Papa: në Nikea, një mesazh uniteti për të krishterët; në Liban, për paqen

Në Castel Gandolfo, Leoni XIV u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve jashtë Vilës Barberini. E përshkruan shtegtimin e tij të ardhshëm apostolik në Turqi e në Liban, si udhë shprese e paqeje. Lidhur me Ukrainën dhe Lindjen e Mesme, nxit për të kërkuar gjithnjë dialog e për t'i dhënë fund luftës. Përsa i përket temës të dhunës kundër grave, në Ditën që u kushtohet, pohon se duhet të ndryshojë mendësia, duke u nisur nga edukimi i të rinjve.

R.SH. / Vatikan 

"Jam shumë i lum, që do të mund ta vizitoj Libanin". Kështu iu përgjigj Papa Leoni XIV pyetjes lidhur me shtegtimin e tij të ardhshëm në Turqi e në Liban. Dyzet e tetë orë para nisjes së tij për në Ankara, Papa u kthye, mbrëmë, në Castel Gandolfo për ditën e tij javore të pushimit, por edhe të punës, siç u shpjegoi gazetarëve një javë më parë, jashtë rezidencës panore në Castel Gandolfo. E ashtu si të martën e kaluar, Papa Prevost iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve mbledhur në rrugë, së bashku me besimtarë të ndryshëm, që e përshëndesnin me britma e brohoritje.

Duke u nisur nga udhëtimi i tij i parë apostolik në dy vendet e Lindjes së Mesme, Turqi e Liban, udhëtim i cili do të përfshijë edhe një ndalesë në Iznik për 1700-vjetorin e Koncilit të Nikesë, Papa Leoni XIV theksoi se mesazhi që do të sjellë do të jetë ai i paqes dhe i shpresës, veçanërisht gjatë këtij Jubileu. "Do të jem shumë i lumtur - shtoi ai - t’i përshëndes të gjithë njerëzit". Më pas saktësoi se udhëtimi u krijua për të kremtuar përvjetorin e Koncilit të Nikesë. "Disa ditë më parë"- nënvizoi - "botuam një dokument duke folur pikërisht për rëndësinë e unitetit në fe, që mund të jetë edhe burim paqeje për të gjithë botën. Duhet të jemi dëshmi". Kështu u shpreh Papa e, duke kujtuar më pas edhe takimet me Patriarkun e Kostandinopojës, Bartolomeun, pohoi: "Mendoj se do të jetë mundësi e jashtëzakonshme për ta forcuar unitetin ndërmjet gjithë të krishterëve".

Armët nuk janë përgjigje

Lidhur me bombardimet e Izraelit në Bejrut kundër lagjeve të Hezbollah, Leoni XIV - i pyetur në anglisht - pranoi se "ka arsye për shqetësim". Më pas bëri thirrje, duke i ftuar të gjithë "të kërkojnë mënyra për të braktisur përdorimin e armëve si mjet për zgjidhjen e problemeve". Kërkoi edhe respekt të ndërsjellë, ulje së bashku në tryezë për të rifilluar dialogun dhe "punën për të gjetur zgjidhjen e problemeve, që na shqetësojnë". Është e nevojshme të "inkurajohen të gjithë njerëzit për të kërkuar paqe" - theksoi Papa - duke kujtuar Izraelin dhe Hezbollahun - "e për të kërkuar drejtësi, sepse dhuna shpesh është rezultat i padrejtësisë". Papa Leoni XIV beson edhe se është e nevojshme të punohet së bashku për unitet më të madh e për respekt më të madh ndërmjet njerëzve si dhe për të gjitha fetë.

Në Ukrainë vijojnë vdekjet

Pyetjet e gazetarëve prekën çështjet aktuale, e Papa u përqendrua te Ukraina, në luftë që tre vjet, në një kohë kur po diskutohet plani i paqes i propozuar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

"Duhet të presim. Faleminderës Zotit, ata po punojnë, faleminderës Zotit" - vazhdoi Leoni XIV - duket se po afrohen. Ka disa probleme në dialog, por do të doja t'i ftoja të gjithë në armëpushim, sepse shumë njerëz po vijojnë ende të vdesin". Prandaj të rinis dialogu, për të gjetur zgjidhje.

Një mendësi e re

Lidhur me dramën e dhunës kundër grave, në Ditën e djeshme kushtuar pikërisht kësaj teme, Papa pohoi se duhet të "fillojmë me edukimin e të rinjve" sepse "çdo njeri meriton respekt" dhe “çdo qenie njerëzore” ka dinjitetin e vet. Thirrja e tij është t'i japim fund dhunës, e cila shpesh prek edhe të rinjtë, duke krijuar "mendësi të ndryshme". "Ne duhet të jemi njerëz paqeje, që i duam të gjithë".

Ta falënderojmë Zotin

Së fundmi, Papa Leoni XIV e kënaqi kureshtjen e gazetarëve, amerikanë si ai, duke përshkruar se si, ashtu si amerikanët, do ta jetojë Ditën e Falënderimit, e cila bie pikërisht gjatë udhëtimit të tij.

"Ka shumë gjëra për të cilat jam mirënjohës. Do të doja t'i inkurajoja të gjithë, veçanërisht me rastin e kësaj feste të bukur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që i bashkon njerëzit me fe të ndryshme ose që nuk e kanë fare dhuratën e fesë, për të falënderuar dikë, për të pranuar se të gjithë kemi marrë shumë dhurata, para së gjithash dhuratën e jetës, dhuratën e fesë, dhuratën e unitetit". Për më shumë, Papa na inkurajon të "nxisim paqen dhe harmoninë dhe ta falënderojmë Zotin, për çka na dhuroi!”.

26 nëntor 2025, 11:33