Papa: Zhvillimi i inteligjencës artificiale nuk duhet të kufizohet vetëm në laboratorë dhe investime Papa: Zhvillimi i inteligjencës artificiale nuk duhet të kufizohet vetëm në laboratorë dhe investime

Leoni XIV: zhvillimi i IA-së të mos mbetet i kufizuar në laboratorë dhe investime

Në një mesazh drejtuar pjesëmarrësve të Forumit Builders AI, që po mbahet në Universitetin Papnor Gregorian, Papa reflekton mbi "peshën etike dhe shpirtërore" që shoqëron teknologjitë e reja, duke kujtuar se çdo zgjedhje projektuese shpreh "një vizion të njerëzimit". Kështu Ati i Shenjtë ripërtërin ftesën për të pyetur veten se si mjetet e ndërtuara po e transformojnë qenien njerëzore

R.SH. – Vatikan

Jo vetëm ajo që Inteligjenca Artificiale (IA) është e aftë të bëjë, por ajo që, në heshtje, bën në ne: si na modelon, si na transformon, "kush po bëhemi". Në këtë vështrim të brendshëm - më shumë sesa në "laboratorë" dhe në "portofole investimi" - luhet kuptimi i vërtetë i rrugëtimit të saj. Këtu Papa Leoni XIV fton të ndalemi, në mesazhin e lexuar sot, më 6 nëntor, para pjesëmarrësve të Forumit Builders AI 2025, që mbahet deri nesër në Universitetin Papnor Gregorian, në Romë.

"Kush po bëhemi"

Objektivi i konferencës është krijimi i një komuniteti të ri ndërdisiplinor i dedikuar për të mbështetur zhvillimin e produkteve të Inteligjencës Artificiale (IA) në shërbim të misionit të Kishës. Nga ky horizont lind, sipas Papës Prevost, një reflektim "vendimtar" i kohëve të sotme:

Jo vetëm ajo që Inteligjenca Artificiale (IA) është në gjendje të bëjë, por ne kush po bëhemi përmes teknologjive që ndërtojmë.

Pesha "etike dhe shpirtërore" e IA-së

Papa ripohon atë që tashmë është theksuar në Notën Antiqua et Nova, botuar më 28 janar dhe fryt i një reflektimi të përbashkët të Dikastereve të Vatikanit për Doktrinën e Fesë dhe për Kulturën dhe Edukimin: Inteligjenca Artificiale (IA), "si çdo shpikje njerëzore, lind nga aftësia krijuese" që Zoti ka dikuar në njeriun. Inovacioni, në këtë kuptim, mund të konsiderohet një formë "pjesëmarrjeje" në vetë aktin e Krijimit. Si e tillë, ajo mbart me vete një peshë etike dhe shpirtërore, pasi çdo zgjedhje projektuese shpreh një vizion të njerëzimit.

Kultivimi i "shoshitjes morale"

Mesazhi i Kishës është i qartë: të gjithë aktorët e përfshirë në zhvillimin e teknologjive të reja janë të thirrur të kultivojnë "shoshitjen morale" si pjesë integrale e punës së tyre, duke zhvilluar sisteme që mishërojnë vlerat e drejtësisë, solidaritetit dhe respektit autentik për jetën.

Reflektimet tuaja gjatë këtyre dy ditëve tregojnë se një angazhim i tillë nuk mund të kufizohet në laboratorët kërkimorë ose në portofolat e investimeve: duhet të jetë një sipërmarrje thellësisht kishtare.

Feja dhe arsyeja në dialog

Aplikimet e Inteligjencës Artificiale (IA), vazhdon Papa, mund të jenë të shumta: algoritme për edukimin katolik, mjete për një "kujdes shëndetësor të dhembshur", platforma krijuese të afta për të treguar historinë e krishterë me "të vërtetën dhe bukurinë" e saj. Megjithatë, misioni mbetet i përbashkët: "Të vendosim teknologjinë në shërbim të ungjillëzimit dhe zhvillimit të gjithanshëm të çdo personi." Një sinergji që, duke cituar përsëri dokumentin Antiqua et Nova, mishëron "dialogun midis fesë dhe arsyes", të rishikuar në çelësin dixhital. Inteligjenca, artificiale apo njerëzore, gjen plotësinë e saj "në dashuri, në liri dhe në marrëdhënie me Zotin" tha Papa.

Bashkëpunimi juaj qoftë frytdhënës në një Inteligjencë Artificiale (IA) që reflekton planin e Krijuesit: inteligjente, relacionale dhe të udhëhequr nga dashuria.

07 nëntor 2025, 11:44