Në nëntor, Papa na fton të lutemi për parandalimin e vetëvrasjes

Në videomesazhin kushtuar ndjetit të lutjes për muajin nëntor, Leoni XIV fton të kërkojmë hirin nga Zoti që ata “që jetojnë në errësirë dhe dëshpërim” të gjejnë gjithmonë ndihmën e një komuniteti, që mund t’i “shërojë plagët” dhe të “ndërtojë lidhje”. Për të rizbuluar së bashku “se jeta është dhuratë” e Atit dhe se ka “bukuri” e “kuptim” edhe “në mes të dhimbjes e vuajtjes”. Edhe besimtarët mund të jenë “të prekshëm”: çdo ditë në botë 2 mijë persona i japin fund jetës.

R.SH. – Vatikan

“Të lutemi që personat që luftojnë me mendime vetëvrasëse të gjejnë në komunitetin e tyre mbështetjen, ndihmën dhe dashurinë që u nevojitet dhe të hapen ndaj bukurisë së jetës”. Me këto fjalë Papa Leoni XIV, në anglisht, prezanton ndjetin e tij të lutjes për muajin nëntor, në videomsazhin e përgatitur dhe shpërndarë nga Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës, me mbështetjen e dioqezës amerikane të Phoenix (Arizona).

Të bëhemi të afërm, me respekt dhe butësi

Kishës – dioqezave, famullive, kongregatave rregulltare, shoqatave të besimtarëve – Papa u kërkon të parandalojnë që vuajtja e personave të dëshpëruar, që përjetojnë tundimin për t'i dhënë fund jetës, të bëhet edhe më e patolerueshme nga vetmia. Të gjithë, edhe besimtarët, “mund të jenë të prekshëm nga trishtimi i pa shpresë”. Për këtë Leoni XIV fton të kërkojmë nga Zoti që të na mësojë “të bëhemi të afërm” “me respekt dhe butësi”, me “një zemër të hapur e të dhembshur”, dhe të inkurajojmë personat në nevojë të kërkojnë “ndihmën e nevojshme profesionale”.

Ky është teksti i lutjes:

Zot Jezus, ti që i fton të lodhurit dhe të shtypurit të vijnë tek ti dhe të gjejnë prehje në Zemrën tënde, të lutemi këtë muaj për të gjithë personat që jetojnë në errësirë dhe dëshpërim,

dhe në veçanti për ata që luftojnë me mendime vetëvrasëse.

Le të gjejnë gjithmonë një komunitet që i mirëpret, që i dëgjon dhe që i shoqëron.

Na jep të gjithëve një zemër të vëmendshme dhe të dhembshur,

të aftë të ofrojë ngushëllim dhe mbështetje,

edhe me ndihmën e nevojshme profesionale.

Na mëso të bëhemi të afërm me respekt dhe butësi,

duke ndihmuar në shërimin e plagëve, në ndërtimin e lidhjeve dhe në hapjen e horizonteve.

Na ndihmo të rizbulojmë së bashku se jeta është një dhuratë,

që gjithsesi ka bukuri e ka një kuptim edhe në mes të dhimbjes dhe vuajtjes.

Jemi të vetëdijshëm se edhe ata që të ndjekin Ty

mund të jenë të prekshëm nga trishtimi i pa shpresë.

Të kërkojmë, o Jezus, të na bësh të ndiejmë gjithmonë dashurinë tënde

në mënyrë që, përmes afërsisë tënde,

të mund ta njohim dhe t’ua shpallim të gjithëve dashurinë e pafundme të Atit

që na merr për dore, për të rinovuar besimin tonë në jetën që na dhuron.

Amen.

Imazhet e xhiruara në Phoenix, Arizona

Imazhet e videos, të xhiruara në dioqezën e Phoenix, Arizona, tregojnë historinë me fund të lumtur të një burri dhe një gruaje, të mbështetur nga komuniteti, nga lutja dhe nga ndihma profesionale. Dioqeza amerikane e Phoenix e ka vendosur temën e shëndetit mendor ndër prioritetet e veprimtarisë së saj baritore, me një zyrë të saj për shërbimin e shëndetit mendor. Ajo ofron hapësira dëgjimi, organizon kurse trajnimi në komunitet, ka nisur partneritete me organizata lokale dhe struktura shëndetësore, kremton çdo vit një Meshë përkujtimore për personat e vdekur nga vetëvrasja. Përveç kësaj, dioqeza amerikane e Phoenix ofron udhëzime se si të ndihmosh dikë që po mendon të vetëvritet dhe promovon fushata për të reduktuar stigmën rreth sëmundjeve mendore. Ipeshkvi i Phoenix: lutja që e kamë përzemër

Ky ndjet lutjeje “është shumë afër zemrës sime” komenton ipeshkvi i Phoenix, monsinjor John Dolan. “Kam përjetuar personalisht rrugën e dhimbshme të zisë për vetëvrasje – tregon prelati – Kam humbur vëllain tim Tom, motrat e mia Terese e Mary dhe kunatin tim Joe, të gjithë të vdekur nga vetëvrasja. Ka plagë dhe mistere që nuk mund t'i kuptojmë. Dhe megjithatë, kemi shpresë! Besojmë në një Atë të dashur që i mban afër vetes të dashurit tanë. Nëse ndihesh i thyer, nëse po lufton me mendime vetëvrasëse, dije se je thellësisht i dashur dhe se Kisha është këtu për ty. Nuk je vetëm”.

Vetëvrasja, një problem global

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë çdo vit në botë i japin fund jetës rreth 720 mijë persona, pak më pak se 2 mijë në ditë. Mbi gjysma e vetëvrasjeve globale (56 për qind) ndodhin para moshës 50 vjeç, dhe veçanërisht e prekur është grupmosha 15-29 vjeç: për këtë grup moshe vetëvrasja është shkaku i tretë i vdekjes, dhe ndër vajzat e të rejat është madje i dyti.

Dëgjimi dhe lutja, angazhimi i Rrjetit Botëror

At Cristóbal Fones, drejtor ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës, thekson se Kisha nuk zëvendëson profesionistët e shëndetit – psikologë, mjekë, terapistë – por mund të luajë një rol vendimtar duke ofruar afërsi, dëgjim dhe shpresë. “Edhe për këtë, Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës i intereson veçanërisht shëndeti mendor: çdo muaj, në aplikacionin Click To Pray, i dedikojmë një ditë të veçantë lutjeje këtij qëllimi, për të mbështetur ata që kalojnë momente brishtësie”.

Çfarë thotë Katekizmi

Katekizmi i Kishës Katolike, në numrat 2280 deri 2283, kujton se vetëvrasja kundërshton dashurinë ndaj vetes, ndaj të tjerëve dhe ndaj Zotit; megjithatë, çrregullime të rënda psikike, ankthi ose frika e rëndë e provës, vuajtjes ose torturës mund të zbusin përgjegjësinë personale. Në të njëjtën kohë fton të mos dëshpërohemi për shpëtimin e përjetshëm të atij që i ka dhënë fund jetës, duke ia besuar atë mëshirës së Zotit dhe lutjes së komunitetit.

Konferenca e ministrave për shëndetin mendor

Praktika kishtare sot është përgjithësisht shumë respektuese ndaj personave që vdesin nga vetëvrasja, edhe sepse vitet e fundit Kisha ka rritur gradualisht vëmendjen ndaj shëndetit mendor, në lutje dhe në veprimtari baritore. Këtë e konfirmon konferenca ndërkombëtare që hapet nesër, më 5 nëntor, në Romë, e organizuar nga shoqata e Ministrave Katolikë për Shëndetin Mendor (CMHM) me patronazhin e Akademisë Papnore për Jetën. Deri më 7 nëntor, në Sallën Piu X, persona nga e gjithë bota, të angazhuar në veprimtarinë baritore të shëndetit mendor, diskutojnë se si komuniteti i krishterë mund të shoqërojë personat që përballen me probleme të shëndetit mendor, depresion, dhimbje të thellë, dhe të parandalojë përmes dëgjimit dhe afërsisë rrezikun e vetëvrasjes. Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës do të organizojë momentet e lutjes së përbashkët dhe do të shfaqet edhe videomesazhi i Papës për muajin nëntor, që shoqëron lutjen e lexuar nga Leoni XIV.

04 nëntor 2025, 12:14