Papa: në një botë që vuan nga lufta, të bëhemi ndërtues të vëllazërisë

Para kremtimit të Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, Leoni XIV kujtoi "festën e madhe" për të cilën është e paracaktuar familja njerëzore, në kundërshtim me tragjeditë e vuajtura për shkak të padrejtësive të së tashmes. Më pas ia drejtoi përshëndetjet delegacionit të Kishës së Anglisë, në Romë për shpalljen e Shën Gjon Henri Newman Doktor i Kishës, si dhe pjesëmarrësve në "Garën e Shenjtorëve"

R.SH. / Vatikan

Festa e të Gjithë Shenjtorëve është kujtim i gjallë, frymëmarrje “me gjithë mushkëritë” e festës së madhe, për të cilën është paracaktuar njerëzimi. Çka e mbyt, ndërkaq, janë konfliktet dhe padrejtësitë e së tashmes, në një kohë kur familja njerëzore është thirrur t'i përballojë duke u bërë ndërtuese e vëllazërisë. Nën qiellin e kthjellët të kësaj paradite në Romë, 1 nëntor, në thirrjet që i paraprinë lutjen e Engjëllit të Zotit kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa Leoni XIV bëri një paralele ndërmjet çështjeve më të lumtura të së ardhmes - dhe më urgjenteve të së tashmes. Solemniteti i Gjithë Shenjtorëve e drejton shikimin tonë drejt "realitetit të ardhshëm" qiellor, gëzim i ndarë me Zotin, "i pranishëm në të gjithë", i aftë të zbulojë "bukurinë shumëplanëshe të fytyrave, të gjitha të ndryshme, e të gjitha të ngjashme me Fytyrën e Krishtit". Kjo është në kontrast të fortë dhe "të dhimbshëm" me dramat aktuale, zgjidhja e të cilave i është besuar ndërmjetësimit të Virgjërës Mari dhe gjithë Shenjtorëve.

Përshëndetje delegacionit të Kishës së Anglisë

Në thirrjet para lutjes mariane të Engjëllit të Zotit, Papa Leoni XIV mirëpriti dhe përshëndeti delegacionin e Kishës së Anglisë të kryesuar nga Kryeipeshkvi i Jorkut, Stephen Cottrell. Një prani që e rigjallëroi "gëzimin" e përbashkët disa ditë më parë në "takimin historik të lutjes" me Mbretin Charles III i Anglisë në Kapelën Sikstine. Shpresohet se Doktori i saposhpallur i Kishës katolike, Shën John Henry Newman, "do ta shoqërojë udhën e të krishterëve në shtegtimin e tyre drejt unitetit të plotë".

Solidariteti i "Garës së Shenjtorëve"

Së fundi, Papa Prevost u drejtoi përshëndetjet e tij pjesëmarrësve të rinj në 'Garën e Shenjtorëve', ngjarje "që bashkon sportin dhe solidaritetin - me fëmijët që jetojnë në kushte më të vështira". I arritur në vitin e shtatëmbëdhjetë dhe i organizuar nga Misioni Don Bosco, gara kaloi në zemër të qendrës historike të Romës përmes një udhe të veçantë me rastin e Jubileut, duke lidhur katër bazilikat papnore të Romës.

01 nëntor 2025, 13:51