Papa: Nikea i fton të krishterët për unitet përballë dhunës dhe konfliktit

Papa Leoni XIV lutet me krerët e Kishave të ndryshme të krishtera në Nikea, Izniku i sotëm, në Turqi, dhe i fton të gjithë të krishterët të ndjekin rrugët e takimit vëllazëror, të dialogut dhe bashkëpunimit.

R.SH. / Vatikan

Në Nikenë e lashtë, Papa Leoni XIV u bashkua me rreth 27 udhëheqës të tjerë të Kishave të krishtera për të përkujtuar 1700-vjetorin e Koncilit të Parë Ekumenik në historinë e Kishës.

Lutja ekumenike u lartua ditën e dytë të Udhëtimit Apostolik të Papës në Turqi.

Në fjalimin e tij, Papa Leoni XIV falënderoi Bartolomeun I, Patriark Ekumenik i Kostandinopojës, për "urtinë dhe largpamësinë e tij të madhe" në thirrjen që u bëri prijësve të Kishës për të festuar së bashku këtë përvjetor të rëndësishëm.

Papa shprehu mirënjohjen e tij edhe Krerëve të Kishave dhe Përfaqësuesve të Bashkësive Botërore të Krishtera, për pjesëmarrjen e tyre në këtë ngjarje kaq të rëndësishme e historike. Papa Leoni kujtoi se Koncili i Nikesë u mbajt në vitin 325,  duke pohuar ky Koncil se i fton të gjithë të krishterët, edhe sot, të pyesin veten se kush është Jezu Krishti për ne, personalisht.

“Kjo pyetje është veçanërisht e rëndësishme për të krishterët”, theksoi Leoni XIV, “të cilët rrezikojnë ta reduktojnë Jezu Krishtin në një lloj udhëheqësi karizmatik ose mbinjeriu, keqinterpretim që, në fund të fundit, çon në trishtim dhe konfuzion”.

Koncili u mbajt për t'iu përgjigjur pretendimit të priftit aleksandrin Arius sipas të cilit Jezusi ishte vetëm ndërmjetës i Zotit e i njerëzimit, e nuk ishte plotësisht hyjnor, duke injoruar kështu, realitetin e Mishërimit.

“Por nëse Zoti nuk u bë njeri, si mund të marrin pjesë krijesat e vdekshme në jetën e Tij të pavdekshme?” - pyeti Papa Leoni. “Ajo që ishte në lojë në Nikea, e është në rrezik edhe sot, është feja jonë në Zotin që, në Jezu Krishtin, u bë si ne për të na bërë ‘pjesëmarrës të natyrës hyjnore’”.

Koncili i Nikesë, pohoi, ra dakord për rrëfimin kristologjik, që tani e quajmë Kredoja e Nikeas, e cila shpallet nga të gjitha Kishat dhe Bashkësitë e Krishtera. Simboli a Besojma e Fesë, siç dihet, ka “rëndësi themelore në udhëtimin që po bëjnë të krishterët drejt bashkimit të plotë”. “Feja ‘në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin, Bir i Njëlindur i Zotit, i lindur nga Ati para të gjithë shekujve... i një gjëje me Atin’ (Kredoja e Nikeas)”, tha ai, “është lidhje e thellë që tashmë i bashkon të gjithë të krishterët”.

Papa i ftoi të krishterët ta përqafojnë këtë lidhje ekzistuese uniteti dhe të bëjnë një udhë gjithnjë e më të thellë në “pranimin e Fjalës së Zotit të zbuluar në Jezu Krishtin, të prirë nga Shpirti Shenjt, në dashuri dhe dialog reciprok”. Duke kapërcyer përçarjet dhe duke u pajtuar me njëri-tjetrin, të krishterët mund të japin dëshmi më të besueshme për Jezu Krishtin dhe shpalljen e Tij të shpresës për të gjithë, tha ai.

Papa Leoni XIV vijoi të pohojë se uniteti i krishterë është shumë i nevojshëm në botën tonë të mbushur me dhunë dhe konflikte. “Dëshira për bashkim të plotë ndërmjet të gjithë besimtarëve në Jezu Krishtin shoqërohet gjithmonë me kërkimin e vëllazërisë ndërmjet të gjitha qenieve njerëzore”, tha ai, duke bërë thirrje për njohjen e të drejtave dhe dinjitetit të të gjithë njerëzve, pavarësisht etnisë, kombësisë, fesë apo perspektivave personale.

Ati i Shenjtë mbështeti edhe rolin e feve në shërbim të së vërtetës dhe në inkurajimin e njerëzve për të kërkuar dialog dhe respekt. “Ne duhet ta hedhim poshtë me forcë përdorimin e fesë për të justifikuar luftën, dhunën ose çdo formë fundamentalizmi apo fanatizmi”, tha Papa. “Në vend të kësaj, rrugët që duhen ndjekur janë ato të takimit vëllazëror, dialogut dhe bashkëpunimit”.

Në përfundim, Papa Leoni u lut që Zoti Atë ta ndihmojë përkujtimin e 1700-vjetorit të Koncilit të Nikesë që të japë “frytet e begata të pajtimit, unitetit dhe paqes”.

28 nëntor 2025, 15:54