Leoni XIV: të lirohen pengjet e rrëmbyera në Nigeri e Kamerun

Pas Meshës kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, Leoni XIV bëri thirrje për lirimin e studentëve dhe priftërinjve të rrëmbyer ditët e fundit në vendet afrikane. Më pas kujtoi udhëtimin e tij të parë apostolik në Turqi e në Liban si edhe letrën mbi unitetin e të krishterëve "In unitate fidei", botuar sot. Së fundmi, falënderoi koret dhe koralet, që morën pjesë në kremtimin, organizuar me rastin e Jubileut të tyre

R.SH. / Vatikan

Me trishtim të thellë mësova lajmin për rrëmbimet e meshtarërve, besimtarëve dhe studentëve në Nigeri dhe Kamerun. Ndjej dhimbje të fortë sidomos për djemtë dhe vajzat e shumta të rrëmbyer dhe për familjet e tyre të dëshpëruara. U bëj një apel të përzemërt që pengjet të lirohen menjëherë dhe u kërkoj autoriteteve kompetente të marrin vendime të përshtatshme dhe në kohë për të siguruar lirimin e tyre.

Me këto fjalë, Papa Leoni XIV, në përfundim të Meshës kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit këtë të diel, 23 nëntor, në Solemnitetin e Krishtit Mbret, bëri thirrje për lirimin e studentëve dhe mësuesve të rrëmbyer pardje nga Shkolla Katolike "Shën Maria" në Nigeri, dhe të gjashtë priftërinjve katolikë e një pastori baptist, rrëmbyer disa ditë më parë në Kamerun. 

Së fundi, ftesa për t'u lutur që shkollat të mos jenë kurrë objektiv i akteve të dhunës, por gjithmonë vende ku kultivohet e ardhmja.

Lutemi për këta vëllezër dhe motra tanë dhe që gjithmonë dhe kudo Kishat dhe shkollat të mbeten vende sigurie dhe shprese.

Rrëmbime e dhunë në Nigeri dhe Kamerun

Më 21 nëntor, në Papiri, në shtetin federal qendror-perëndimor të Nigerit, një nga 36 vendet që përbëjnë Republikën Federale të Nigerisë, një grup prej rreth 60 terroristësh të armatosur, në makina dhe motoçikleta, sulmuan shkollën St. Mary's për fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç. Militantët sulmuan konviktet dhe rrëmbyen 303 nxënës dhe 12 mësues.

Disa ditë më parë, në Ndop, në divizionin Ngo-ketunjia të Kamerunit, nga Kryedioqeza e Bamendës u rrëmbyen gjashtë priftërinj katolikë. Për më tepër, në komunën e Jakirit, në divizionin fqinj Bui, u rrëmbye një pastor baptist, për lirimin e të cilit rrëmbyesit thuhet se kishin kërkuar një shpërblim prej 10 milionë frangash të Afrikës Qendrore (15,000 euro)

Udhëtimi i parë apostolik i Papës në Turqi

Tashmë është afër udhëtimi apostolik që do të bëj në Turqi dhe në Liban. Në Turqi do të kremtohet 1700-vjetori i Koncilit të Nikesë. Për këtë arsye, sot botohet letra apostolike In Unitate Fidei, e cila përkujton këtë ngjarje historike.

Papa Leoni XIV kujtoi edhe udhëtimin e tij të ardhshëm apostolik, i pari i papnisë së tij, në Turqi e Liban. Leoni XIV do të udhëtojë në vendin euroaziatik për festimet e 1700-vjetorit të Koncilit të Nikesë, i njohur tani me emrin Iznik, në provincën e Bursës, Turqi. Përmendi, në vijim, edhe botimin e letrës së tij apostolike, titulluar "In unitate fidei", kushtuar unitetit të krishterë dhe lindjes së lutjes të Kredos së Nikesë, shkruar në vitin 325 pas Krishtit.

Një ditë tërësisht për të rinjtë

Sot, në të gjitha dioqezat e botës, kremtohet Dita Botërore e Rinisë. Bekoj dhe përqafoj shpirtërisht të gjithë ata që marrin pjesë në kremtimet dhe iniciativat e ndryshme. Në festën e Krishtit Mbret, lutem që çdo i ri të zbulojë bukurinë dhe gëzimin e ndjekjes së Tij, Zotit, dhe t'i kushtohet mbretërisë së Tij të dashurisë, drejtësisë dhe paqes.

Papa kujtoi edhe se sot kremtohet  Dita e 40-të Botërore e Rinisë. Të rinjtë e Dioqezës së Romës tashmë mezi e presin të shtunën, 10 janar, kur Papa Leoni XIV do t'i presë në audiencë në Sallën Pali VI, në Vatikan.

Një falënderim të gjitha koreve e ansambleve të pranishme.

Dëshiroj t'ju përshëndes të gjithëve ju që morët pjesë në këtë kremtim jubilar, veçanërisht koret dhe grupet korale që erdhën nga çdo cep i botës, faleminderit për praninë tuaj. Zoti bekoftë shërbimin tuaj.

Së fundmi, Papa përshëndeti dhe falënderoi të gjitha koret e pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit me rastin e Jubileut të Koreve dhe Koraleve, që festuan dje dhe sot.

23 nëntor 2025, 12:24