Papa: në udhën drejt Unitetit, deri në Jerusalem, në Jubileun 2033
R.SH. / Vatikan
Lutje e vazhdueshme dhe e palodhur për të vazhduar ecjen së bashku në rrugën e unitetit. Kjo, siguria që u dha Papa Leoni XIV në përfundim të takimit të paradites së sotme, 29 nëntor, udhëheqësve dhe përfaqësuesve të Kishave dhe bashkësive të krishtera, në Kishën Ortodokse Siriane të Mor Efremit, në Stamboll. Kështu njofton Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.
Takimi u zhvillua pas vizitës në Xhaminë Blu. Papa Leoni XIV shkoi me makinë në Kishën e Mor Efremit, në Yeşilköy, në anën evropiane të Stambollit. E kushtuar Efremit Sirian, Kisha u përurua në vitin 2023 - pas ndërtimit që zgjati rreth një dekadë e pas disa shtyrjeve për shkak të pandemisë Covid dhe tërmetit. Është Kisha e parë dhe, deri tani, e vetmja e ndërtuar në Turqi (Türkiye) që nga themelimi i Republikës. Këtu, Papa u takua me shumë përfaqësues të bashkësive të krishtera, të gjithë ulur rreth një tryeze të rrumbullakët. U prit nga Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu, të cilin do ta takojë përsëri në Fanar, seli e Patriarkanës, në fillim të pasdites, për të nënshkruar një Deklaratë të përbashkët.
Takime të reja dhe kumtimi i kerygmës
Disa nga të pranishmit ishin dje edhe në Iznik, në ceremoninë përkujtimore të 1700-vjetorit të Koncilit të Nikesë. Gjatë takimit në Kishën e Mor Efremit, Papa Leoni kujtoi posaçërisht kremtimin e djeshëm në Iznik, "qendra e të cilit ishte Ungjilli i Mishërimit të Zotit". E më pas shprehu besimin se "do të lindin takime dhe çaste të reja, si ai që u jetua, e me ato Kisha, që nuk mundën të ishin të pranishme". Pastaj "foli për primatin e ungjillëzimit e shpalljen e kerygmës dhe kujtoi sesi përçarja ndërmjet të krishterëve është pengesë për dëshminë e tyre".
Ta përtërijmë fenë tonë
Në Kishën e Mor Efremit, Papa Leoni XIV la një mesazh anglisht në Librin e Nderit: "Në këtë rast historik, ndërsa kremtojmë 1700-vjetorin e Koncilit Ekumenik të Nikesë, mblidhemi - shkroi Papa - për të ripërtërirë fenë tonë në Jezu Krishtin, Zot i vërtetë e njeri i vërtetë, duke kremtuar fenë që e kemi së bashku. I uroj çdo bekim të gjithë atyre që u mblodhën këtu dhe të gjitha bashkësive që i përfaqësojnë".
Akti i parafundit i ditës do të zhvillohet pas Doksologjisë, çast ritual në Kishën Patriarkale të Shën Gjergjit, para Meshës, për të cilën parashikohen më se 4,000 vetë.
