Leoni XIV të rinjve: dëgjojeni zërin e Zotit për ta gjetur vendin tuaj në botë
R.SH. – Vatikan
“Mos u kufizoni në imitimin e të tjerëve; përkundrazi, dëgjoni atë që Zoti ju kërkon të jeni dhe të bëni. Jam i sigurt se Hyji po thërret disa prej jush t'i shërbeni në meshtari, ose në jetën e shuguruar. Ju lutem, kini guximin të thoni "po"!”
Në një videomesazh, në hapjen e Festivalit të të Rinjve Katolikë Australianë - një takim kombëtar i të rinjve të moshës 9 deri në 25 vjeç, që zhvillohet në Melburn nga dita e sotme, 30 nëntor, deri më 2 dhjetor - Leoni XIV i nxit që, në këtë "kohë të bukur të jetës", të frymëzohen nga fjalët e shën Carlo Acutis: “Të gjithë lindim si origjinalë, por shumë prej nesh vdesin si fotokopje". "Mos lejoni t'ju ndodhë kjo!" bën thirrje Papa.
Leoni XIV përmend Papën Benedikti XVI dhe Shën Katerinën e Sienës. "Secili prej nesh", pohonte Ratzinger, "është fryt i mendimit të Zotit. Secili prej nesh është i dëshiruar, i dashur, i nevojshëm". Në një letër drejtuar Stefano Maconi-t, shenjtja – Doktore e Kishës shkruante se "nëse bëhesh gjithçka për të cilën të krijoi Zoti, do të përflakësh botën".
Secili të gjejë vendin e vet
Prandaj, sfida për të rinjtë është të gjejnë "vendin e tyre" në jetë dhe në shoqëri. Kjo është bërë "edhe më e vështirë sot", thekson Papa, "sepse shoqëritë ndryshojnë vazhdimisht" dhe "vlerat tradicionale shpesh shihen me përçmim", por edhe sepse ka ardhur koha e një "teknologjie, e cila, pavarësisht nga elementet pozitive, mund të na izolojë edhe më shumë nga njëri-tjetri".
Marrëdhëniet me Atin dhe shembulli i shenjtorëve
Duhet, vëren Leoni XIV, të "kthehemi te Hyji, Ati ynë Qiellor". Por është e rëndësishme edhe të ndjekim "shembullin e të gjithë shenjtorëve, të cilët dëshmojnë se ç’do të thotë të ndjekësh vullnetin e Zotit në jetë, secili në mënyrën e vet unike". Papa i këshillon të rinjtë t'u drejtohen bashkëmoshatarëve të tyre, Shën Carlo Acutis dhe Shën Pier Giorgio Frassati, dy drita udhërrëfyese, që Ati i Shenjtë i pati përmendur edhe më 21 nëntor, në takimin e tij online me 16.000 të rinj, që morën pjesë në Konferencën Kombëtare të të Rinjve Katolikë në stadiumin Lucas Oil, në Indianapolis.
Dy shenjtorë të ndryshëm: njëri, Frassati, më “fizik” dhe më i shoqërueshëm, tjetri “më i rezervuar”, por të dy “kishin marrëdhënie të thella me Zotin dhe përpiqeshin të bënin vullnetin e Tij në jetë”, duke rrezatuar një gëzim pa fund.
“E vetmja mënyrë për të dëgjuar zërin e Atit tonë Qiellor është t'i afrohemi atij, veçanërisht nëpërmjet lutjes dhe sakramenteve. Përveç kësaj, si në çdo marrëdhënie tjetër, për të qenë bijë, bir, vëlla, ose motër më e mirë, duhet t'i jetojmë këto marrëdhënie me më tepër dashuri, përkushtim dhe sakrificë”përfundon Papa.
Festivali
Festivali i të Rinjve Katolikë Australianë (ACYF) është një takim kombëtar i mijëra katolikëve të rinj, themeluar nga ipeshkvijtë australianë më se një dekadë më parë. Festivali tre-ditor i Melburnit u ofron të rinjve nga e gjithë Australia mundësinë për t'u takuar, për të thelluar marrëdhëniet e tyre me Zotin dhe për t'u nxitur ta jetojnë fenë e tyre në botë. Takimi jep gjithashtu mundësi për të takuar të rinj të tjerë, shkolla dhe grupe rinore, ipeshkvij, muzikantë dhe ekspertë.
