Papa: në proceset e pavlefshmërisë martesore të kompensohen mëshira dhe drejtësia
R.SH. – Vatikan
Proceset e pavlefshmërisë martesore nuk duhet të konsiderohen si "një fushë thjesht teknike" që intereson "ekskluzivisht specialistët", as mjete që synojnë "vetëm të fitojnë statusin e lirë të personave". Ato përfshijnë dimensionin juridik, atë kishtar dhe atë britor, të cilat janë të ndërlidhura. Leoni XIV e thekson këtë para pjesëmarrësve të Kursit Ndërkombëtar të promovuar nga Gjykata e Rota Romana, me titull: "Dhjetë vjet nga reforma e procesit martesor kanonik" sipas vullnetit të Papa Françeskut dhe të pritur në audiencë sot, më 21 nëntor, në Sallën Klementine në Pallatin Apostolik, në Vatikan.
"Pushtet i shenjtë" dhe "shërbim i së vërtetës"
Në fjalimin e tij të gjatë, Papa Leoni XIV fton të reflektohet, para së gjithash, mbi dy supozime ekleziologjike të proceseve gjyqësore kishtare: "pushteti i shenjtë", "pjesëmarrje" në atë "të Krishtit", që ushtrohet aty "në shërbim të së vërtetës", si "udhë për të njohur dhe përqafuar të Vërtetën e fundit, që është vetë Krishti", dhe "misteri i besëlidhjes bashkëshortore".
Në pushtetin gjyqësor vepron një aspekt themelor i shërbimit baritor: diakonia e së vërtetës. Çdo besimtar, çdo familje, çdo bashkësi ka nevojë për të vërtetën rreth situatës së saj kishtare, në mënyrë që të ecë mirë në rrugën e fesë dhe të dashurisë. Në këtë kornizë vendoset e vërteta mbi të drejtat personale dhe komunitare: e vërteta juridike e shpallur në proceset kishtare është një aspekt i së vërtetës ekzistenciale në kuadër të Kishës.
Mëshira dhe drejtësia
Por Leoni ndalet te Jezusi Gjykatës “i butë dhe i mëshirshëm”, siç paraqitet në dy Motu proprio që nisën reformën e procesit kanonik për shpalljen e pavlefshmërisë së martesës - Mitis Iudex Dominus Iesus për Kodin e të Drejtës Kanonike, dhe Mitis et Misericors Iesus për Kodin e Kanoneve të Kishave Lindore. Nëse “në gjykimin e Zotit mbi shpëtimin është gjithmonë vepruese falja e tij për mëkatarin e penduar”, “gjykimin njerëzor mbi pavlefshmërinë martesore nuk duhet, megjithatë, ta manipulojë një mëshirë e rreme”. Sepse duhet konsideruar “e padrejtë çdo veprimtari që bie në kundërshtim me shërbimin e procesit ndaj së vërtetës”. Por mbetet fakti se “në ushtrimin e drejtë të pushtetit gjyqësor duhet ushtruar mëshira e vërtetë”. Për ta shpjeguar më mirë të gjithë këtë, Papa Leoni XIV citon Shën Augustinin, i cili në De civitate Dei shkruan: “Çfarë është mëshira nëse jo njëfarë dhembshurie e zemrës sonë ndaj mjerimit të tjetrit, përmes së cilës, nëse na është e mundur, shtyhemi ta lehtësojmë? Dhe kjo lëvizje është e dobishme për arsyen kur mëshira ofrohet në mënyrë që të ruhet drejtësia, si në ndihmën ndaj nevojtarit ashtu edhe në faljen e të penduarit”.
Në këtë dritë, procesi i pavlefshmërisë martesore mund të shihet si një kontribut i veprimtarëve të së drejtës për të plotësuar nevojën për drejtësi që është kaq e thellë në ndërgjegjen e besimtarëve, dhe për të realizuar kështu një vepër të drejtë të nxitur nga mëshira e vërtetë. Qëllimi i reformës, që synon aksesueshmërinë dhe shpejtësinë në procese, megjithatë kurrë në dëm të së vërtetës, shfaqet kështu si manifestim i drejtësisë dhe i mëshirës.
Martesa kanonike e dashurisë së vërtetë mes burrit dhe gruas
Leoni XIV thekson, pastaj, se në procesin e pavlefshmërisë së martesës duhet gjithmonë të merret parasysh “supozimi teologjik” i martesës, “siç është themeluar nga Krijuesi”, dhe thekson se ky sakrament është “kanuni i dashurisë së vërtetë mes burrit dhe gruas”.
Në Jubileun e familjeve kam kujtuar se “martesa nuk është një ideal, por kanuni i dashurisë së vërtetë mes burrit dhe gruas: dashuri totale, besnike, e frytshme”. Siç ka theksuar Papa Françesku, martesa «është një realitet me një konsistencë të saktë», “është një dhuratë e Zotit për bashkëshortët”.
Në çështjet e pavlefshmërisë së martesës është, pra, vendimtare, për Papën, “ndërgjegjësimi për të vepruar në shërbim të së vërtetës së një bashkimi konkret”, duke vlerësuar para Zotit nëse ekziston “misteri i një mishi të vetëm”, domethënë të qenit një trup i vetëm, “që ekziston përgjithmonë në jetën tokësore të bashkëshortëve, pavarësisht çdo dështimi relacional”.
Procesi gjyqësor instrument i drejtësisë
Shërbimi ndaj së vërtetës është theksuar disa herë nga Papët, nënvizon Leoni XIV, duke kujtuar se Benedikti XVI, në fjalimin e tij në Rota Romana më 28 janar 2006, e përkufizon procesin kanonik të pavlefshmërisë së martesës “në thelb një instrument për të vërtetuar të vërtetën mbi lidhjen bashkëshortore”, qëllimi “kushtetues” i të cilit është “të ofrojë një shërbim ndaj së vërtetës”, ndërsa Papa Françesku në parathënien e Mitis Iudex, “duke saktësuar kuptimin e reformës”, specifikon se ka dashur të ndjekë “gjurmët” e paraardhësve të tij “të cilët kanë dashur që çështjet e pavlefshmërisë së martesës të trajtohen në rrugë gjyqësore, dhe jo administrative” për “të mbrojtur në masën më të madhe të vërtetën e lidhjes së shenjtë”.
Duhet vlerësuar institucioni i procesit gjyqësor, duke e parë atë jo si një grumbullim të ngathët kërkesash procedurale, por si një instrument drejtësie. Në fakt, ngritja e një çështjeje duke siguruar që palët, përfshirë mbrojtësin e lidhjes, të mund të sjellin prova dhe argumente në mbështetje të pozicionit të tyre, dhe të mund të njohin dhe vlerësojnë të njëjtat elemente të sjella nga pala tjetër, në një debat të udhëhequr dhe të përfunduar nga një gjyqtar i paanshëm, përbën një të mirë të madhe për të gjithë të interesuarit dhe për vetë Kishën.
