PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT

Papa: të vdekurit në luftë nderohen me një armëpushim dhe një angazhim për paqen

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa i falënderoi të gjithë ata që po punojnë për të krijuar paqen, në vendet që jetojnë me armiqësi në rritje. Më pas kujtoi Filipinet, të dëmtuara rëndë nga Tajfuni Fung-wong, dhe vlerësoi mesazhin e Konferencës së Ipeshkvijve Italianë për Ditën e Falënderimeve, duke inkurajuar kujdesin për tokën, në kundërshtim me shpërdorimin ushqimor.

R.SH. / Vatikan

Civilë, fëmijë, të moshuar, të sëmurë. Lista e Papës, në fund të lutjes së Engjëllit të Zotit kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit sot, 9 nëntor.  Mishëron dhimbjen e atyre që preken nga konfliktet e dhunshme, me thirrjen për t'i dhënë fund armiqësive. "Shpreh mirënjohjen time të thellë - pohon Leoni XIV - për të gjithë ata që në çdo nivel janë duke punuar për të ndërtuar paqen në rajonet e ndryshme, të prekura nga lufta".

Në ditët e kaluara u lutëm për të vdekurit e, ndërmjet tyre, për fat të keq, janë edhe shumë të vrarë gjatë luftimeve e bombardimeve, ndonëse ishin civilë, fëmijë, pleq, të sëmurë. Në se duam t’i nderojmë me të vërtetë kujtimin e tyre, të pushojë zjarri  e të bëhet çdo përpjekje në bisedimet”.

Lutje për Filipinet

Ka dhimbje edhe në Filipine, ku tajfuni Fung-wong, një nga më të fuqishmit e stinës, shkaktoi viktimën e parë të vendit, ndërsa numri i të zhvendosurve u rrit në 1.2 milion. Papa Leoni XIV e shprehu kështu afërsinë e tij:

“Lutem për të vdekurit dhe familjet e tyre, për të plagosurit e të zhvendosurit”.

Dita e Falënderimit

Leoni XIV kujton edhe Ditën e sotme të Falënderimit, kremtuar nga Kisha italiane për të lavdëruar Zotin dhe për t'i dhënë vlerën e duhur dhuratave të tokës, respektit për mjedisin dhe atyre që e punojnë atë:

Bashkohem me Mesazhin e Ipeshkvijve në inkurajimin e kujdesit të përgjegjshëm për tokën, luftën kundër shpërdorimit të ushqimit dhe miratimin e praktikave të qëndrueshme bujqësore. Falënderojmë Zotin për ‘Motrën tonë, Nënën Tokë’, dhe për ata që e kultivojnë e kujdesen për të”.

Së fundmi, përshëndetja grupeve të shumta të pranishme nga Italia dhe shumë vende të botës, përfshirë edhe ata që përfaqësojnë ngjarjet historike të Lacios dhe vullnetarët e Bankës së Ushqimit të cilët, na kujton Papa, do të mbledhin ushqime të shtunën e ardhshme, në prag të Ditës Botërore të të Varfërve.

09 nëntor 2025, 15:22