Papa në Verano: Zoti ka hapur një kalim të jetës së përjetshme në tunelin e vdekjes

Leoni XIV kremton Meshën për Përkujtimin e besimtarëve të vdekur në Varrezat Monumentale të Romës, ku, sapo mbërriti sot pasdite, vendos një tufë trëndafilash mbi një varr. Rreth 2.500 besimtarë të pranishëm. Në homeli, Papa kujton se "feja e krishterë ndihmon për të jetuar kujtesën, jo vetëm si kujtim të së kaluarës, por edhe si shpresë për të ardhmen: "Nuk është një iluzion për të qetësuar dhimbjen, është shpresa e bazuar në ringjallje". Në Vatikan lutja në kripten e Bazilikës së Shën Pjetrit

R.SH. - Vatikan

Kumti i jetës - asaj të përjetshme, dhuruar nga Krishti - kumbon mes gurëve të varreve dhe varreve të të vdekurve: Zoti "do ta zhdukë vdekjen përgjithmonë. Krishti e ka mundur atë përgjithmonë duke hapur një kalim të jetës së përjetshme, domethënë duke bërë Pashkën, në tunelin e vdekjes, sepse, të bashkuar me Të, edhe ne mund të hyjmë dhe ta kalojmë atë. Feja e krishterë, e themeluar në Pashkët e Krishtit, na ndihmon për ta jetuar kujtesën jo vetëm si kohë të së kaluarës, por edhe, mbi të gjitha, si shpresë për të ardhmen. Kështu tha Papa Leoni në homelinë e Meshës në përkujtim të të gjithë besimtarëve të vdekur, kremtuar sot pasdite në varrezat monumentale të Veranos, në Romë, në prani të mëse dymijëpesqindë besimtarëve.

Në vazhdim homelia e Leonit XIV

Homelia e Papës në  kujtim të të Gjithë Besimtarëve të ndjerë

Varrezat e Veranos, Romë

2 Nëntor 2025

Të dashur vëllezër dhe motra,

u mblodhëm në këtë vend për të kremtuar përkujtimin e të gjithë besimtarëve të vdekur, veçanërisht atyre që u varrosën këtu dhe, me dashuri të pafund, të të dashurve tanë. Në ditën e vdekjes së tyre, na lanë, por ne gjithmonë i kemi me vete në kujtesën e zemrave tona. Në çdo ditë, e në gjithçka rijetojmë, edhe kjo kujtesë jeton. Shpesh ka diçka që na çon tek ata, ngjarje që na kujtojnë çka përjetuam me ta. Shumë vende, madje edhe aromat e shtëpive tona, na flasin për ata që i donim, që nuk janë më me ne, dhe e mbajnë gjallë kujtimin e tyre. Megjithatë, sot nuk jemi këtu vetëm për të përkujtuar ata që ndërruan jetë nga kjo botë.

Feja e krishterë, e themeluar në Pashkët e Krishtit, na ndihmon për ta jetuar kujtesën jo vetëm si kohë të së kaluarës, por edhe, mbi të gjitha, si shpresë për të ardhmen. Nuk është aq shumë kthim prapa, por më tepër vështrim përpara, drejt cakut të shtegtimit tonë, drejt portit të sigurt që Zoti na e premtoi e drejt festës së pafundme, që na pret. Atje, të rrethuar nga Zoti i Ngjallur dhe të dashurit tanë, do të shijojmë gëzimin e banketit të përjetshëm: "Në atë ditë", dëgjuam në leximin e profetit Izaia, "Zoti i ushtrive do të përgatisë për të gjithë popujt mbi këtë mal një banket me ushqime të shijshme. […] Ai do ta zhdukë vdekjen përgjithmonë" (Is 25,6, 8).

Kjo "shpresë e ardhshme" gjallëron kujtesën dhe lutjen tonë në këtë ditë. Nuk është iluzion që shërben për të qetësuar dhimbjen e ndarjes nga të dashurit, as thjesht optimizëm njerëzor. Është shpresa e themeluar në ringjalljen e Jezusit, i cili e mundi vdekjen dhe e hapi edhe për ne kalimin drejt përsosurisë së jetës. Ai - siç e kujtova në një katekizëm të kohëve të fundit - është “pika e mbërritjes së shtegtimit tonë. Pa dashurinë e tij, udhëtimi i jetës do të bëhej endje pa destinacion, gabim tragjik me një cak të humbur” […]

I Ngjalluri garanton mbërritjen tonë, ai na çon në shtëpi, ku na presin, na duan, na shpëtojnë” (Audiencë e Përgjithshme, 15 tetor 2025).

E ky cak i fundit, banketi rreth të cilit Zoti do të na mbledhë, do të jetë  takim dashurie. Zoti na krijoi nga dashuria e në dashurinë e Birit të tij na shpëton nga vdekja; në gëzimin e dashurisë me të dhe me të dashurit tanë,  dëshiron që ne të jetojmë përgjithmonë. Pikërisht për këtë arsye udhëtojmë drejt qëllimit dhe e parashikojmë, në një lidhje të pathyeshme me ata që  shkuan para nesh, vetëm kur jetojmë në dashuri dhe praktikojmë dashurinë për njëri-tjetrin, veçanërisht për më të brishtët dhe më të varfrit. Në të vërtetë, Jezusi na fton me këto fjalë:

"Pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë, isha i huaj dhe më pritët, isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe më vizituat, isha në burg dhe erdhët tek unë" (Mt 25,35-36).

Dashuria e mposht vdekjen. Në dashuri, Zoti do të na mbledhë së bashku me të dashurit tanë:

Nëse ecim në dashuri, jeta jonë bëhet lutje që lartohet dhe na bashkon me të ndjerët, duke na afruar me ta, në pritje të takimit përsëri me ta në gëzimin e përjetësisë.

Vëllezër dhe motra të dashur, ndërsa dhimbja e mungesës së atyre që nuk janë më ndërmjet nesh mbetet e ngulitur në zemrat tona, le t'ia besojmë veten shpresës që nuk zhgënjen (Rom 5,5); le të shikojmë Krishtin e Ngjallur dhe të mendojmë për të dashurit tanë të vdekur sikur të ishin të mbështjellë nga drita e tij; le të lejojmë që premtimi i Zotit për jetën e amshuar të jehojë brenda nesh.

Ai do ta zhdukë vdekjen përgjithmonë. E mundi përgjithmonë duke hapur një shteg drejt jetës së përjetshme - domethënë, duke kremtuar Pashkët - në tunelin e vdekjes, në mënyrë që, të bashkuar me Të, edhe ne të mund të hyjmë dhe të kalojmë nëpër të.

Ai na pret, dhe kur ta takojmë, në fund të kësaj jete tokësore, do të gëzohemi me Të dhe me të dashurit tanë që na prinë.  

Na mbështestë ky premtim, na i thaftë lotët dhe na e drejtoftë shikimin përpara, drejt asaj shprese të ardhshme, që nuk mungon kurrë!

02 nëntor 2025, 18:56