Leoni XIV në Liban, fillon etapa e dytë e udhëtimit në Lindjen e Mesme
R.SH. / Vatikan
Sirenat e anijeve në portin e Bejrutit përshëndetën uljen e avionit Airbus A320neo të ITA Airways, i cili transportonte Papën Leoni XIV nga Turqia, në Liban, në orën 15:34 (ora lokale) në Aeroportin Ndërkombëtar Bejrut-Hariri. Aeroporti mban emrin e ish-kryeministrit Rafiq Hariri, i vrarë së bashku me skortën e tij në një nga sulmet më 14 shkurt 2005. Në fluturimin nga Stambolli për në Bejrut, Papa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve që udhëtonin me të. Të parët që e pritën, ende në bordin e avionit, ishin Nunci Apostolik Paolo Borgia dhe Shefi i Protokollit Libanez. Në fund të shkallëve të përparme të avionit, ndërsa jehonin 21 përshëndetje me topa, Leoni XIV u përshëndet nga Presidenti Libanez Joseph Aoun, Presidenti i Asamblesë Kombëtare Nabih Berri, Kryeministri Nawaf Salam dhe gratë e tyre, si dhe Patriarku Maronit i Antiokisë, Kardinali Béchara Boutros Raï. Dy fëmijë me veshje tradicionale i ofruan Papës lule, bukë e ujë.
Ceremonia e mirëseardhjes
Ceremonia e mirëseardhjes u zhvillua nën një tendë të madhe dhe, pas interpretimit të himneve të shtetit libanez dhe të Qytetit të Vatikanit, vijoi me ngritjen e flamujve, paraqitjen e delegacioneve zyrtare dhe një mbikalim nderi. Në fund, Papa Leoni XIV u shoqërua nga Presidenti i Republikës, Presidenti i Asamblesë Kombëtare dhe Kryeministri në Sallën Presidenciale për një takim të shkurtër privat. Gjatë udhëtimit prej 8 kilometrash drejt Pallatit Presidencial, besimtarë të panumërt vijuan ta përshëndesin me flamuj mbërritjen e Papës në Liban.
Dita e parë e Papës në Bejrut
Programi i ditës përfshin disa takime institucionale në Pallatin Presidencial Baabda, në një kodër me pamje nga Bejruti, duke filluar me një vizitë mirësjelljeje te Presidenti Aoun, në pushtet që nga janari i kaluar. Do të ketë gjithashtu takime me Presidentin e Asamblesë Kombëtare, Nabih Berri, dhe me Kryeministrin Nawaf Salam, të cilin Papa e pati pritur në audiencë në Vatikan më 25 tetor. Presidenti Aoun dhe Leoni XIV do të mbjellin, më pas, një "Kedër Miqësie" në kopshtin e Pallatit Presidencial, ku do të marrin pjesë edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin dhe Patriarku Béchara Boutros Raï. Më pas, Papa do të nënshkruajë Librin e Nderit në sallën kryesore të Pallatit. Në orën 18:00, do të takohet me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik dhe do të mbajë një fjalim. Ky takim do të përmbyllë ditën e parë të udhëtimit të tij në Tokën e Kedrave.
