Papa dhe Bartolomeu japin bekimin e përbashkët ekumenik nga ballkoni i Fanarit Papa dhe Bartolomeu japin bekimin e përbashkët ekumenik nga ballkoni i Fanarit

Papa dhe Patriarku bekojnë, nga Ballkoni i Fanarit

Akti i fundit publik i udhëtimit apostolik të Papës në Turqi ishte bekimi i përbashkët ekumenik dhënë turmës së mbledhur në oborrin përpara Kishës së Shën Gjergjit, ku u kremtua Liturgjia Hyjnore. Një përqafim ndërmjet të dyve vulosi dy ditët e Papës, kushtuar ekumenizmit në Stamboll. Pasdite Ati i Shenjtë u nis për në Bejrut, ku filloi takimet e para institucionale.

R.SH. / Vatikan

Papa Leoni XIV dhe Bartolomeu I bekuan turmën, që u mblodh pas Liturgjisë Hyjnore në sheshin e vogël jashtë Kishës Patriarkale të Shën Gjergjit. Ipeshkëvij, kardinaj, kryeipeshkëvij, hieromonakë dhe priftërinj. Pastaj shtrënguan duart, shkëmbyen një puthje vëllazërore dhe hynë, krah për krah  në selinë e Patriarkanës. Bekimi i përbashkët ekumenik i Papës Leoni XIV dhe Bartolomeut I, Patriark Ekumenik i Kostandinopojës, në Fanar ishte akti i fundit publik i udhëtimit të Papës në Turqi. Leoni u përgatit të niset për në Liban, ndalesa e dytë në udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar.

Mëngjesi i ditës së fundit

Papa Leoni XIV e përfundoi sot shtegtimin e tij në Turqi, vend qendër ndërmjet Evropës dhe Azisë. Shtegtim i jetuar në ekumenizëm - me përjashtim të ditës së parë në Ankara, e cila iu kushtua takimeve me autoritetet - me përkujtimin e 1700-vjetorit të Koncilit të Nikesë dhe festimeve pasuese, gjatë të cilave Bartolomeu ishte përkrah tij gjatë gjithë kohës.

Sot, pas nënshkrimit të një Deklarate të Përbashkët, Papa ishte i pranishëm në Liturgjinë Hyjnore, kryesuar nga Patriarku në thesarin e vogël të veprave të artit, ikonave të lashta dhe orendive të çmuara,  që është Kisha e Shën Gjergjit. Papa u bashkua me të pranishmit, pasi u takua me komunitetin armen në Katedralen Apostolike Armene, në lagjen Kumkapı, qendër tregtie, veçanërisht për gëzofe dhe me veshje. Krahas Patriarkut Sahak II, Papa Leoni XIV u prit me duartrokitje të zjarrta nga dy radhë të gjata nxënësish të shkollave vendase,  stolisur me shami të kuqe të zbukuruara me stemën papnore dhe me logon e shtegtimit apostolik. Më pas ishin priftërinjtë dhe murgjërit armenë, të veshur me veghar-et tradicionale (kapuçë të zinj me majë); rreth tyre, përfaqësues të dernekëve, shoqatave që ofrojnë mbështetje financiare për të gjithë komunitetin; në ajër, tymi i temjanit, tingulli i kambanave dhe tingulli i kryqeve karakteristike me kambana. Çasti i shkurtër liturgjik u pasua nga Liturgjia Hyjnore më e gjatë dhe më solemne, kremtimi Eukaristik i ritit bizantin i përdorur nga Kisha Ortodokse dhe Kishat Lindore.

Relikja e Shën Pjetrit dhe Bekimi Ekumenik

Në fund të shërbesës, gjatë së cilës si Papa ashtu edhe Patriarku mbajtën nga një predikim, të gjithë pjesëmarrësit u mblodhën në oborr, përballë ballkonit prej druri ku vareshin dy tapiceri: njëra e kuqe dhe e artë me stemën e Papës Leoni, tjetra prej kadifeje burgundy, me simbolin e Patriarkanës Ekumenike. Papa Leoni XIV dhe Bartolomeu I nderuan edhe një relike të Shën Pjetrit, dhuratë nga Papa Françesku, në vitin 2019.

Pastaj ngjitën shkallët dhe arritën së bashku në ballkonin e zbukuruar me lule e, prej andej, dhanë një bekim të përbashkët. Paraardhësit e tyre e kishin bërë këtë tashmë në të kaluarën. Ishte shenjë e vëllazërisë dhe e bashkimit ndërmjet Kishës së Romës dhe të Kostandinopojës, të cilat që nga viti 1964 - domethënë, që nga takimi historik i Palit VI me Athenagorën, në Jerusalem, që hoqi shkishërimin e tyre të ndërsjellë - shkëmbyen delegacione me rastin e festave të Pajtorëve të tyre përkatës: në Romë më 29 qershor, përkujtimi liturgjik i Shën Pjetrit dhe Shën Palit; në Stamboll më 30 nëntor, për kremtimet e Shën Andreut Apostull.

Pasdite, fluturimi për në Bejrut.

Papa kaloi drekën në Fanar ku, në Sallën e Fronit, u zhvillua një bisedë me Bartolomeun në prani të disa personaliteteve të larta të Patriarkatit.

Destinacioni tjetër ishte Aeroporti Atatürk i Stambollit, ku u zhvillua ceremonia e lamtumirës nga Turqia, me përshëndetje nga delegacionet përkatëse dhe Garda e Nderit. Toka e Kedrave, Libani ku Papa që vizitoi për herë të fundit ishte Benediktin XVI në shtator 2012.

Ndërkohë kujtoi krizat politike dhe sociale, varfërinë në keqësim, shpërthimin e lartpërmendur në portin e Bejrutit, dramat e migrimit hemorragjik, veçanërisht e të të rinjve, vështirësinë në pritjen e refugjatëve - gjithmonë të pranishëm - veçanërisht atyre sirianë, luftën me bombardimet e fundit të lagjeve të Hezbollahut nga Izraeli.

Papa Leoni pritet në Liban për dyzet e tetë orë intensive takimesh institucionale, duke filluar sot me Presidentin Joseph Aoun, udhëheqës i vendit për njëmbëdhjetë muaj, në Pallatin Presidencial. Pastaj vijnë takimet fetare, ndërfetare dhe baritore, që kulmojnë një nga çastet më të pritura: lutja në heshtje të plotë para monumentit të çeliktë në Portin e Bejrutit, në anën lindore të Gjirit të Shën Gjergjit, ku janë gdhendur një nga një emrat e atyre që vdiqën gjatë shpërthimit tragjik të vitit 2020. Do të jenë të pranishëm edhe disa të mbijetuar dhe të afërm të viktimave.

30 nëntor 2025, 16:15