Papa: meshtaria është zgjedhje e lirë, Kisha kërkon seminaristë me zemër të pastër

Shugurimi meshtarak nuk duhet parë si cak, shqyrtim i vazhdueshëm, studim dhe lutje për të njohur zërin e Jezusit, duke u kujdesur të mos i dorëzohemi vetmisë, aktivizmit rraskapitës dhe shpërndarjes dixhitale, që na vjedh shpirtin. Këto janë disa nga porositë që Leoni XIV ua dha seminaristëve, në një letër drejtuar Seminarit të madh të Shën Karlit e Shën Marcelit, në Kryedioqezën e Trujillo-s, në Peru. Një vend i dashur për Papën, që kur u bë rektor i saj në vitin 1988.

R.SH. / Vatikan

Letra e Papës drejtuar seminaristëve të Seminarit të madh të Shën Karlit e Shën Marcelit, në Kryedioqezën e Trujillo-s, në Peru, e datës 17 shtator, ditë përkujtimore e Shën Robert Belarminit, përmban këshillën e një ati, udhëzimin e një edukatori dhe afërsinë e Pasardhësit të Pjetrit.

Tekst i letrës së Papës u lexua, më 4 nëntor, në kremtimin e përvjetorit të Seminarit të Madh Kryedioqezan "San Carlos e San Marcelo" të Trujillos, nga Imzot Francisco Castro Lalupú, ndihmës-ipeshkëv i kryedioqezës, gjatë Meshës së kremtuar në shenjtëroren kombëtare të "Santa María de Guadalupe".

"Edhe gjurmët e mia janë pjesë e asaj shtëpie, ku shërbeva si profesor dhe drejtor i studimeve", shkruan Papa Leoni XIV, duke kujtuar qëndrimin e tij si rektor nga viti 1988 deri në vitin 1998 dhe si mësues i së Drejtës Kanonike, Patristikës dhe Moralit. Në letrën, shkruar në spanjisht, Papa Prevostt hekson rëndësinë e seminareve, vende për të "qenë me Zotin, për t'u formuar prej Tij, për ta njohur dhe për ta dashur Atë, e për të qenë si Ai".

Jo qëllim, por dhuratë vetvetes

Papa Leoni XIV, më pas, identifikon qëndrimet që përfaqësojnë "themelin e sigurt të shërbesës së meshtarëve". Një shërbesë, e cila nuk është "qëllim i jashtëm ose një arratisje nga problemet personale".

Nuk është arratisje nga çka dikush nuk dëshiron ta përballë, as strehë përballë vështirësive emocionale, familjare ose sociale; e nuk është as ngritje në detyrë apo strehim, por dhuratë e plotë e ekzistencës së dikujt. Vetëm në liri mund ta dhurosh vetveten: kush është i lidhur me interesat a me frikën, nuk dhurohet, sepse "njeriu është vërtet i lirë vetëm atëherë kur nuk është skllav". Ajo që ka rëndësi nuk është "të shuguroheni", por të jeni vërtet meshtarë".

Thirrja e Zotit

Papa Leoni XIV bën thirrje për t’u ruajtur nga bota, nga të menduarit për meshtarinë parë si detyrë, ndërsa duhet parë si zgjedhje e Zotit i cili "me një prirje të veçantë i thërret disa njerëz të marrin pjesë në shërbesën e tij shëlbuese, në mënyrë që të mund të riprodhojnë në vetvete figurën e tij dhe të japin  dëshmi të vazhdueshme besnikërie dhe dashurie".

Kush e kërkon meshtarinë për motive meskine, gabon rëndë e ndërton përmbi rërë.

Pa qëndrime me dy faqe

Themelore në ndjekjen e seminarit është dallimi, përsëritja "me thjeshtësi dhe vërtetësi", që kush dëshiron të jetë prift, të jetë për Zotin dhe për popullin, jo për vetveten. Është e nevojshme të kultivohet transparenca e shpirtit me sinqeritet përmes rrëfimit të shpeshtë dhe bindjes ndaj atyre që e shoqërojnë në seminar. "Një seminarist që mësohet të jetojë kaq qartë" - thekson Papa Leoni - "bëhet njeri i pjekur, i lirë nga ambicia dhe llogaritja njerëzore, i gatshëm të japë veten pa rezerva".

Kisha kërkon seminaristë me zemër të pastër, që kërkojnë Krishtin, që nuk jetojnë me dy faqe e nuk lejojnë të merren me egoizëm a me kotësi.

Në përkim të plotë me Krishtin

Një zemër e pastër formohet në lutje, në një marrëdhënie personale me Jezusin, sepse "në të mësohet të njihet zëri i Zotit dhe të lejohet  udhëheqja prej Tij". "Koha kushtuar lutjes - pohon Papa - është investimi më i frytshëm në jetë, sepse atje Zoti formon ndjenjat tona, pastron dëshirat tona dhe forcon thirrjen tonë. Ai që flet pak me Zotin, nuk mund të flasë për Zotin! Shkrimi Shenjt kërkon ta njohim Zotin më thellë, sepse kështu bëhet miku ynë”.

Atje, ata që do të bëhet priftërinj zbulojnë se si mendon Krishti, si e sheh Ai botën, si preket nga të varfrit dhe pak nga pak ata përvetësojnë të njëjtat kritere e të njëtat sjellje.

Shtegu i vetëm

Rruga që duhet ndjekur për të qenë meshtar në shërbim të popullit të Zotit është ajo e studimit. "Pa studim serioz", thuhet në tekst, "nuk ka shërbesë të vërtetë baritore, sepse shërbesa lidhet ngusht me udhëheqjen e njerëzve drejt njohjes dhe dashurisë së Krishtit dhe, në Të, drejt gjetjes së shpëtimit". "Lutja dhe kërkimi i së vërtetës nuk janë rrugë paralele, por një rrugë e vetme, që të çon te Mësuesi Hyjnor", shton Papa. "Një doktrinë pa lutje, bëhet sterile dhe e ftohtë". Ftesa është t'i kultivojmë "me ekuilibër dhe pasion" për të shpallur atë që jetohet e duke e jetuar në mënyrë koherente, atë që shpallet. "Jeta shpirtërore dhe intelektuale", shkruan Leoni XIV, "janë të domosdoshme, por të dyja, të orientuara drejt altarit, vendit ku themelohet dhe zbulohet plotësisht identiteti meshtarak", kështu Eukaristia bëhet "qendra e vërtetë e ekzistencës".

Si një atë i vërtetë

Të bashkuar me Krishtin në Eukaristi, për të qenë etër jo sipas mishit, por sipas Shpirtit Shenjt. “Atësi meshtarake", thekson Papa në mesazhin e tij, "është ajo që ka fytyrën transparente të Atit, në mënyrë që ata që takojnë priftin, të ndiejnë dashurinë e Zotit".

Kjo atësi shprehet në qëndrime dhurimi: celibati si dashuri e pandarë për Krishtin dhe Kishën e tij; bindja si besim në vullnetin e Zotit; varfëria ungjillore si gatishmëri për të gjithë, së bashku me mëshirën dhe guximin që shoqërojnë plagët dhe na mbështesin në dhimbje. Në  të gjitha këto, prifti njihet si atë i vërtetë, i aftë t'i udhëheqë bijtë e tij shpirtëror drejt Krishtit me vendosmëri dhe dashuri. Nuk ka diçka të tillë si atësi gjysmë-rruge, as gjysmë-rruge priftërie.

Ikja nga mediokriteti

Si përfundim, Leoni XIV tërheq vëmendjen për t’u ruajtur nga disa "rreziqe shumë konkrete": "punë boshe, që e tret vizionin mbinatyror të realitetit, aktivizëm që lodh, shpërndarje dixhitale, që të grabit brendësinë, ideologji që devijojnë nga Ungjilli dhe, jo më pak serioze, vetmia e atyre që pretendojnë të jetojnë pa presbiteratin e deri pa vetë ipeshkvin e tyre".

Një meshtar i izoluar është i ligshtë. Vëllazëria dhe bashkësia meshtarake janë të natyrshme në thirrje. Kisha ka nevojë për barinj të shenjtë, që e dhurojnë veten së bashku, jo funksionarë të vetmuar; vetëm në këtë mënyrë mund të jenë dëshmitarë të besueshëm të kungimit, që e shpallin.

Një dhuratë e pamasë

Në fund të letrës, Papa Leoni siguron për afërsinë e tij dhe citon Shën Turibin e Mogrovejos, të cilit i pëlqente shumë të thoshte: "Koha nuk është e jona, është shumë e shkurtër, e Zoti do të na quaj përgjegjës për mënyrën se si e përdorëm".

Prej këndej, ftesa për ta shfrytëzuar sa më shumë çdo ditë, sepse është "thesar i pashoq".

Seminari është dhuratë e madhe dhe kërkuese, por nuk jeni kurrë vetëm në këtë shtegtim. Zoti, shenjtorët dhe mbarë Kisha ecin me ju, veçanërisht ipeshkvi juaj dhe formuesit tuaj, të cilët ju ndihmojnë të rriteni "derisa Krishti të jetë formuar në ju”. Merrni prej tyre udhëzime dhe korrigjime, si gjeste dashurie.

05 nëntor 2025, 15:50