Papa: fenomenet mistike nuk janë të domosdoshme për të njohur shenjtërinë
R.SH. – Vatikan
Të dallojmë me "kujdes" fenomenet shpirtërore autentike nga "manifestimet që mund të jenë mashtruese". T'i vlerësojmë ato me shqyrtim "të përvujatur dhe në përputhje me mësimin e Kishës" për "të mos rënë në iluzionin supersticioz". Duhet të kemi një "ekuilibër" në çështjet e kanonizimit, sepse "fenomenet e jashtëzakonshme që mund të karakterizojnë përvojën mistike nuk janë kushte të domosdoshme për të njohur shenjtërinë e një besimtari". Rekomandime të hollësishme ato të Papa Leone XIV në audiencën e sotme në Sallën Pali VI me pjesëmarrësit e konferencës "Mistika, fenomenet mistike dhe shenjtëria", e cila nga 10 deri më 13 nëntor u zhvillua pranë Universitetit Papnor Urbaniana.
Një takim që plotësoi idealisht dhe tematikisht edicionet e dy viteve të fundit kushtuar "shenjtërisë sot", "dimensionit komunitar", "martirizimit dhe ofrimit të jetës", dhe që mblodhi në Universitetin Urbaniana 'misionar' profesorë, studiues, meshtarë, mistikë dhe ekspertë edhe nga besime të tjera. Zëra autoritarë për një temë aq magjepsëse, sa edhe delikate për jetën e Kishës. Marrëdhënia midis fenomeneve mistike dhe shenjtërisë së jetës është në fakt "një dimension ndër më të bukurat e përvojës së fesë", tha Papa Leone në fillim të fjalimit të tij, duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit e Konferencës sepse përmes këtij thellimi ata "kontribuuan në vlerësimin e saj dhe gjithashtu edhe në ndriçimin e disa aspekteve që kërkojnë shqyrtim".
Të mbështetemi në mësimin e Kishës
Një shqyrtim "i përulur dhe në përputhje me mësimin e Kishës", thekson Leone XIV, i cili kujton "Magjisterin, teologjinë dhe autorët shpirtërorë" që, në këto shekuj, kanë ofruar "kritere për të dalluar fenomenet shpirtërore autentike, që mund të ndodhin në një klimë lutjeje dhe kërkimi të sinqertë të Zotit, nga manifestimet që mund të jenë mashtruese".
Për të mos rënë në iluzionin supersticioz, duhet të vlerësojmë me kujdes ngjarje të tilla, përmes një shqyrtimi të përvuajtur dhe në përputhje me mësimin e Kishës.
Mistika një dhuratë, por qëllimi i vërtetë është bashkimi me Zotin
"Qoftë përmes reflektimit teologjik, qoftë me predikimin dhe katekezën, Kisha prej shekujsh njeh se në zemër të jetës mistike qëndron ndërgjegjësimi i bashkimit të thellë të dashurisë me Zotin", kujton Papa Prevost. "Mistika – shton Ati i Shenjtë Leoni XIV – karakterizohet si një përvojë që tejkalon njohurinë e thjeshtë racionale jo për meritë të atij që e jeton, por për një dhuratë shpirtërore, e cila mund të manifestohet në mënyra të ndryshme, madje edhe me fenomene krejtësisht të kundërta, si vizione të ndritshme ose errësira të dendura, vuajtje ose ekstaza". Megjithatë, sqaron Papa, këto ngjarje të jashtëzakonshme mbeten në vetvete "sekondare dhe jo thelbësore" në krahasim me mistikën dhe shenjtërinë vetë; mund të jenë "shenja", sigurisht, si "karizma të veçanta", por "qëllimi i vërtetë është dhe mbetet gjithmonë bashkimi me Zotin". Prandaj, thekson Papa Leone, nëse këto shenja janë të pranishme "ato forcojnë virtytet jo si privilegje individuale, por si të renditura për ndërtimin e gjithë Kishës". Me fjalë të tjera, ajo që ka më shumë rëndësi dhe që duhet theksuar më shumë në shqyrtimin e kandidatëve për shenjtëri është "përputhja e tyre e plotë dhe e vazhdueshme me vullnetin e Zotit".
Të imitojmë Shenjtorët
Papa kërkon prandaj "ekuilibër": "Ashtu si nuk duhet të promovohen Çështjet e Kanonizimit vetëm në prani të fenomeneve të jashtëzakonshme, ashtu duhet të jemi të kujdesshëm të mos penalizohen nëse të njëjtat fenomene karakterizojnë jetën e Shërbëtorëve të Zotit". "Në qendër të shqyrtimit rreth një besimtari qëndron dëgjimi i famës së tij për shenjtëri dhe shqyrtimi rreth virtytit të tij të përsosur, si shprehje e bashkimit kishtar dhe bashkimit të thellë me Zotin", përfundon Leone XIV. Nga këtu, një ftesë për të gjithë ata që punojnë në fushën e Çështjeve të Kanonizimit. Të imitojmë Shenjtorët dhe të kultivojmë kështu thirrjen që na bashkon të gjithëve si të pagëzuar, anëtarë të gjallë të popullit të vetëm të Zotit.
