Papa viziton Xhaminë Blu dhe Kishën e Mor Efremit
R.SH. / Vatikan
"Papa e jetoi vizitën e tij në Xhami në heshtje, me frymë kujtimesh”. Këtë e theksoi Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, duke kujtuar vizitën e Leonit XIV në Xhaminë e Sulltan Ahmedit në Stamboll, e njohur edhe si Xhamia Blu, vizituar sot në mëngjes.
Xhamia është e veçantë kryesisht për 21,043 pllakat prej qeramike ngjyrë të bruztë, të vendosura në mure dhe në kupolë, si dhe për pjesën e brendshme të saj, me një tavan shumë të lartë, të ndriçuar nga 260 dritare. Këtu Papa Leoni bëri ndalesën e parë në ditën e tij të tretë në Turqi. Gjatë vizitës në Xhaminë Blu, zhvilluar herët në mëngjes, Papa, siç e shpjegon Salla e Shtypit e Vatikanit, "e bëri vizitën e tij në Xhami në heshtje, me një frymë kujtimesh dhe dëgjimi, me respekt të thellë për vendin dhe për "besimin e atyre që mblidhen atje në lutje".
Papa në Kishën Ortodokse Siriane të Mor Efremit
Pas vizitës së tij në xhami, Ati i Shenjtë udhëtoi me makinë drejt Kishës Ortodokse Siriane të Mor Efremit për një takim privat me Krerët e Kishave dhe Bashkësive të Krishtera.
Me mbërritjen e tij, u prit nga Patriarku Ortodoks Sirian dhe Metropoliti i Kishës Ortodokse Siriane të Antiokisë për dioqezat e Stambollit, Ankarasë dhe Izmirit. Patriarku dhe Papa hynë në Kishë dhe u bashkuan me udhëheqësit fetarë për një foto në grup.
Më pas, kori këndoi një këngë lutjeje për Shpirtin Shenjt dhe prijësit zunë vendet e tyre në tryezën e rrumbullakët.
Takimi vazhdoi pas dyerve të mbyllura, me ndërhyrje të shkurtra nga secili udhëheqës, të ndjekura nga një fjalim i Papës. Para se të largohej nga Kisha, Vikari Patriarkal i Kishës Ortodokse Siriane të Antiokisë kremtoi Lutjen drejtuar Zotit. Në fund të takimit privat, Papa u largua me makinë drejt Delegacionit Apostolik.
