Bartolomeu kujtoi se katër papët "kontribuan shumë, secili në mënyrën e vet e me karizmën e vet, në afrimin e Kishave motra përmes dialogut të dashurisë dhe të së vërtetës". Kujtoi, më pas, edhe premtimin e tij e të Françeskut "për të bërë një shtegtim të përbashkët në qytetin historik të Nikesë, me rastin e 1700-vjetorit të Koncilit të parë Ekumenik, Koncil i unitetit apostolik në fe, një zë i vetëm i Kishës së bashkuar" dhe e quajti udhëtimin e parë të Leonit XIV, përmbushje e këtij premtimi e "bekim për papninë e tij". I ngjashëm me një klerik të traditës liturgjike ortodokse të krishterë i cili, përpara se të marrë pjesë në Eukaristinë Hyjnore, "lexon një lutje të njohur si Kairos dhe nderon ikonat e Krishtit dhe shenjtorët e nderuar si mënyrë për të marrë bekimin e tyre e për të shërbyer Liturgjinë", Bartolomeu mund të thoshte se Papa "ka ardhur për të marrë Kairos, forcë dhe guxim nga vendi i shenjtë i Nikesë, ndërsa fillon shërbesën e tij papnore, karakterizuar nga vullneti për t'i shërbyer thirrjes së Zotit për unitetin e krishterë". "Është përgjegjësia jonë e përbashkët ta kemi në zemër 'unitetin e shpirtit nëpërmjet lidhjes së paqes'", përfundon Patriarku Ekumenik.
Duke u përpjekur për Bashkimin e të Krishterëve
Leoni XIV shprehu "mirënjohje të thellë për pritjen e ngrohtë" që iu bë dhe theksoi "miqësinë e sinqertë e vëllazërore, të bazuar në fenë dhe në vizionin e përbashkët për shumë nga sfidat kryesore me të cilat përballet Kisha dhe bota", zhvilluar nga Bartolomeu me Gjon Palin II, Benediktin XVI dhe me Françeskun. Më pas ai kujtoi vizitën e djeshme në Iznik, ish-Nikea e koncilig të parë ekumenik në historinë e Krishterimit. Një çast domethënës, ai pa pasardhësit e Pjetrit dhe të Andreut, Leonin XIV dhe Bartolomeun, si dhe disa patriarkë, ipeshkvij, metropolitë, krerë të Kishave dhe përfaqësues të bashkësive botërore të krishtera, duke e thënë së bashku Besojmën Nikeano-Kostandinopolitane:
Dje, dhe përsëri këtë mëngjes, përjetuam çaste të jashtëzakonshme hiri ndërsa përkujtuam, së bashku me vëllezërit dhe motrat tona në fe, 1700-vjetorin e Koncilit I Ekumenik të Nikesë. Duke kujtuar atë ngjarje të rëndësishme dhe të frymëzuar nga lutja e Jezusit që të gjithë dishepujt e tij të jenë një, u inkurajuam në angazhimin tonë për të rikërkuar rivendosjen e bashkimit të plotë ndërmjet gjithë të krishterëve, detyrë që do ta rimarrim me ndihmën e Zotit.
Papa Loeni XIV, më pas, kujtoi kremtimin e përkujtimit të Shën Andreut, i cili bie nesër, 30 nëntor, duke dëgjuar pak më parë lutjen drejtuar Zotit nga një diakon "për stabilitetin e Kishave të Shenjta dhe për unitetin e të gjithëve", gjë që "do të jehojë edhe në Liturgjinë Hyjnore të nesërme". Ai lutet, nga ana tjetër, që "Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, të na mëshirojë" dhe “ta dëgjojë këngën dhe këngëtarin!”.
Përfundimi i doksologjisë
Pasi përfundoi përshëndetja e Papës, pasoi urata e Atynës në latinisht, në përfundim të së cilës Leoni XIV tha një bekim gjithashtu në latinisht, i ndjekur nga Patriarku Bartolomeu, në greqisht. Më pas, këngë dhe lutje e ndërsa Papa dhe Patriarku drejtoheshin drejt daljes së Kishës, doksologjia përfundoi me lavd e nder të Shpirtin Shenjt, gurrë e dijes, e frikës dhe e intelektit.
