Papa Libanit, ndërtuesit e Paqes të kapërcejë dhunën dhe intolerancën
R.SH. / Vatikan
"Çdo thirrje për lutje u bashkoftë në një himn të vetëm"!
Në zemër të Lindjes së Mesme, në djepin e tre feve abrahamike, Leoni XIV merr pjesë në takimin ekumenik dhe ndërfetar në Sheshin e Martirëve në Bejrut. Thirrja e Papës për të qenë paqebërës, duke i bërë jehonë asaj që shprehu që nga momentet e para të mbërritjes së tij në Liban, në fjalimin e tij drejtuar autoriteteve politike dhe civile libaneze, është ajo e një ati shpirtëror që bashkon zërin e tij - në gjurmët e paraardhësve të tij që vizituan këtë "tokë të dashur" - me polifoninë e udhëheqësve fetarë vendas. I prekur dhe mirënjohës, Papa Prevost i dëgjon vëllazërisht, një nga një, duke u lutur vazhdimisht, i gatshëm ta ngushëllojë Libanin që të mos humbasë harmoninë midis të gjitha bashkësive të tij.
Frika, mosbesimi dhe paragjykimi nuk e kanë fjalën e fundit.
Dialogu me anëtarët e feve të tjera është i natyrshëm në thirrjen universale të Kishës, thekson Papa Leoni XIV, duke kujtuar atë që Benedikti XVI shkroi trembëdhjetë vjet më parë në Thirrjen e tij Post-Sinodale 'Ecclesia in Medio Oriente'. Në Liban kumbonaret dhe minaretë qëndrojnë krah për krah, ashtu si besimet e ndryshme thirren të bashkëpunojnë, duke lartuar lutje të pandërprerë te Krijuesi i mëshirshëm për "dhuratën hyjnore të paqes". Konfliktet e zgjatura dhe komplekse në Lindjen e Mesme mund të jenë dekurajuese, shpjegoi Papa Leoni XIV, megjithatë "në mes të këtyre betejave, ne mund të kemi shpresë dhe inkurajim kur përqendrohemi në atë që na bashkon: njerëzimin tonë të përbashkët dhe besimin tonë në një Zot dashurie e mëshire".
[...] frika, mosbesimi dhe paragjykimet nuk e kanë këtu fjalën e fundit, ndërsa uniteti, pajtimi dhe paqja janë gjithmonë të mundshme.
Mund të jetohet së bashku në respekt dhe dialog
Leoni XIV kujton, me këtë rast, gjashtëdhjetëvjetorin e Deklaratës së Koncilit të Dytë të Vatikanit Nostra Aetate, e cila "hapi një horizont të ri", duke theksuar se dialogu i vërtetë, "i frymëzuar nga dashuria hyjnore, i përqafon të gjithë njerëzit me vullnet të mirë dhe i flakë poshtë paragjykimet, diskriminimin dhe persekutimin, duke pohuar dinjitetin e barabartë të çdo qenieje njerëzore".
Ja, pra, është misioni që mbetet i pandryshuar gjatë gjithë historisë së kësaj toke të dashur në Liban: të dëshmojmë të vërtetën e qëndrueshme se të krishterët, myslimanët, druzët dhe të tjerë të panumërt, mund të jetojnë së bashku, duke ndërtuar një vend të bashkuar nga respekti dhe dialogu.
E kjo do të thotë t’i kundërvihesh intolerancës e të kapërcesh dhunën!
T'i kundërvihemi intolerancës, të mposhtim dhunën
Besimi i Papës është që mësojmë nga Ungjilli, i cili përmban tregime nga jeta e Jezusit që ndodhën në jug të Libanit aktual, në rrethinat e Tirit dhe Sidonës: përmend, për shembull, takimin e Jezusit me gruan siro-fenikase, një nënë që lutej me zjarr për të cilën flitet në Ungjillin e Markut. "Përvujtëria, besimi dhe qëndrimi mposhtin çdo pengesë dhe takojnë dashurinë e pafundme të Hyjit", thotë Leoni, i bindur se Libani përfaqëson pikërisht këtë qëndrim historik. Imazhi i ullirit – një shembull i bukur që formon sfondin e skenografisë të përgatitur për këtë ngjarje qendrore gjatë vizitës së Papës në Liban – simbol i paqes dhe bashkëjetesës, është ai që Papa përdor për të theksuar aftësinë e jashtëzakonshme të rezistencës dhe shpresës që asnjëherë nuk duhet të largohet nga populli libanez. Dhe ndërsa ia beson përqafimit amnor së Virgjërës Mari, Zonës së Libanit, e cila nderohet në Shenjtëroren e Harissës, Ati i Shenjtë thekson:
Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, ju jeni të thirrur të jeni ndërtues të paqes: të kundërshtoni intolerancën, të kapërceni dhunën dhe të zhdukni përjashtimin, duke ndriçuar rrugën drejt drejtësisë dhe harmonisë për të gjithë përmes dëshmisë së fesë tuaj.
