Leoni XIV: të krishterët duhet të ndërtojnë e të ruajnë bashkësinë dhe unitetin

Në ditën e fundit të udhëtimit të tij apostolik në Turqi, para se të nisej për në Liban, Papa mori pjesë në Liturgjinë Hyjnore, kryesuar nga Patriarku Bartolomeu I, dhe u bëri thirrje Kishave të vazhdojnë pa pushim rrugën e pajtimit, pavarësisht pengesave. Papa vlerësoi punën e Komisionit të Përbashkët Ndërkombëtar për Dialogun Teologjik ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, duke u bërë thirrje atyre të jenë "ndërtues të paqes".

R.SH. / Vatikan

Njohja e njëri-tjetrit si vëllezër e motra në Krishtin është angazhimi që duhet t'i bashkojë të gjithë të krishterët në rrugën drejt unitetit, duke ndjekur gjurmët e "gjestit historik" të Papës Palit VI dhe Patriarkut Athenagoras, i cili mundësoi të ndërmerren hapa të rëndësishëm "edhe në nivelin ekleziologjik e kanonik". Papa Leoni XIV, në takimin e tij të fundit në Stamboll, para se t'i jepte lamtumirën Turqisë dhe të nisej për në Liban, mori pjesë në ngjarjen që përmbylli "shtegtimet në vendet ku u mbajt Këshilli i parë Ekumenik në historinë e Kishës", dhe bëri rishtas thirrje për angazhimin e nevojshëm të arritjes së bashkësisë së vërtetë ndërmjet Kishave të Krishtera.

Vazhdim, në unitet

Në fjalimin gjatë Liturgjisë Hyjnore, kryesuar nga Bartolomeu I në Kishën Patriarkale të Shën Gjergjit në Fanar, ditën e kremtimeve të Shën Andreut Apostull, Pajtorit qiellor të Kishës së Kostandinopojës, Papa u rikthye tek përqafimi i vitit 1964 në Jerusalem, i Papës Pali VI dhe Patriarkut Ekumenik të atëhershëm, i cili shënoi fillimin e pajtimit ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve pas shekujsh përçarjeje. Një përqafim që kërkoi të fshinte "nga kujtesa e Kishës" atë, që kishte çuar në shkishërimin e vitit 1504. Gjest, sipas fjalëve të Leonit XIV, që "hapi rrugën e pajtimit, të paqes dhe të bashkimit në rritje ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, falë edhe kontakteve të shpeshta, takimeve vëllazërore dhe dialogut të frytshëm teologjik".

Në të kaluarën ka pasur shumë keqkuptime, madje edhe konflikte ndërmjet të krishterëve të Kishave të ndryshme, e ende ka pengesa, që na kundërvihen kur duam të jemi bashkësi e plotë, por nuk duhet të tërhiqemi nga angazhimi ynë për unitet dhe për ta parë njëri-tjetrin si vëllezër e motra në Krishtin, duke e dashur njëri-tjetrin si të tillë.

Angazhimi i Kishës së Romës

Deri tani është vërejtur shumë përparim, "madje edhe në nivelin ekleziologjik dhe kanonik", theksoi Papa, duke u bërë thirrje të krishterëve të vënë në jetë një angazhim më të madh "drejt rivendosjes së bashkësisë së plotë". Ati i Shenjtë Leoni XIV e njeh punën e kryer deri tani, si nga Kisha Katolike, ashtu edhe nga Patriarkana Ekumenike, përmes Komisionit të Përbashkët Ndërkombëtar për Dialogun Teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse. Prandaj  Papa Leoni XIV bën thirrje që kjo përpjekje të mos ndalet kurrë, në mënyrë që "të gjitha Kishat Ortodokse Autoqefale të mund të marrin pjesë përsëri, në mënyrë aktive, në këtë angazhim".

Nga ana ime, pohon Papa, dëshiroj të riafirmoj se, në vazhdimësi me mësimet e Koncilit II të Vatikanit dhe të paraardhësve të mi, ndjekja e bashkimit të plotë ndërmjet të gjithë atyre që u pagëzuan në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit Shenjt, duke respektuar dallimet legjitime, është një nga prioritetet e Kishës Katolike dhe, në veçanti, të shërbesës sime si Ipeshkëv i Romës, roli specifik i të cilit në nivelin e Kishës universale, konsiston në shërbimin e të të gjithëve dhe në ndërtimin dhe ruajtjen e bashkimit dhe të unitetit.

Të krishterët janë ndërtues të paqes

Të krishterët, vijon Papa Prevost, duhet t'u përgjigjen së bashku sfidave dhe kërkesave të paraqitura nga njerëzimi dhe nga krijimi, duke u bërë "ndërtues të paqes" në një kohë të përshkuar nga "konflikte të përgjakshme dhe dhunë të papërshkrueshme në vende afër e larg". Paqja nuk është "thjesht fryt i përpjekjeve njerëzore, por më tepër, dhuratë nga Zoti", dhe për këtë arsye duhet të kërkohet "përmes lutjes, pendesës, meditimit dhe asaj marrëdhënieje të gjallë me Zotin, që na ndihmon të dallojmë fjalët, gjestet dhe veprimet, të cilat duhen ndërmarrë, në mënyrë që ato të jenë vërtet në shërbim të paqes".

Bashkëpunimi ndërmjet të krishterëve, si rojtarë të Krijimit, vazhdon Leoni XIV, duhet të merret edhe  me krizën ekologjike që rëndon mbi botën dhe që kërkon "kthim autentik shpirtëror për të ndryshuar drejtimin dhe për të mbrojtur krijimin". Angazhimi i përbashkët i Kishave duhet të sigurojë që ato të mund të vënë së bashku në jetë edhe "përdorimin e teknologjive të reja, veçanërisht në fushën e komunikimeve", në mënyrë që të nxisin përdorimin e tyre të përgjegjshëm "në shërbim të zhvillimit integral të njerëzve" dhe të sigurojnë që të gjithë të kenë lidhje me to, "në mënyrë që përfitime të tilla të mos rezervohen vetëm për një numër të vogël njerëzish dhe për interesat e një pakice të privilegjuar". Këto janë tri nga sfidat e rëndësishme të cilat të krishterët, përfundon Papa, duhet t’i përballojnë në arritjen e së mirës së përbashkët.

30 nëntor 2025, 14:06